Telashe për dy vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj. Ndonëse në karrierën e tyre po përjetojnë momente të arta, duket kanë disa hesape për të larë me drejtësinë. Historia e rëndë ka dalë në skenë pas 5 vitesh nga ngjarja e shëmtuar në Vlorë, ku protagonistë janë pikërisht dy aktorët e njohur.
Në vitin 2017, ata janë dënuar nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe më 27 maj do të zhvillohet seanca gjyqësore për dy vëllezërit, të cilët rrezikojnë deri në 10 vite burg.
Përballë një vendimi të butë të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit, ku dy vëllezërit vijonin të lirë dhe Apelit të Prokurorisë, shkalla e dytë e la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Mirëpo e pakënaqur me vendimin e Apelit, Prokuroria e Vlorës e ka dërguar rastin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit e ka regjistruar rekursin dhe ka caktuar si datën e seancës së parë 27 majin.
Ngjarja, për të cilën akuzohen dy vëllezërit duket se ka kaluar në heshtje, ashtu sikundër dënimi i cili i ka lënë jashtë qelisë dy aktorët. Kjo për faktin se në 2017 ata nuk kishin famën që gëzojnë sot. Atëherë, dy moderatorët ishin në hapat e tyre të parë të karrierës, duke kaluar gjithçka në heshtje. Por tashmë që Prokuroria ka dërguar rastin për rishqyrtim, sherri i ndodhur ka dalë në pah.
Nga ajo çfarë kemi mundur të mësojmë, dy vëllezërit kanë pasur një sherr të ashpër vite më parë, të shoqëruar edhe nga miqtë e tyre. Gjithçka ka ndodhur nga një konflikt i rastit dhe ka degraduar në dhunë të ashpër, me mjete të forta. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 2013, kur Romeo dhe Donaldi ishin adoleshentë.
Kallëzimi është bërë nga prokurori i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj, i cili kërkon që dy vëllezërit të kryejnë dënimin në burg dhe jo t’u pezullohet ashtu si ka vendosur Gjykata e Vlorës dhe Gjykata e Apelit.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 7 shkurt 2013 të ndodhur në afërsi të shkollës së mesme “Mustafa Qemal Ataturku” në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, si pasojë e një sherri të ndodhur mes disa personave është dëmtuar me mjete të forta Arjan L., banues po në këtë lagje. Donaldi dhe Romeo ishin atëherë nxënës të shkollës së mesme “Reald”.
Më 6 shkurt 2013, rreth orës 13:30 Arjani ka qenë pranë shkollës “Mustafa Qemal Ataturku” i shoqëruar nga një tjetër, në pritje të së fejuarës së tij, e cila ishte nxënëse në këtë shkollë. Në kohën që vajza ka dalë nga shkolla afër saj ka kaluar një makinë, duke xhiruar gomat dhe bërë veprime provokuese, të cilat kanë shqetësuar Arjanin dhe menjëherë ky i fundit ka ndaluar drejtuesin e mjetit Romeo Veshaj, me të cilin ka debatuar dhe më pas të dy janë larguar.
Një ditë më vonë, 7 shkurt 2013, rreth orëve të drekës, Arjani ka qenë po në afërsi të shkollës në shoqërinë e tre kushërinjve të vajzës në pritje të kësaj të fundit. Më pas, dy prej tyre janë larguar, ndërsa Arjani dhe njëri prej kushërinjve dhe vajza janë nisur në drejtim të një qendre tregtare po në lagje.
Personat që kanë qenë në shoqërinë e Arjanit kanë mundësuar shuarjen e konfliktit dhe dërgimin e tij në spitalin civil për dhënien e ndihmës mjekësore. Në përfundim të hetimeve me vendimin e datës 11 korrik 2013 është vendosur mosfillimi i çështjes penale, pasi i dëmtuari nuk është paraqitur për ekzaminim pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë dhe në vijim ka tërhequr ankimin e paraqitur lidhur me ngjarjen.
Së fundmi, gjatë hetimit janë pyetur disa persona mes tyre dhe i pandehuri Romeo dhe Donal Veshaj, të cilët kanë dhënë shpjegime dhe kanë pranuar se ditën e ngjarjes janë përfshirë në konfliktin fizik me të dëmtuarin Arjan të ndihmuar dhe nga persona të tjerë.
Sherri në atë kohë është shndërruar në kryefjalën e qytetit, duke pasur dijeni thuajse të gjithë për këtë përplasje të ashpër mes djemve që më herët njiheshin me njëri-tjetrin. Të proceduar për këtë ngjarje kanë qenë edhe miqtë e dy artistëve, por duke qenë se protagonistë kanë qenë Romeo dhe Donaldi, të tjerët ia kanë hedhur pa akuza të rëndë. Tanimë, dy emrat e njohur rrezikojnë deri në 10 vjet burg, shkak për akuzën është bërë dëmtimi i rëndë që ata i kanë shkaktuar palës tjetër të përfshirë në debat.
Discussion about this post