Në panairin më të madh të makinave në Amerikën e Veriut, që mbahet çdo vit në Çikago, shfaqen makinat me teknologjinë më të re. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, panairi me historinë më të gjatë në Amerikë, këtë vit pasqyron kërkesat e konsumatorëve dhe nismën e qeverisë për makina më miqësore ndaj mjedisit.
Në Panairin e Makinave në Çikago
Në Panairin e Makinave në Çikago prodhuesit shfaqin produktet e tyre më të fundit. Makinat elektrike, së fundmi kanë qenë në qendër të vëmendjes.
Por mes çmimeve në rritje, në panairin e këtij viti ka një theks më të madh tek ofrimi i më shumë opsioneve për konsumatorët. “Në kompaninë “Toyota”, ne besojmë se nuk duhet të ketë një formulë të vetme prodhimi.”
Toyota
Curt McAllister nga kompania “Toyota” thotë se linja aktuale e produkteve të kompanisë, përbëhet nga makina elektrike dhe ato me karburant dhe pasqyron kërkesat e konsumatorëve.
“Konsumatorët thonë se duan të kenë zgjedhje. Ata thjesht nuk duan që ne t’i vendosim të gjithë në një kategori të vetme”, thotë ai.
Promovimi
Për këtë arsye, “Toyota” po promovon makinën e saj hibride “Prius” të gjeneratës së 5-të, e cila është e pajisur me bateri dhe me një motor që operon me benzinë. “Toyota dhe Lexus tani kanë 21 lloj makinash hibride. Pra, kjo është pjesë e përpjekjeve tona për të ulur në zero nivelin e çlirimit të karbonit.”
McAllister thotë se “Toyota” nuk po injoron tregun e makinave elektrike me një rritje të shpejtë, por më të shtrenjtë.
E mire edhe per konsumatoret
“Ne duam të sigurohemi që të kemi diçka që është e mirë jo vetëm për ne, por edhe për xhepin e konsumatorëve tanë”, thotë ai.
Normat më të larta të interesit për kreditë e makinave në vitin 2022 shkaktuan rënien e parë të nivelit të shitjeve të makinave në një dekadë. Megjithatë, sipas firmës “Motor Intelligence”, shitjet e makinave elektrike u rritën me rreth 65 për qind krahasuar me një vit më parë. Makinat elektrike përbënin gati gjashtë për qind të shitjeve të makinave të reja në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar.
Prodhuesit
Prodhuesit thonë se konsumatorët ende nuk e kanë tejkaluar frikën rreth distancës që mund të udhëtojnë me një makinë elektrike pa patur nevojë për ta karikuar atë. Në Shtetet e Bashkuara, ka shumë më tepër pika karburantit se sa stacione karikimi.
“Një pjesë e konsumatorëve nuk janë të gatshëm të blejnë makina elektrike. Prandaj, plani ynë për pesë vitet e ardhshme është të ofrojmë makina elektrike për ata që janë gati në tre segmentet më konkurruese. Njëkohësisht ne do të ofrojmë makina që operojnë me karburant për ata që nuk janë gati për makinat elektrike.”
Chad Lyons
Chad Lyons, i cili punon në linjën e prodhimit të makinave “Chevorlet” të kompanisë “General Motors” thotë se kanë rënë ndjeshëm kërkesat për makinat e vogla që operojnë me karburant. Prandaj, departamenti i tij po përqendrohet në prodhimin e makinave sportive. Më vonë këtë vit, “Chevrolet” do të ofrojë dy makina elektrike të reja sportive dhe nuk do të ndalet me kaq.
“Kamionçinat janë zemra e Amerikës dhe ne do të ofrojmë një version të ri elektrikë të makinës tonë të madhe “Silverado””, thotë zoti Lyons.
“Të gjithë i duan makinat fuqishme”
Projektuesi i automjeteve në kompaninë “Dodge”, Deyan Ninov thotë se konsumatorët duan makina që duken më pak elektrike dhe më shumë klasike. “Mendoj se tani të gjitha makinat elektrike duken njësoj. Ato kanë karakter dhe përmasa të ngjashme.”
Ninov është duke projektuar një koncept që do ta transformojë ikonën e fuqishme “Challenger” në një makinë tërësisht elektrike. “Në sektorin e makinave elektrike mungojnë makinat e fuqishme sportive, përvoja që ato ofrojnë”, thotë ai.
Ndërsa prodhuesit e makinave po përqendrohen tek zgjedhjet për konsumatorët, Presidenti Joe Biden dëshiron që 50 për qind e të gjitha makinave në rrugët e Amerikës të jenë elektrike deri në vitin 2030. Ndërkohë, Kalifornia e ka bërë të detyrueshme që të gjitha makinat e reja që do të shiten në këtë shtet të jenë elektrike ose me hidrogjen deri në vitin 2035.
Discussion about this post