Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejtë shkaqet e ngritura në ankimin e prokurores së Kukësit, Rita Gjati lidhur me cënimin e procesit të rregullt ligjor nga Komisioni, për profesionalizmin, si dhe një pjesë të pretendimeve të saj për pasurinë. Megjithatë, mbeti në fuqi konkluzioni përfundimtar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë e të figurës, nga për rrjedhojë edhe shkarkimi i saj nga detyra.
Sipas KPK, subjekti ka kryer fshehje të pasurisë, ka kryer deklarim rremë, të pasaktë, të paplotë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së saj dhe të personave të lidhur me të; si dhe se nuk ka justifikuar me burime të ligjshme blerjen e tyre. Po ashtu, Komisioni ka konstatuar se përgjigjet e subjektit nuk kanë qenë shteruese dhe se ajo ka depozituar kërkesa të njëpasnjëshme duke synuar pezullimin ose vonesën e vetingut – rrethana që janë konsideruar si qëndrim jobashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit.
Gjati u gjet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe në kriterin e figurës, pasi nuk ka deklaruar faktin se ajo dhe bashkëshorti i detyroheshin në shumën 4 milionë lekë një personi të përfshirë në krimin e organizuar.
Po ashtu, në KPK u arrit në përfundimin se subjekti ishte e papërshtatshme në aspektin profesional, me argumentin se të metat e konstatuara nuk mund të korrigjoheshin me trajnimin 1-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës. Në vlerësimin tërësor u konkludua se Gjati gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Subjekti e kundërshtoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK, duke ngritur shkaqe për aspektin procedural dhe për të tre kriteret e rivlerësimit, një pjesë e të cilëve u gjetën të drejtë.
Probleme në procedurë
Trupi gjykues i KPA konstaton se gjatë procesit të rivlerësimit, është cenuar e drejta e subjektit të rivlerësimit për proces të rregullt ligjor në drejtim të mosgarantimit nga Komisioni të së drejtës për mbrojtje efektive. Shkak i kësaj situate është bërë vijimi i seancës dëgjimore dhe procesi i vetingut për Gjatin, pa iu dhënë asaj e drejta të caktojë një përfaqësues ligjor, pasi avokati i mëparshëm e kishte braktisur gjatë seancës.
“Komisioni duhet të kishte mbajtur qëndrim në favor të garantimit të së drejtës së subjektit të rivlerësimit, znj. Rita Gjati, për një proces të rregullt ligjor, duke i dhënë mundësinë asaj të riorganizonte mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të saj të ligjshëm në favor të një procedure rivlerësimi që do të çonte në një vendimmarrje sa më të drejtë dhe objektive”, arsyeton Kolegji.
Justifikimi i Komisionit se provat ishin mbledhur dhe parashtrimet në emër të subjektit ishin përgatitur nga përfaqësuesi i cili hoqi dorë në seancë, përveçse vlerësohet si i pamjaftueshëm në kuadër të parimit të ekonomisë gjyqësore për të prevaluar mbi të drejtën e subjektit për mbrojtje dhe përfaqësim ligjor, sipas KPA-së, krijon edhe perceptimin e gabuar se në atë moment kohor procesi i vetingut për Gjatin kishte mbaruar. Po ashtu, çmohet se në këtë mënyrë, KPK ka nënvlerësuar edhe funksionin e seancës dëgjimore gjatë së cilës debatohen gjetjet dhe provat, si dhe parashtrohen kërkesa në funksion të mbrojtjes së interesave të ligjshëm të subjektit të rivlerësimit.
Trupi gjykues i Kolegjit, çmon se Komisioni e ka vlerësuar në mënyrë të përciptë deklaratën e subjektit për “pamundësinë fizike” për të përballuar e vetme procesin, pasi duhej të ishte konsideruar dhe aftësia për të përballuar emocionalisht e profesionalisht procedurën e hetimit administrative.
Po ashtu, KPA çmon se Komisioni duhet të kishte mbajtur në konsideratë jo vetëm gjendjen shëndetësore të subjektit të rivlerësimit në ditët e para pas përfundimit të raportit mjekësor për shkak të infektimit me virusin Sars-Cov 2019, por edhe traumën e shkaktuar nga pandemia në përgjithësi dhe faktin që në familjen e subjektit, e cila ishte infektuar e tëra, njëri prej pjesëtarëve të saj kishte historik të një ndërhyrjeje kirurgjikale për një sëmundje të rëndë.
“Në kushtet e një situate të tillë të jashtëzakonshme shëndetësore dhe psikoemocionale që prodhoi pandemia e COVID-19 në kulmin e përhapjes së saj, trupi gjykues vlerëson se pamundësia e pretenduar nga subjekti i rivlerësimit për ta përballuar e vetme dhe pa ndihmë ligjore këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e saj, nuk mund të çmohej e shkëputur nga konteksti i mësipërm dhe të justifikohej nga Komisioni me pretendimin se subjekti i rivlerësimit nuk e provoi me dokumentacion ligjor paaftësinë e saj të pretenduar fizike, në datën në të cilën po kryhej seanca dëgjimore”, argumenton Kolegji dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike.
KPA ka rrëzuar edhe konkluzionin e Komisionit, se subjekti nuk ka qenë plotësisht bashkëpunuese gjatë procesit të rivlerësimit.
“…Vlerësimi i shpjegimeve të subjektit të rivlerësimit në drejtim të sasisë së informacionit të dhënë dhe nivelit të detajimit të tij i mbart pasojat në vlerësimin e përmbushjes ose jo të barrës së provës nga ana e subjekteve dhe, për rrjedhojë, nuk mund të vlerësohet në dëm të tyre edhe në kuadër të qëndrimit bashkëpunues apo jo ndaj procesit të rivlerësimit kalimtar”, vlerëson Kolegji dhe vëren se Gjati ka depozituar një volum të konsiderueshëm të akteve shkresore justifikuese në kuadër të hetimit dhe përmbushjes së barrës së provës së kaluar nga Komisioni. Kjo vlerësohet se përmbush kërkesat ligjore për të qenë bashkëpunues në kuadër të kryerjes së vetingut.
Vlerësimi kritereve të rivlerësimit
Në verifikimin e burimeve financiare që kanë shërbyer për krijimin e një apartamenti dhe garazhi në Sarandë, Kolegji ka pranuar pretendimet për korrigjimin e analizës financiare duke konsideruar të ardhurat e bashkëshortit të subjektit si mësues për periudhën 1986-1997; dy kredi të marra nga Fondi Besa në vitet 2002 dhe 2003; si dhe të ardhurat nga shitja e një trualli në vitin 2002 për shumën 1 milion lekë. Megjithatë, prokurorja Gjati dhe personat e lidhur kanë mbetur sërish me bilanc negativ për krijimin e kësaj pasurie, në shumën rreth 1 milion lekë.
Gjithashtu, trupi gjykues vlerëson se me mosdeklarimin e bashkëpronësisë mbi garazhin, subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë përmbushur detyrimin kushtetues dhe ligjor për deklarim të saktë dhe të plotë të pasurive të përfituara, sipas një vendimi gjyqësor.
Situatë e ngjashme është konkluduar dhe për një apartament në Tiranë me vlerë 6 milionë lekë, pasuri e regjistruar në emër të djalit të subjektit në vitin 2021. Pas kontrollit të ushtruar në Kolegj mbi verifikimin e ligjshmërisë së krijimit të kësaj pasurie, pavarësisht korrigjimit të disa gabimeve në analizën financiare të kryera nga KPK, është arritur në përfundimin se bilanci negative mbetet në shumën 1 milion e 657 mijë lekë për pagesën e këstit të parë në qershor të vitit 2015 dhe në pamundësi prej 200 mijë lekësh për mobilimin po atë vit.
Për një truall 550 m2 në emër të djalit, të fituar me vendim të Këshillit të Bashkisë Sarandë të vitit 2000, si shesh ndërtimi, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë e të pamjaftueshëm, se e ka fshehur këtë pasuri që ka shërbyer si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2013. Trualli nuk figuron i regjistruar në ASHK.
KPK konkludoi se djali I subjektit e ka pasur truallin në posedim që prej vitit 2000, por kjo pasuri nuk është deklaruar.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi si të pabazuar konkluzionin e Komisionit dhe pretendoi se mosdeklarimi i këtij trualli nuk përbën përpjekje për të fshehur apo paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë që ka në pronësi ose në përdorim djali i saj, sepse kjo pasuri nuk është as në pronësi, as në posedim apo përdorim, por bëhet fjalë thjesht për një përfitues potencial.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se, sikundër ka pretenduar subjekti i rivlerësimit, djali i saj, ndonëse zotëronte një vendim të Këshillit Bashkiak Sarandë për dhënien e një trualli si shesh ndërtimi, ai nuk kishte fituar asnjë të drejtë juridike pronësie mbi këtë pasuri – fakt i konfirmuar edhe nga të dhënat e ASHK-së. Për këtë arsye, vlerësohet i drejtë pretendimi i subjektit se nuk ka pasur detyrim për ta deklaruar këtë pasuri. Në përfundim të analizës së kësaj pasurie, Kolegji vlerëson se mospasqyrimi i kësaj pasurie në deklaratënveting nuk përbënë fshehje.
Pavarësisht këtij konkluzioni, Kolegji rendit një seri problemesh për këtë pasuri. Përdorimi nga subjekti i vendimit të Këshillit Bashkiak Sarandë, sipas të cilit djali i saj M. GJ., kur ishte vetëm 5 vjeç, u bë përfitues i një trualli për ndërtim me sipërfaqe 550 m2 në qytetin bregdetar, i miratuar në mungesë të qartë të plotësimit të kritereve ligjore të kohës lidhur me privatizimin e pasurisë shtetërore, prej nga në mëntrë të padrejtë është përfituar vlera monetare prej 4 milionë lekësh, që ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, vlerësohet se ndikon në mosarritjen e një niveli të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë.
KPK ka konkluduar se Gjati ka kryer deklarime kontradiktore e të rremë lidhur me një hua në shumën 500 mijë lekë të marrë nga kunati, por subjekti ka kundërshtuar duke pretenduar se e ka deklaruar saktë dhe se ka dhënë shpjegime të detajuara përpara Komisionit, për fakte dhe rrethana të ndodhura para shumë vitesh.
Kolegji vëren se legjislacioni i vetingut të magjistratëve nuk parashikon detyrim për subjektet e rivlerësimit për të deklaruar destinacionin e përdorimit të huasë dhe as i ngarkon ata me barrë prove në këtë drejtim. Për rrjedhojë, arrihet në përfundimin se deklarimet kontradiktore të subjektit të rivlerësimit lidhur me këtë hua, gjatë hetimit administrativ, nuk përbëjnë deklarim të rremë. Ato janë mbajtur në konsideratë në vlerësimin e besueshmërisë së deklarimeve të Gjatit në procesin e vetingut të saj.
Në përfundim të analizës së shkaqeve të ankimit për pasurinë, Kolegji arrin në përfundimin se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në këtë kriter.
Ashtu, si Komisioni, edhe Kolegji çmon se subjekti nuk e ka plotësuar saktë deklaratën e kontrollit të figurës, pasi nuk ka shënuar faktin se një person, të cilit ajo dhe bashkëshorti i detyroheshin në shumën 4 milionë lekë, ishte person i përfshirë në krimin e organizuar. Sipas KPA, prokurorja Gjati gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në kriterin e figurës.
Në vlerësimin e profesionalizmit, pavarësisht se janë konstatuar disa parregullsi në veprimtarinë profesionale të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues i KPA arrin në përfundimin se ato janë të pamjaftueshme për të justifikuar konkluzionin e Komisionit se prokurorja Gjati është e papërshtatshme në këtë kriter rivlerësimi. Shkaqet e ngritura në ankim nga Gjati janë gjetur të bazuara dhe është konkluduar se ajo arrin nivel kualifikues për profesionalizmin.
Për rrjedhojë, ka rënë si i pabazuar edhe konkluzioni tjetër i KPK-së lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. “…Për sa kohë ky konkluzion referohet si vlerësim i ndërvarur me mangësitë e konstatuara në vlerësimin e aftësive profesionale”, konstaton Kolegji.
Megjithatë, në përfundim, KPA ka lënë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurores Rita Gjati për probleme në kriterin e pasurisë dhe figurës./BIRN/










Discussion about this post