Komisioni i pavarur ka deklaruar Manchester Cityn fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkeljet e rregullave financiare të Premier League gjatë një periudhe prej nëntë sezonesh, ndërsa klubi është gjetur fajtor edhe për shumicën e akuzave që lidhen me mungesën e bashkëpunimit gjatë hetimit.
Në vendimin e tij, komisioni arrin në përfundimin se Manchester City ka fshehur gjendjen reale të financave të klubit nga audituesit dhe organet rregullatore.
Sipas përfundimeve të publikuara, klubi anglez dyshohet se ka fryrë artificialisht të ardhurat me më shumë se 900 milionë paund, shifër që në euro kalon 1 miliard euro.
Vendimi përbën një zhvillim të rëndësishëm në çështjen që ka vënë prej kohësh Manchester Cityn përballë Premier League.
Megjithatë, për momentin nuk është vendosur ende ndonjë dënim ndaj klubit. Manchester City ka afat deri më 2 tetor për të paraqitur apel ndaj vendimit të komisionit të pavarur.
Në këtë fazë, mbetet për t’u parë se çfarë mase ndëshkuese mund të merret ndaj klubit nëse vendimi përfundimtar mbetet në fuqi.
Manchester City ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të opinionit të Komisionit të Premier League, duke shprehur zhgënjim dhe habi për përfundimet e bëra publike.
Në një deklaratë të klubit anglez thuhet se Manchester City e konsideron veten të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Premier League dhe se disponon një sasi të madhe provash që, sipas klubit, mbështesin të gjitha qëndrimet e tij në këtë çështje.
“Manchester City FC është i zhgënjyer dhe i befasuar nga opinioni i Komisionit të Premier League, i publikuar sot”, thuhet në reagimin zyrtar.
Klubi thekson se do të vijojë betejën e tij në të gjitha forumet përkatëse ligjore dhe rregullatore, duke paralajmëruar se do të ndjekë rrugët e apelimit që i janë hapur.
“Klubi është i pafajshëm ndaj akuzave të bëra nga Premier League dhe ekziston një trupë gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme në mbështetje të të gjitha qëndrimeve tona në lidhje me këtë çështje”, deklaron Manchester City.
Sipas klubit, procesi i Premier League ende nuk ka përfunduar dhe disa elemente të rëndësishme të procedurës mbeten të papërfunduara. City pretendon gjithashtu se opinioni i publikuar përmban “gabime të qarta materiale në ligj, parim dhe fakte” dhe për këtë arsye e konsideron atë të pasigurt.
Manchester City kujton gjithashtu se ka respektuar procesin ligjor për tetë vite, duke u bazuar në pritshmërinë se drejtuesit dhe bordi i Premier League do të vepronin si një rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.
Në fund, klubi anglez thekson se nuk mund të bëjë publike më shumë detaje për sa kohë që procedurat e ardhshme ligjore nuk kanë përfunduar.
“Manchester City FC tani do të ndjekë rrugët e apelimit që i janë hapur, mbi bazën se opinioni përmban gabime të qarta materiale në ligj, parim dhe fakte dhe është i pasigurt”, përfundon deklarata zyrtare e klubit.\
gijotina.com/










Discussion about this post