Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur përjashtimin nga pjesëmarrja në tendera publikë të kompanisë “KUPA” shpk, me NIPT K51615512C, për një periudhë katërmujore, që nis më 23 tetor 2025 dhe përfundon më 23 shkurt 2026.
Kompania e Shkëlqim Kupës, sipas vendimit, ka shkelur ligjin që parashikon përjashtimin e operatorëve ekonomikë që kanë dorëzuar dokumente me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi në prokurimet publike.

Sipas dokumenteve zyrtare, procedimi administrativ ndaj kompanisë “KUPA” shpk ka nisur pas shkresës së Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, me numër protokolli 1297/1, datë 05.08.2025.
Gjatë hetimit administrativ, APP ka konstatuar keqinformim të qëllimshëm në dokumentet e paraqitura për tenderin me objekt “Blerje Asfalto Beton” (REF-45118-04-15-2025), të zhvilluar nga Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale, Elbasan.
Në përfundim të hetimit, u konstatua se “KUPA” kishte paraqitur të dhëna të rreme për kualifikim, duke përmbushur kushtet për përjashtim nga pjesëmarrja në kontrata publike.
Tenderi nëf ajlë është paralajmërur më parë nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.

Favorizimet sistematike ndaj Shkëlqim Kupës.
Kompania “KUPA” shpk, në pronësi të Shkëlqim Kupës, është përfshirë në disa procedura tenderimi që janë sinjalizuar nga Open Data Albania “me risk të lartë korrupsioni”.
Një ndër to është tenderi i Bashkisë Librazhd për projektin “Përmirësim i banesave ekzistuese për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara për vitin 2025”, me fond limit prej 47.5 milionë lekësh pa TVSH.
Pavarësisht se kompania “KUPA” kishte ofertën më të lartë, ajo u shpall fituese më 17 shtator 2025, pasi dy ofertat më të ulëta u skualifikuan nga komisioni i kryebashkiakut Mariglen Disha.
Sipas të dhënave të publikuara, kjo procedurë është shënuar me “Flamur të kuq”, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe skualifikimeve të pajustifikuara.

Një histori tenderash korruptiv dhe lidhjesh politike
“KUPA” shpk është themeluar në vitin 2004 nga Qamil Kupa fillimisht me objekt tregtar tregti gomash, por me vone kompania është shndërruar në një ndërmarrje ndërtimi që ka fituar dhjetëra kontrata publike me bashki dhe institucione shtetërore.
Vetëm nga bashkitë, kompania ka përfituar mbi 90 tendera, shumë prej tyre në Bashkinë Kamëz, gjatë kohës kur ajo drejtohej nga Xhelal Mziu.
Në vitin 2009, kompania zhvendoset në Paskuqan, ndërsa pronar bëhet Shkëlqim Kupa, i biri i Qamilit. Ky i fundit ia dhuron aksionet të birit. Më pas kompania është zhvendosur në Kashar dhe nga viti 2015 në Kamëz. Kompania e mori hovin nga ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu, meqenëse edhe biznesmeni është me origjinë nga Dibra. Vetëm nga bashkitë, Shkëlqim Kupa ka marrë mbi 90 tendera
Katër tendera i ka marrë nga Mziu me paracaktim, me mungesë konkurrence si dhe duke përjashtuar të gjithë kompanitë pjesëmarrëse të tjera nga gara.
Shkëlqim Kupa ka marrë tenderin për ndërtimin e rrugës “Donald Trump” deri te Rruga “Skënderbeu”, me fond limit 13,468,669 lekë dhe ofertë fituese 13 643 770 lekë, tenderin për gjelbërimin e Lumit të Tiranës (Ana e Bashkisë Kamëz) Paskuqan, me fondin limit 31,430,418 lekë dhe ofertë fituese 30,195,780 lekë. Sot në këtë anë të lumit ka vetëm plehra.
Në të njëjtën mënyrë ka marrë edhe tenderin për rrethimin e një pike grumbullimi në Valias me fond limit 4 456,050 lekë dhe ofertë fituese 4 395 923 lekë.
Më 26 nëntor 2020 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, do t’i jepte Kupës tenderin me vlerë 1.5 miliardë lekë, për qendrën e Çorovodës. Pesë kompani të tjera, disa me lidhje me Kupën, u skualifikuan sipas skenarit. FSHZH që drejtohet nga Dritan Agolli favorizoi Kupën në në këtë prokurim.
Më skandaloz është tenderi që Shkëlqim Kupa ka marrë me datë 23 nëntor 2020 nga drejtoria e rajonale e OSSH në Tiranë, me fond limit 71,974,389 lekë dhe ofertë fituese 69,854,675 lekë.
Në këtë procedurë kanë marrë pjesë kompania “K.M.K”, e cila ka paraqitur një ofertë më të ulët se Kupa, por që çuditërisht është tërhequr në momentet e fundit. Loja është e dukshme, duke synuar në diferencë sa më të vogël mes fondit limit dhe ofertës fituese të Kupës, për të ndarë më pas paratë.
Në vitin 2018, Shkëlqim Kupa arriti të kapë tenderin 1.24 miliardë lekë, për rehabilitimin e rrugës Yzberisht-Kashar, duke nxjerrë jashtë lojë kompani të njohura ndërtimi.
Një tender me vlerë të madhe ku shkëlqen korrupsioni është bërë nga vartësi Belinda Ballukut në Ujësjellësin e Pogradecit. Prokurimi me objekt “Ndërtimi i rrjetit të KUZ, qyteti Prrenjas” u organizua nga UK Pogradec, më më datë 30 prill 2024. Oferta më e lirë është dorëzuar nga firma Alba Konstruksion, me vlerë 1.8 miliardë lekë, por bashkë me 5 kompani të tjera u skualifikuan nga procedura me argumentin se nuk plotësojnë kriteret e vendosura. Në këtë mënyrë në fazën finale mbeti vetëm firma ‘Kupa shpk’ me propozimin 2.3 miliardë lekë. Edhe ky tender ka marrë “Flamur të kuq” korrupsioni.
Mashtrime në zbatimin e kontratave publike
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë auditimeve në Ujësjellësin e Durrësit, janë konstatuar situacione fiktive punimesh nga kompania “KUPA”.
Vetëm në projektin e Ujësjellësit të Lalzit, dëmi i shkaktuar nëpërmjet faturimeve për punë të parealizuara kap shifrën e 230 milionë lekëve.
Tenderat janë dhënë nga ish-drejtori Spartak Kovaçi, nën dyshime për favorizim dhe abuzim me fondet publike.
Vendimi i APP-së për përjashtimin e kompanisë “KUPA” shpk për katër muaj shënon një nga rastet e pakta kur një subjekt ndërtimi penalizohet për keqinformim në tendera.
Megjithatë, analiza e tenderëve të kaluar tregon një model të përsëritur të abuzimeve, lidhjeve politike dhe mungesës së konkurrencës reale në prokurimet publike, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post