Vijon edhe sot protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë njoftuar sot zhvillimin e një tjetër proteste kombëtare në Tiranë, ndërsa tubimi pritet të nisë në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Kjo në vijim të strategjisë së re të organizatorëve për zhvillimin e dy protestave kombëtare çdo javë, të mërkurën dhe të shtunën. Kjo mënyrë organizimi u bë publike pas më shumë se 150 ditësh protestë dhe synon të mbajë të gjallë qëndresën e studentëve dhe të mbështetësve të tyre.
Ndryshe nga “Revolucioni Flamingo” i cili ishte paqësor për muaj të tërë, në tetor protestat morën një tjetër dimension me përfshirjen e studentëve. Ajo që nisi me kërkesa për përmirësimin e kushteve në universitete, problematikat e arsimit dhe perspektivën e të rinjve, u zgjerua pas përplasjeve të 13 tetorit, kur kërkesa për dorëheqjen e Ramës u rikthye në një nga thirrjet kryesore të lëvizjes.
Studentët kanë mbajtur një qëndrim të prerë, duke e cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të panegociueshme dhe duke kundërshtuar ofertat për dialog me qeverinë. Në protestat e tyre janë dëgjuar vazhdimisht slogane si “Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Studentët kërkojnë revolucion” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Paralelisht me protestat në sheshet e Tiranës, studentët kanë vijuar edhe bojkotin e procesit mësimor, ndërsa lëvizjes i janë bashkuar pedagogë, prindër dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit. Momentalisht në disa universitete mësimi është rikthyer në normalitet.
“Protestë kombëtare studentore! Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë mbështet protestën kombëtare të studentëve dhe fton të gjithë pedagogët dhe punonjësit e universiteteve që dëshirojnë t’i bashkohen. Në solidaritet me studentët, për arsim cilësor dhe dinjitet!”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Në protestat e fundit, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesat për dialog, por kjo ofertë nuk ka sjellë deri më tani një ndryshim të qëndrimit të studentëve, të cilët vijojnë të këmbëngulin për dorëheqjen e tij.









Discussion about this post