MOIKOM ZEQO*
Në një shkrim të hershëm të profesor Eqrem Çabejt në gjeografinë e përhapjes së shqiptarëve në botë, përmenden edhe shqiptarët në Ukrainë. Çabej e dinte këtë referencë shkëlqyeshëm. Në një bisedë të Enver Hoxhës me Stalinin, Stalini e pyet Enver Hoxhën nëse Albania e Kaukazit është e njëjta gjë me Albaninë e shqiptarëve. Këtë pyetje do ta bënte edhe papa Piu II i shekullit XV, i cili ka shkruar një Komentar ku thotë se shqiptarët kanë ardhur ndoshta nga Albania e Kaukazit. Pak a shumë të njëjtin mendim ka dhe dijetari francez Pukëvil në shekullin XIX, i cili mendon se shqiptarët mund të kenë ardhur nga Kaukazi ose nga viset pontike ose nga Kolkida. Enver Hoxha i thotë Stalinit se shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me Albaninë e Kaukazit, por rrjedhin nga ilirët. Atëherë, Stalini merr në telefon një dijetar rus dhe e pyet për këtë çështje.
Dijetari rus i thotë që shqiptarët kanë disa fshatra pranë Ukrainës, ku jetojnë si një komunitet etnik. E përmenda bisedën midis dy politikanëve të shekullit XX, përtej konotacioneve politike që ngjallin emrat e tyre. Nuk është thjesht një trill kurioziteti. Shumë më përpara tyre Çabej dinte diçka më të saktë. Në vitin 2003 unë bëra një udhëtim në Rusi sëbashku me Dritëro Agollin. Shkuam dhe në Sant Petërburg ku ishte një universitet dhe katedra e gjuhës shqipe, ku studionin rreth 30 vajza dhe djem rusë që mësonin gjuhën shqipe.
Aty takova disa albanologë rusë që kanë shkruar libra për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Takova dhe albanologen akademike Julia Ivanovna, akademike etnografe, që kishte botuar tre libra për Shqipërinë, për etnografinë e Shqipërisë së veriut, për kanunin e Lek Dukagjinit dhe të drejtën zakonore shqiptare si dhe për kalendarin origjinal popullor të shqiptarëve, nga Antikiteti në Mesjetë, duke u bazuar në kërkimet etnografike të dijetarit shqiptar, Rrok Zojsi. Në korrik të vitit 2004, akademikja Julia Ivanonvna erdhi në Tiranë. Ajo solli me vete një ekspozitë e fotografi origjinale që pasqyronin jetën e katër fshatrave shqiptarë, që ekzistojnë edhe sot në Ukrainë. Shqiptarët kanë shtegtuar në Rusi të paktën që në shekullin XV.
Në këtë shekull një shqiptar i quajtur Maksim Artioti ka studiuar në Padova të Italisë, ku ka qenë dhe Leonik Tomeo nga Durrësi, i cili ka qenë pedagog i Nikolla Kopernikut. Maksim Artioti më vonë ka shtegtuar në Rusi, ku u njoh si një dijetar i madh dhe specialist i shkëlqyer i latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Në kohën e careshës ruse Katerina II, me urdhër në saj u botua një fjalor shumëgjuhësh, ku qe futur edhe gjuha shqipe. Në shekullin XIX, gjatë kohës së Luftës Ruso–Turke, shumë shqiptarë kanë luftuar në ushtrinë turke dhe për arsye të ndryshme kanë mbetur në rrethinat e Odesës.
Poeti më i madh rus i të gjitha kohërave, Pushkini, flet në një letër të tij si dhe në një tregim për trimërinë e kalorësve shqiptarë. Në vitin 1937, në një revistë, ku flitet për 100 – vjetorin e vdekjes së Pushkinit, poeti ynë i madh, Migjeni, ka bërë me laps dy portrete të Pushkinit. Por le të rikthehemi te tema i fshatrave shqiptarë në Ukrainë. Këto fshatra janë katër dhe janë formuar në fund të shekullit XVIII. Fillimisht u vendosën në fshatin Karakurt, në veri të Odesës, së bashku me bullgarët dhe gagauzët.
Në fillim të viteve 1860, një pjesë e banorëve të fshatit Karakurt u shpërngul në rajonin brigjeve të detit Azov rreth 10 kilometra larg bregdetit ku u themeluan tri fshatra: Devnenskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki) dhe Gamovra (Xhandran). Këto katër fshatra shqiptare mbijetojnë ende dhe sot. Ato kanë një urbanistikë të thjeshtë, shtëpitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, më pas u përdor guri i gdhendur dhe u bënë më monumentale. Hyrja në shtëpi bëhej nëpërmjet dhomës së zjarrit, në njërën anë qe dhoma e vogël e ndenjjes dhe në anën tjetër qe dhoma e madhe e miqve.
Në këto shtëpi gatuhej në oxhak, aty ishte furra (kymbet) dhe pranë saj minderi prej balte. Interieri zbukurohej me qilima dekorativë, dhomat kishin mobile druri. Kishte dhe një furrë në oborr të shtëpisë. Pranë katër fshatrave kishte dhe kisha të ritit lindor. Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruante traditat e veta, kishin folklor gojor dhe koreografik. Gratë thurnin qilima me motive shqiptare dhe përdornin zbukurimet prej argjendi me motive të vjetra.
Vathët ishin në formë unaze, ruheshin në vite kostumet e hershme kombëtare si dhe paftat e brezit prej argjendi. Fshati kryesor qe fshati Karakurt (sot Zhovtnjovoje), është qendra kryesore. Këtu mbijeton dasma shqiptare akoma dhe sot. Zakonet ceremoniale i ka studiuar jo vetëm Julia Ivanovna, por dhe etnografja tjetër ruse, Oksana Budina, gruaja e parë ruse e arkeologut shqiptar Dhimosten Budina. (2002)
Discussion about this post