Institucionet e ndryshme në Kosovë kanë nisur punën në mbulimin e detyrave të qytetarëve serbë që u dorëhoqën masivisht.
Qindra qytetarë serbë të Kosovës, kryesisht nga katër komunat veriore të vendit, kanë hequr dorë nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës që nga 7 nëntori, në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave.
Dorëheqjet u dorëzuan në institucione si Policia, Gjykata e Prokuroria, Dogana e të tjera.
Edhe përfaqësuesit politikë në nivel lokal u dorëhoqën duke çuar në nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komuna të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Po ashtu, edhe 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës u dorëhoqën. Zëvendësimi i tyre u bë të mërkurën, më 17 nëntor.
Radio Evropa e Lirë ka mbledhur të dhëna nga institucionet, të cilat janë përballur me dorëheqje të stafit në lidhje me shifrat e dorëheqjeve dhe planet për zëvendësimin e këtyre punëtorëve.
Deri më tani, sipas të dhënave nga institucionet nuk janë hapur konkurse për plotësimin e vendeve nga jashtë, por në shumicë janë bërë rialokime të stafit ekzistues për pozitat që kanë mbetur të zbrazura.
Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, më 7 nëntor, deklaroi se dorëheqjen e kanë dorëzuar 578 zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka thënë se pas dorëheqjeve “do të rriten gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik, në numër të mjaftueshëm duke u bazuar në nevojat dhe vlerësimet operacionale”.
Ata nuk kanë sqaruar më tej se a do të hapin konkurs të ri në një të ardhme të afërt për zëvendësimin e policëve në atë zonë.
“Policia ka kapacitete të mjaftueshme policore dhe veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Dhjetë prokurorë e 22 punëtorë të administratës, më 7 nëntor dhanë dorëheqje ga Prokuroria.
Kjo Prokurori përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.
Ismet Ujkani, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se dorëheqjet nga ky institucion, “e kanë bërë më të vështirë punën”.
Ai ka treguar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) që është përgjegjës për rekrutimet e prokurorëve, e ka ndihmuar këtë prokurori me transfere nga jashtë.
“Aktualisht, janë transferuar tre prokurorë prej prokurorive tjera. Prej Prokurorisë së Ferizajit një dhe prej Prokurorisë së Prishtinës”, ka thënë Ujkani.
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a do të ketë konkurs për zëvendësimin e prokurorëve, duke thënë se “për çdo veprim që do të merret në lidhje me situatën e krijuar, opinioni publik do të njoftohet me kohë”.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se sa është numri total i të dorëhequrve nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Megjithatë, Bekim Veliqi, nënkryetar i Gjykatës në Mitrovicë tha për REL-in se numri i të dorëhequrve nga gjykata dhe degët e saj arrin në 130.
“I gjithë stafi (serb) që ka qenë, të gjithë kanë dhënë dorëheqje”, tha Veliqi.
Ndër të dorëhequrit është edhe kryetarja e kësaj gjykate, Lilana Stevanoviq.
Nënkryetari Veliqi tha për REL-in se aktualisht kanë bërë vetëm riorganizim të brendshëm për të mundësuar funksionimin e gjykatës.
“Ne jemi riorganizuar vetë si gjykatë, sipas obligimit që na ka rrjedhë nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës më 7 nëntor. Kemi bërë lëvizje të gjyqtarëve brenda gjykatës”, sqaroi Veliqi.
Ai theksoi se KGJK-ja e ka caktuar një koordinator që në komunikim me Gjykatën e Mitrovicës, do të përcaktojnë nëse duhet t’i transferojnë lëndët nëpër gjykata të tjera të Kosovës.
“Ne, si gjykatë, jemi të ngarkuar me lëndë të krimeve të rënda. I kemi diku 1400 raste në krime të rënda”, tregoi Veliqi.
Serbët ishin integruar në sistemin e drejtësisë dhe atë të rendit, pasi Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, kishin arritur marrëveshje për një gjë të tillë.
Me dorëheqje u përball edhe Dogana e Kosovës, nga zyrtarë që punonin në zonat kufitare Kosovë- Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës.
Nga Dogana i kanë thënë REL-it se 11 zyrtarë janë dorëhequr.
“Nëntë nga këta zyrtarë janë të nacionalitetit serb dhe dy boshnjakë”, thuhet në përgjigjen e Doganës.
Sipas përgjigjes së tyre, Dogana ka alokuar staf shtesë në pikëkalimet kufitare për t’i zëvendësuar personat e larguar.
As Dogana nuk i është përgjigjur pyetjes nëse pritet të hapet konkurs për zëvendësimin e zyrtarëve të dorëhequr.
*Video: Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri
Në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), për secilën komunë caktohet nga një udhëheqës i asaj që quhet Komision Komunal i Zgjedhjeve (KKZ).
Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës.
KKZ-të përbëhen nga kryesuesi që është i punësuar nga KQZ-ja, si dhe anëtarët që nominohen nga subjektet politike që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale, nëse i nënshtrohen pragut zgjedhor.
Në vazhdën e dorëheqjeve, në katër komunat e veriut, dorëheqje dhanë edhe katër kryesuesit e KKZ-ve në ato katër komuna.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e trajtuar këtë çështje dhe së shpejti do të kemi një njoftim se si do të procedojmë në këtë drejtim”, ka thënë për REL-in, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
KQZ-ja tha se gjithashtu, është në fazën e ndërtimit të trupave zgjedhore, konkretisht Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
“Për këtë qëllim, KQZ-ja u ka dërguar ftesë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i dorëzojnë propozimet e tyre për nominimin e anëtarëve në këto komisione komunale deri më 20 nëntor, në orën 16:00”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e KQZ-së.
Procedura e zëvendësimit ka përfunduar për dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – të cilët dhanë dorëheqje në javën e parë të nëntorit.
Të mërkurën, dhjetë deputetë të rinj janë betuar në Kuvendin e Kosovës duke marrë mandatet për të zëvendësuar deputetët e dorëhequr.
Në Kuvendin e Kosovës u betuan nëntë deputetë të Listës Serbe që janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe.
Ndërkaq mandat mori edhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.
“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet lokale për katër komunat veriore të vendit, që do të mbahen më 18 dhjetor.
Në valën e dorëheqjeve të serbëve ishin edhe Zoran Todiq, kryetar i Leposaviqit, Srdjan Vuloviq, kryetar i Zubin Potokut, Dragisha Milloviq, kryetar i Zveçanit, si dhe Millan Radojeviq, kryetar i Mitrovicës së Veriut.
Dorëheqje dhanë edhe anëtarët e kuvendeve komunale nga Lista Serbe që janë shumicë në secilën prej katër komunave veriore.
Ligji për zgjedhje parasheh që secili anëtar i Kuvendit Komunal që jep dorëheqje, duhet të zëvendësohet, por institucionet nuk kanë sqaruar se si do të bëhet zëvendësimi i këtyre mandateve tani për tani.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se sa shërbyes civilë brenda këtyre administrative komunale janë dorëhequr dhe si pritet të vazhdojë funksionimi i tyre tutje.
Jo të gjitha institucionet kosovare që kanë të punësuar të komunitetit serb nga komunat veriore, u përballën me dorëheqje.
Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka gjithsej 16 të punësuar nga komuniteti serb në zonën e Mitrovicës së Veriut.
“Prej tyre, tetë janë inspektorë në drejtorinë rajonale të ATK-së në Mitrovicë, si dhe tetë të tjerë në Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme në Prishtinë”, ka thënë ATK-ja.
Megjithatë, ky institucion deri më tani nuk ka pranuar asnjë dorëheqje.
“Në rast se do të kemi dorëheqje, do të tentojmë të mobilizohemi, duke zëvendësuar me inspektorë nga regjionet tjera, në mënyrë që mos të kemi ndalim të aktiviteteve”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se ka të punësuar 17 zyrtarë të komunitetit serb dhe prej tyre “14 janë nga komunat veriore”.
“Deri më tash nuk kemi pranuar asnjë njoftim apo paralajmërim për dorëheqje nga ana e tyre”, ka thënë AUV për Radion Evropa e Lirë.
Albert Krasniqi, nga Organizata Demokraci Plus (D+) mendon se zëvendësimi i të larguarve nga institucionet e Kosovës dhe sidomos në nivel politik, duhet të bëhet me kujdes.
“Është vështirë tani që institucionet e Kosovës të gjejnë zgjidhje përmes një rruge juridike sepse i gjithë ky problem kërkon një zgjidhje politike, në mënyrë që përfaqësimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës të jetë përmbajtësor”, thotë ai.
Krasniqi thotë se në strukturat e sigurisë si dorëheqjet në Polici, “‘do të jetë një proces më i gjatë i zëvendësimit”.
Ndërkohë, sipas Krasniqit, ftesa për serbët që t’i marrin ulëset në përfaqësim politik sikurse në Kuvendin e Kosovës, duhet bërë duke pasur parasysh edhe sigurinë e tyre.
“Në institucionet tjera si në Kuvendin e Kosovës, është me rëndësi që edhe ata që i marrin këto ulëse, të mos përballen me presion”, thotë ai.
Ndërkohë, Lista Serbe – e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Dushan Radakoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, për REL-in ka thënë më 15 nëntor se zgjedhjet parakohshme në veri mund të organizohen, porse ato nuk do të kenë legjitimitet pa pjesëmarrjen e komunitetit serb.
Dorëheqjet e serbëve erdhën në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës.
Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parasheh gjoba deri në 150 euro për të gjithë shoferët e automjeteve me targa ilegale serbe./REL
Discussion about this post