Policët e burgjeve në mjaft raste bëhen pjesë e strukturave të krimit, që drejtohen nga të dënuarit. Futja e drogës apo e sendeve të tjera në qeli kërkon detyrimisht bashkëpunimin me uniformat blu. Në burgun e Peqinit policët ishin hallka lidhëse mes “furnizuesve” me lëndë narkotike dhe “shpërndarësve” të saj nëpër qeli. I përfshirë ishte edhe shefi i policisë së këtij burgu, që tashmë është nën hetim për vrasjen në burgun e Peqinit.
Skandali i trafikimit të drogës në burg
Ardian Serica njihej në burgun e Peqinit si Ari i Fatosit. Mbase këtë pseudonim e kishte marrë si shpërndarës droge për bashkëvuajtësit. I arrestuar që në vitin 2014 për të njëjtin aktivitet, Serica e ka vijuar “biznesin” brenda burgut. Serica është arrestuar, sepse në bashkëpunim me një të dënuar dhe një gardian fusnin lëndë narkotike edhe në qelitë e Peqinit.
Tetë vite më pas, teksa ndodhet në burgun e Peqinit, Ardian Serica është vënë sërish nën hetim, ngaqë fuste drogë për të dënuarit në burgun e Peqinit. Këtë herë në skemë ka përfshirë më së paku 3 gardianë të burgut.
“Kam mësuar nga bashkëvuajtësit e mi se personi që sjell lëndën narkotike është Ardian Serica, i njohur mes nesh edhe si Ari i Fatosit. Ai ndihmohet nga polici me emrin Xhevdet Brolli, të cilit i thërrasin Xhota”, – tregoi për hetuesit i paraburgosuri Mario Bitri, të cilit i ishte gjetur edhe një sasi droge.
Secili ka pasur rolet dhe përgjegjësitë përkatëse. Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2019 deri në vitin 2022, 3 gardianët e burgut të Peqinit, Xhevdet Brolli, përgjegjës kolone, Sokol Gashi, specialist i trupës dhe Safet Gaxhija, specialist i informacionit, të tre të pezulluar nga detyra, përdorën kartat e kreditit të disa të burgosurve, duke tërhequr nga 1 mijë lekë deri në 30 mijë lekë. Lekët janë përdorur për të paguar drogën dhe shërbimin.
Policët, Xhevdet Brolli dhe Sokol Gashi, prokuroria po i heton për futje të sendeve të palejuara në burg, si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim.
Gardiani tjetër akuzohet se ka “shpërdoruar detyrën”.
Nga dokumentet hetimore, që INA Media lexoi, rezulton se aktiviteti ishte shtrirë në vite dhe në bazë të një skeme të mirëfilltë.
“Shkëmbimet e lëndës narkotike bëhen nga polici te i dënuari në 2 vende, ndërsa shpërndarja mes të dënuarve bëhet nga klasa e kolonës 5-6, te kati i dytë, te klasa e kolonës 5 6, kati i parë”, – shpjegon para hetuesve njëri prej të dënuarve në burgun e Peqinit.
Deklarimet e tij, referuar prokurorisë, u konfirmuan më tej edhe nga pamjet filmike, që tregojnë se gardianët e fusin lëndën narkotike dhe më pas lejojnë shpërndarjen e saj. I dënuari gjithashtu tregon për hetuesit se lënda narkotike futej të premteve në institucion dhe shpërndahej të shtunave.
Hetuesit dyshojnë se zgjidhej fundjava, pasi kontrollorët nuk punojnë, kjo edhe për shkak të mungesës së vizitave. Megjithatë, referuar rregullores, regjimi i brendshëm funksionon me kapacitet të plotë. Të njëjtat dyshime u mbështetën nga disa biseda që INA Media zhvilloi me punonjës të Policisë së Burgjeve, që konfirmuan mungesën e kontrollorëve gjatë fundjavës.
Kartat e kreditit
Nga Tirana, nga Durrësi, nga Rrogozhina apo nga Lushnja, gardianët, sipas Prokurorisë së Elbasanit, tërhiqnin vetëm në 1 vit 75 herë me kartat e 6 të dënuarve dhe të paraburgosurve. Tërheqjet bëheshin në mënyrë rastësore, në momentet pas punës ose jo, kur ata bashkoheshin.
Të dhënat e marra nga një bankë e nivelit të dytë treguan se një numër i lartë i të dënuarve dhe i të paraburgosurve kishin llogari bankare aty dhe nga historiku i tërheqjeve dhe nga verifikimet e kryera në bazë edhe të përgjimeve, rezultoi, sipas hetuesve, se paratë ishin marrë nga gardianët e burgut.
“Ata janë të dënuar dhe të paraburgosur në IEVP, Peqin dhe e kanë të pamundur fizikisht të kryejnë vetë tërheqje. Po kështu, është e pamundur objektivisht të tërheqin edhe persona të tjerë, të jashtëm, pasi karta monitorohet nga i dënuari ose nga i paraburgosuri brenda institucionit”, – argumenton prokuroria në kërkesën e bërë në gjykatë për pezullimin e policëve nga detyra.
“…rezulton se, në kohën që numri telefonik 685034xxx, në përdorim të Xhevdet Brollit, telefonon numrin 355696114xxx dhe, para se të hapet biseda, dëgjohet që ai flet me një person tjetër dhe e pyet: “E kujt është kjo master karta?”.
Në këtë formë prokuroria përgjoi dhe mbajti në vëzhgim gardianët dhe në dosjen hetimore pasqyron edhe një moment të tërheqjes së lekëve, të ndjekur në terren.
E njëjta dosje e ndjekur me përgjime tregoi se si nderet dhe shërbimet mes gardianëve, të dënuarve dhe të paraburgosurve ishin një realitet normal në institucionin e vuajtjes së dënimeve në Peqin. Një përgjim i regjistruar në mars të vitit 2023, i zbardhur në dokumentet hetimore, tregon se në ndere ndaj të dënuarve dhe të paraburgosurve ishin të përfshirë edhe punonjës të sigurisë, përgjegjës të godinës dhe të regjimit të ashpër, 41 Bis në këtë IEVP.
“Është konkluduar se personat, që ndodhen në Zyrën e Informacionit, referojnë veprimet e shtetasit R. A., i cili i kishte futur pije alkoolike, uiski, të paraburgosurit Sokol Sanxhaktari dhe se nga identifikimi ky shtetas është përgjegjës i godinës së paraburgimit dhe i 41 Bis”, – shkruhet në dosjen hetimore.
Kurth dhe drogë
Ish-shefi i policisë në burgun e Peqinit, Mariglen Kadiu, është i pezulluar nga detyra. Ai është në masën e sigurisë “Detyrim për t`u paraqitur”, me akuzën se ndihmoi në një kurth mes të burgosurve, në mënyrë që njëra palë t’i ngarkonte një sasi droge palës tjetër.
Prokuroria e akuzon Kadiun se ka shpërdoruar detyrën, pasi është informuar nga të burgosurit për shpërndarjen e drogës, duke organizuar kontrolle në qeli, por nuk ka përpiluar asnjë dokument me shkrim dhe nuk e ka ligjëruar informacionin asnjëherë.
Shefin e policisë e implikon dëshmia e njërit prej të burgosurve të marrë nën hetim për shpërndarje të lëndëve narkotike. I dënuari ka pretenduar se e gjitha ishte pjesë e një kurthi dhe se i burgosuri, që i kërkoi atij që ta çonte dozën e lëndës narkotike në qelinë, ku u ushtrua kontroll, i kishte thënë se “asgjë nuk do ta gjente, pasi ai kishte folur me shefin e policisë”.
“Unë e kam pyetur disa herë se mos ka lidhje që të dënohen dhe ma ka konfirmuar se nuk dënohen, pasi “unë e kam folur me shefin e policisë”. Këtë gjë ma ka thënë shpeshherë, duke ma konfirmuar se “ka dijeni shefi i policisë”. Unë personalisht nuk e kam takuar”, – rrëfeu një i dënuar për hetuesit.
Shefi i policisë, Kadiu, u vu në masë sigurimi, në momentin që ishte në drejtimin e IEVP, Drenovë. Edhe në këtë burg ka akuza të dokumentuara për përfshirjen e tij në veprimtari të paligjshme me të dënuarit.
Të burgosur me rrjete sociale… nëpërmjet celularit
Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tregojnë se sendi i jashtëligjshëm më i zakonshëm, i gjetur nëpër qeli është telefoni celular, më pas, mjetet prerëse të improvizuara dhe të fundit, lëndët narkotike.
INA Media analizoi dhjetëra vendime të dënimit të të burgosurve për mbajtje të telefonave celularë dhe kuptoi se brenda qelive depërtojnë nga celulari më i thjeshtë, deri te markat e fundit.
Këqyrjet e tyre nga hetuesit tregojnë se si të dënuarit mbajnë kontakte me njerëzit e tyre, dokumentojnë jetën brenda qelive me foto, si dhe në disa raste, kur njëri prej tyre mbyll dënimin, telefonin ia trashëgon shokut, me të cilin ndan qelinë, por jo vetëm.
Ndërkohë, edhe pse dosjet hetimore, me përgjime, të ndjekura nga prokuroritë kanë treguar se skemat e shpërndarjes së lëndës narkotike janë të mirorganizuara dhe të zgjatura në kohë, rastet e goditura nga administrata e burgjeve në 3 vitet e fundit janë vetëm 23. Në të gjitha rastet të arrestuar kanë përfunduar familjarët e të dënuarve.
Për të njëjtën periudhë kohore të dhënat e siguruara nëpërmjet kërkesave për informim tregojnë se përgjegjës për futje të sendeve të palejuara në qeli janë gjetur 7 punonjës të burgjeve, të cilët janë pezulluar dhe më pas janë hetuar.
Ndërkohë, numri i procedimeve të regjistruara në të gjitha prokuroritë e vendit për futje të sendeve të palejuara është më i lartë se numri i gardianëve të hetuar dhe shpesh të pandehur përfundojnë vetëm të dënuarit dhe të paraburgosurit.
Numri më i lartë i procedimeve të hetuara është në vitin 2022 me 121 raste, 93 hetime në vitin 2023 dhe 70 në vitin 2021. Referuar të dhënave zyrtare, hetimet më të shumta për futje të sendeve në qeli i ka regjistruar Prokuroria e Shkodrës dhe ajo e Elbasanit.
Policia e Burgjeve, mungesat dhe trajtimi financiar
Mungesat në Policinë e Burgjeve prej vitesh kanë qenë një problem, i cili ka ndikuar në performancën në tërësi të kësaj strukture. Teksa të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve flasin për një zbutje të këtij problemi, ai mbetet evident.
Të dhënat zyrtare, të marra nëpërmjet kërkesës për informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, tregojnë se Policia e Burgjeve ka në organikën e vet 3.467 punonjës, me një mungesë prej 7% të numrit total të organikës së miratuar, pra mbi 242 efektivë në mungesë
Situata e vakancave edhe për kreun e Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj, mbetet problem.
“Mungesat në organikë janë një problematikë, që e ka shoqëruar ndër vite sistemin, pasi kemi patur edhe periudha shqetësuese në mbingarkesën e shërbimeve për stafin, që është jetëgjatë në sistem”, – tha Macaj.
Ai e sheh të nevojshme që autoritetet të krijojnë kushte, në mënyrë që të tërhiqen sa më shumë punonjës drejt Policisë së Burgjeve.
“Sindikata ka mbi 10 vite që ngre si shqetësim mbingarkesën e punës në Policinë e Burgjeve si pasojë e mungesave në organikë dhe rënies së konkurrencës për t`u rekrutuar, pa harruar që çdo vit kemi shumë kolegë që mbushin moshën e pensionit. Ndaj, krijimi i kushteve normale dhe rritja e pagës sipas gradave dhe sektorëve do të minimizonte vakancat dhe do të rriste interesin e kandidatëve të rinj për t`u bërë pjesë e Policisë së Burgjeve”, – shton kreu i sindikatës.
Por, sa është paga e një gardiani?
Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, marrë më 20 prill 2023, paga e një punonjësi të Policisë së Burgjeve, roli bazë, nis nga 59 mijë lekë për gradën aspirant dhe shkon deri në 68.500 lekë për gradën kryeinspektor.
Punonjësit e rolit të mesëm kanë paga që nisin nga 75 mijë lekë për nën-komisarët dhe 106 mijë lekë për krye-komisarët, ndërkohë paga për gradat e nivelit drejtues dhe drejtues i lartë, nga 123 mijë lekë deri në 133.700 lekë.
“Nuk është e pranueshme që një zyrtar të marrë pagë 2-3 herë më të lartë se një punonjës i rolit zbatues, pasi kështu krijojmë kushtet e stresimit dhe të mosbesimit për shumicën e burimeve njerëzore në sistem”, – e shikon kështu me shqetësim diferencën mes pagave kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj.
Për Macajn nuk ka një përgjigje të prerë, nëse pagat e ulëta ndikojnë ose jo në përfshirjen e gardianëve në krim, por kërkon që kushtet e punës së gardianëve të përmirësohen.
“Nuk mund të justifikohemi për kosto, që përballohen krejt lehtë nga buxheti i shtetit.
Në 12 orë shërbim duhet të ketë ujë e ushqim për të përballuar me sukses detyrën e vështirë dhe stresuese në burgje. Jemi në vitin 2024 dhe s’kemi pse të hezitojmë apo të fshihemi pas interesave të ngushta dhe situatave të rëndomta, politike, – thotë ai, teksa shton se, – stafi duhet motivuar për të ruajtur një klimë të qëndrueshme në burimet njerëzore. Detyrën e vështirë në burgje nuk vjen asnjë nga jashtë që ta kryejë, përveçse këtij grupi vital punonjësish, që akoma i kemi në sistem”.
A paguhet për një vend punë në burgje?
Stavri Kosta, një ish-punonjës i burgjeve, pasi ishte liruar nga detyra në vitin 2018, në vitin 2020 kërkoi të kthehej sërish. Siç vetë iu rrëfeu hetuesve të Prokurorisë së Posaçme, për ta realizuar këtë ai kishte bërë disa takime dhe iu kishte dhënë 3 mijë euro dy personave, Agron Ballës dhe Klodian Gjeçit, të dy të hetuar se kishin ushtruar ndikim të paligjshëm për vendin e punës.
Në dosjen e SPAK-ut që INA Media lexoi, rezulton që hetuesit gjetën disa mesazhe në telefonat e të hetuarve, ku flitej për sigurimin e vendit të punës dhe më pas tërheqjen nga plani, pasi Stavri Kosta kishte vendosur të mos i vijonte përpjekjet e tij për t`u rikthyer në detyrë. Ish-efektivi i burgjeve i rrëfeu hetuesve që pasi ishte konsultuar me një drejtues të burimeve njerëzore në një prej IEVP-ve në vend, nëse ia vlente rikthimi, kishte marrë si përgjigje që jo, pasi nuk do t`i bënte dot lekët, që po hidhte për vendin e punës.
Pas këtij momenti dy personat e hetuar nga SPAK i kanë rikthyer shumë monetare shtetasit Stavri Kosta. Hetimet për këtë dosje nisën pas referimit që kishte bërë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje.
“Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve kanë mbledhur informacione dhe të dhëna se punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve mundet që të kenë kërkuar apo të kenë marrë përfitime të parregullta, materiale në këmbim të punësimit të personave të tjerë në sistemin e burgjeve”.
Dy të hetuarit në këtë dosje kanë pranuar fajësinë dhe në mars të vitit 2024 Gjykata e Posaçme i dënoi ata për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm” me nga 10 muaj burgim.
/INA MEDIA
Discussion about this post