Nga Prof. Dr. Kadri Kryeziu
Në vitin 2013, kur u nënshkrua marrëveshja e parë në mes të Kosovës dhe Serbisë, isha anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Duke parë diskutimet e shumta, përfshirë edhe ato tërësisht paushallë, konsideroj që, në cilësinë time si ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por edhe si një veprimtar i hershëm i kauzës sonë popullore, duhet që t’i shpreh disa mendime mbi çështjen e asociacionit/bashkësisë, përfshirë edhe ngërçin aktual që kjo ka krijuar në dialogun me Serbinë.
Fillimisht dua ta bëj të qartë që e kuptoj drejt qasjen hezituese të Kryeministrit Albin Kurti në raport me dialogun me Serbinë. Në aspektin politik, ky hezitim është tërësisht i justifikuar. Serbia nuk është dhe as që ka qenë ndonjëherë e interesuar për një marrëveshje serioze me Kosovën. Kryeministri Kurti ka plotësisht të drejtë në pohimin e tij që Serbia synon prolongim të çështjes kryesore, pra atë të njohjes së Kosovës si shtet, ndërkohë që dëshiron të marrë sa më shumë koncesione. Ky detaj, pra ai i marrjes së koncesioneve të vazhdueshme, e bart çështjen nga rrafshi politik në atë juridik, gjegjësisht në rrafshin kushtetues. Koncesionet që prekin harmoninë e rendit kushtetues të Kosovës nuk kanë asnjë qëllim tjetër, pos gërryerjen e themeleve të shtetit të Kosovës. Fakti që asnjë qeveri nuk ka punuar seriozisht në implementimin e marrëveshjes mbi asociacionin/bashkësinë është tregues që kryeministrat Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj ishin të vetëdijshëm për rrezikshmërinë që paraqet menaxhimi jo i mirë i procesit. Por, dhe këtë duhet thënë me plot gojë, kjo situatë, tërësisht e trashëguar, nuk e amniston kryeministrin Kurti nga përgjegjësia e tij që kësaj çështjeje t’i japë një drejtim.
Çështja e asociacionit është kthyer në një mollë sherri në mes të Kosovës dhe aleatëve tanë, si dhe ka krijuar një situatë ku Serbia po mban pozitën e palës konstruktive, kinse e interesuar për dialog, ndërkaq Kosova po duket si pala që shkakton probleme. Kjo është absurde! Nëse edhe Kurti qëndron në vendnumëro, pra nëse nuk e gjen një mënyrë të dalë nga kjo situatë e pafavorshme atëherë, në këtë pikë, nuk dallon shumë nga pararendësit e tij.
Në mendimin tim, kryeministri Kurti duhet të dalë nga diskursi politik i trajtimit të çështjes së asociacionit/bashkësisë, në mënyrë që çështja të trajtohet tërësisht me mekanizma juridik, pra brenda kornizës që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Në momentin që edhe pala serbe ka pranuar Gjykatën Kushtetuese si një arbitër final, korniza e përcaktuar nga kjo gjykatë është rruga e vetme që duhet ndjekur.
Kushtetuta e Kosovës është e qartë: marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara në Kuvend, kanë epërsi mbi ligjet e Kosovës, por jo edhe mbi kushtetutën e vendit. Aktgjykimi KO 130/15 e riafirmon këtë normë kushtetuese. Një marrëveshje ndërkombëtare, d.m.th as ajo e vitit 2013, nuk mund ta ndryshojë rregullimin kushtetues të pushtetit në Kosovë, pra, për aq sa është në fuqi kjo kushtetutë, njësitë e pushtetit në Kosovë janë vetëm komunat dhe pushteti qendror. Në frymë të këtij fakti kushtetues aktgjykimi KO 130/15, gjykon që një asociacion i mundshëm i komunave me shumicë serbe duhet të jetë i rangut të njëjtë me atë të asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës, pra një OJQ dhe assesi një nivel i tretë i pushtetit.
Duke listuar të gjitha implikimet kushtetuese, aktgjykimi KO 130/15 në mënyrë indirekte e ka shpalosur esencën e problemit me marrëveshjen rreth asociacionit/bashkësisë së komunave serbe. Më saktë fjala është për përdorimin e binomit asociacion/bashkësi. Këto dy nocione nuk janë të barasvlershme, prandaj konsideroj që Gjykata është dashur të përcaktojë nocionin e saktë që duhet përdorur. Kolegët e mi nga Gjykata Kushtetuese e dinë që përcaktimi i përkufizimit të qartë është çështje themeltare në çdo normë apo tërësi normash juridike.
Së pari rreth asociacionit: Sipas kushtetutës, aktgjykimit KO 130/15 dhe ligjeve të Kosovës, nëse ndiqet modeli i asociacionit ekzistues të komunave, themelimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk ka nevojë për ndërhyrje nga Qeveria apo ndonjë institucion tjetër. Komunat e Kosovës, si persona juridik, gëzojnë të drejtën e asociimit, pra ato janë tërësisht në të drejtën e tyre që të themelojnë një organizatë brenda të cilës ato mund të koordinojnë veprimtarinë dhe interesat e tyre të përbashkëta. Qeveria nuk mund të lejojë apo të mohojë të drejtën e komunave, përfshirë edhe atyre me shumicë serbe, që të themelojnë një organizatë për promovimin dhe zhvillimin e interesave të tyre të përbashkëta. Pra, akti juridik i Qeverisë së Kosovës, për themelimin e Asociacionit, të cilit i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, nuk është i një rëndësie esenciale.
Tani rreth bashkësisë: nocioni “Bashkësi” (srb. Zajednica) nënkupton një entitet të shtrirë horizontalisht dhe vertikalisht, pra një organizim i ri i pushtetit. Krijimi i një entiteti të tillë kërkon garanci shtesë ligjore, përfshirë edhe me ligj kushtetues. Sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, themelimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është i pamundur pa ndryshime kushtetuese. Për themelimin e një entiteti të tillë, Qeveria me patjetër duhet të nxjerrë një akt juridik, ku, ndër të tjera, duhet të parashihen procedurat për ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar çështjen brenda kornizës që nënkupton nocioni “asociacion”, por, realisht, problemi/ngërçi rrotullohet brenda kornizës që nënkupton nocioni “bashkësi”. Duke marrë parasysh që aktgjykimi KO 130/15 ka karakter këshillues, konsideroj që gjykata është dashur ta sqarojë edhe implikimet kushtetuese të nocionit “bashkësi”.
Në këtë pikë të shqyrtimit, duhet shtruar pyetjet është çfarë dëshiron Serbia, çfarë dëshiron bashkësia ndërkombëtare dhe çfarë është e gatshme që të japë Kosova?
Është e qartë që Serbia dëshiron një bashkësi komunash me një territor të caktuar dhe një strukturë ekzekutive që e udhëheq atë, pra një entitet që nesër mund të synojë shkëputjen nga Kosova. Thënë këtë, do të ishte mirë që të kuptohet çfarë dëshiron bashkësia ndërkombëtare? Është detyrë e qeverisë, por edhe e opozitës, si një qeveri e deridjeshme, të japë përgjigje në këtë pyetje.
Dhe më e rëndësishmja, si Kosovë, qeveri, opozitë dhe të tjerë, duhet të vendosim nëse jemi të gatshëm për koncesione shtesë, përtej pakos së Ahtisarit. Në rast që ka prirje në favor të koncesioneve të reja atëherë duhet shtruar edhe pyetjen, a do të mjaftojë ky koncesion shtesë që Serbia ta njohë Kosovën?
Pra, siç shihet nga trajtimi më lart, çështja nuk është aspak e lehtë (fundja sikur të ishte e lehtë do të zgjidhej nga pararendësit e kryeministrit Kurti), por kjo nuk do të thotë që Kryeministri Kurti duhet të vazhdojë të qëndrojë në pozitën ku ai duket sikur refuzon çdo iniciativë të miqve tanë. Ky qëndrim në këtë qoshe të vendnumërimit është i rrezikshëm për Kosovën, por edhe për vetë të ardhmen politike të kryeministrit Kurti.
Para se të vazhdoj më tutje duhet të them që në asnjë mënyrë dhe rrethanë, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë procedurat për tërheqjen nga marrëveshja e vitit 2013, siç po sugjerojnë disa përfaqësues politik nga opozita e tanishme. Kjo rrugë është e rrezikshme, pasi që asociacioni/bashkësia është vetëm një nga pikat e marrëveshjes së vitit 2013. Tërheqja nga marrëveshja rrezikon zhbërjen e integrimit të komunitetit serb në sistemin e Kosovës, një proces që tashmë ka ecur para. Në vend të veprimeve ekstreme, duhet analizuar mirë rrugët ekzistuese ligjore, duke filluar nga identifikimi i saktë i përgjegjësisë ligjore të Qeverisë së Kosovës në procesin e zbatimit të marrëveshjes mbi asociacionin.
Sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015, në procesin e themelimit të asociacionit janë të përfshirë këto institucione: Qeveria e Kosovës, që bën propozimin e statutit të asociacionit, Gjykata Kushtetuese që shqyrton ligjshmërinë e statutit dhe vetë komunat që duhet të bëjnë themelimin faktik të asociacionit. Pra, obligimi ligjor i Qeverisë së Kosovës përfundon në momentin kur Qeveria propozon draft-statutin e asociacionit/bashkësisë. Sa i përket çështjes së themelimit të asociacionit/bashkësisë, Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë obligim tjetër ndaj marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ky fakt i qartë juridik nënkupton që para kryeministrit Kurti është vetëm një rrugë e veprimit.
Duke u bazuar në përfundimet e aktgjykimit KO 130/15, Qeveria duhet të aprovojë një akt juridik, ku propozon statutin e një asociacioni në përputhje me normat ligjore për lirinë e asociimit, si dhe ku zotohet që të njëjtin do të mbështesë me fonde e programe shtesë. Me kaq përfundon obligimi ligjor që kryeministri Kurti ka përballë marrëveshjeve nga 2013 dhe 2015. Në aspektin juridik, sa i përket obligimeve të kryeministrit Kurti, ky veprim e mbyll çështjen sepse, askund në marrëveshje nuk thuhet që Qeveria e Kosovës e ka obligim që të bindë palën serbe për ta pranuar statutin e propozuar.
Nëse komunat me shumicë serbe e refuzojnë këtë propozim statut, pra refuzojnë që organizata e tyre të jetë e barabartë me organizatën simotër, atëherë përfaqësuesit legjitim të serbëve të Kosovës janë të lirë që të iniciojnë procedurat për ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Të kërkosh ndryshimin e kushtetutës, sipas procedurave të parapara me kushtetutë, është tërësisht legjitime. Por, nëse Gjykata Kushtetuese, që duhet të shqyrtojë çdo amendament kushtetues, apo më vonë Kuvendi i Kosovës i rrëzojnë këto amendamente, kjo çështje nuk është përgjegjësi e Qeverisë, rrjedhimisht Kosova nuk mund të fajësohet për këtë.
Kryeministri Kurti, si njeriu më i votuar ndonjëherë në historinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, e ka mandatin që ta nxjerrë Kosovën nga kjo pozitë e pafavorshme ku aktualisht gjendemi. Në vlerësimin tim kjo bëhet duke përmbyllur obligimet ligjore që Qeveria i ka përballë marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Vetëm një përmbyllje juridike e çështjes krijon një situatë të re faktike, ndërkaq kjo situatë e re e krijon hapësirën e nevojshme për një dialog të ri me aleatët tanë, ku kryeministri, por jo vetëm ai, duhet të bindë miqtë tanë për domosdoshmërinë e një qasjeje të re ndaj Serbisë dhe apetiteve të saj destruktive.
Discussion about this post