Banorët në Havai janë ankuar se sirenat e paralajmërimit të hershëm dështuan të funksiononin në rastin e zjarreve vdekjeprurëse që shpërthyen në Maui, duke u marrë jetën të paktën 106 banorëve. Ndërsa ndryshimet klimatike shkaktojnë zhvillime ekstreme të motit, vendet në mbarë botën po kërkojnë mënyra më efektive për të paralajmëruar qytetarët në rast rreziku.
Qyteti Lahaina në Maui, i njohur për gjallërinë dhe turizmin, tani është kthyer në gërmadhë. Një javë më parë, zjarret shkrumbuan qytetin bregdetar duke u marrë jetën rreth 106 njerëzve. Sydney Carney i mbijetoi zjarrit, por shtëpia e saj u shkrumbua. Sikurse shumë njerëz në Lahaina, ajo thotë se nuk kishte asnjë paralajmërim zyrtar për fatkeqësinë, apo udhëzime për të vepruar, duke e bërë të pamundur që shumë njerëz të largoheshin.
“Zakonisht, në rast uraganesh ata lëshojnë sirenat e alarmit. Kjo nuk ndodhi për zjarrin. Njerëzit lajmëruan njëri-tjetrin që të evakuoheshin. Kjo është arsyeja se pse ishin grumbulluar kaq shumë njerëz në rrugën kryesore përgjatë bregdetit, sikur ishin nën efektin e tymit”, thotë Sydney Carney, banore e qytetit Lahaina.
Por moti ekstrem, si zjarret apo përmbytjet, ka të ngjatë të bëhet një dukuri më e zakonshme ndërsa ndryshimi afatgjatë i klimës i shkaktuar nga dora e njeriut vazhdon të ndikojë në sistemet globale të motit.
Ekspertët thonë se u takon autoriteteve që të zhvillojnë sisteme për t’i mbrojtur njerëzit kur ata rrezikohen nga fatkeqësi si kjo e fundit. Profesori Chris Hilson drejton Qendrën për Klimë dhe Drejtësi në Universitetin Reading të Anglisë
“Autoritet duhet të përpiqen t’i bëjnë komunitetet më të vetëdijshme lidhur me këto rreziqe. Pjesë e planifikimeve duhet të jetë edhe krijimi i një zone që bllokon depërtimin e zjarreve dhe ndërtimi i sistemeve të përshtatshme të paralajmërimit të hershëm”.
Profesori thotë se sistemet paralajmëruese duhet të jenë më shumë sesa thjesht një sirenë. Këto sisteme duhet të udhëzojnë njerëzit se çfarë duhet të bëjnë, thotë ai.
Shtetet në mbarë botën kanë hartuar plane sesi duhet të veprojnë në rast se pritet një ngjarje ekstreme. Qeveritë rajonale në Spanjë menaxhojnë rreziqet si zjarret, thatësira apo përmbytjet. Kjo qendër në Barcelonë është përgjegjëse për Katalonjën.
Imma Soler, nëndrejtoreshë për koordinimin dhe menaxhimin e emergjencave, thotë se ndryshimet klimatike po shtojnë më shumë barrën e punës për ekipin e saj.
“Moti po bëhet gjithnjë e më ekstrem. Kur nuk bie shi kemi thatësirë. Kur bie shi, mund të kemi stuhi të fuqishme dhe reshje të dendura brenda një kohe të shkurtër. Këto zhvillime po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe duhet të merren parasyshë”.
Që nga viti i kaluar, rajonet spanjolle kanë filluar të përdorin sistemin evropian për paralajmërimin e banorëve në zonat e rrezikuara përmes mesazheve në telefonat celularë.
Ishujt Filipine janë të prirura ndaj fatkeqësive natyrore. Rreth 74% e popullsisë është e ekspozuar ndaj rreziqeve si përmbytjet, ciklonet, thatësirat, tërmetet, cunami dhe rrëshqitjet e dheut, sipas Bankës Botërore.
Këshilli Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë vepron si koordinatori kryesor i menaxhimit të të gjitha fatkeqësive në Filipine. Këshilli është përgjegjës për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e njerëzve gjatë fatkeqësive ose emergjencave, thotë zëdhënësi Edgar Posadas.
“Kemi mesazhe të paralajmërimit të hershëm gjatë fatkeqësive, tajfuneve, përmbytjeve apo edhe tërmeteve. Të gjitha këto realizohen në koordinim me qeverinë, ushtrinë dhe degë të tjera”.
Ai thotë se është shumë e rëndësishme që mesazhi të formulohet në mënyrë të tillë që të kuptohet nga të gjithë. Përdorimi i një gjuhe të zakonshme kuptohet më lehtë nga njerëzit dhe më shumë jetë mund të shpëtohen./VOA
Discussion about this post