Situata ekonomike e familjeve shqiptare është si në mesjetë, detyrohen të marrin borxhe për të blerë ushqime, ose të blejnë ‘me listë’. Banka e Shqipërisë ka publikuar një raport ku ndodhen të dhënat e grumbulluara për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, në të cilin janë intervistuar 248 familje në qytete të ndryshme të vendit.
Ndërkohë ajo që bie në sy është se nga këto familje pjesa më e madhe raportojnë se kanë marrë para borxh (në kredi ose hua tek familjarët) për të siguruar vaktet ushqimore, madje një vend të konsiderueshme zë edhe marrja e borxhit për trajtime mjekësore. Konkretisht 23% e borxhit merret nga familjet shqiptare për procedura mjekësore, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me vjet kur kjo shifër ishte 7%. Çka edhe njëherë në vërteton se nuk kemi shëndetësi falas.
“Qëllimi kryesor i huamarrjes mbetet: ‘për konsum’ në 35% të rasteve të huamarrjes, ‘për blerjen/riparimin e një prone’ në 19% të rasteve dhe për ‘zhvillim biznesi’ në 18% të rasteve. Pesha e rasteve të huamarrjes për blerje/riparim prone dhe zhvillim biznesi kanë shënuar rritje si në terma gjashtëmujorë ashtu edhe në terma vjetorë, ndërsa pesha e rasteve të huamarrjes për “konsum” ka rezultuar në rënie në të dy periudhat (respektivisht me 3 pp dhe 2 pp). Nga ana tjetër, zëri “studime” dhe zëri “tjetër”, (ku përfshihen përgjithësisht rastet e huamarrjes për procedura mjekësore), vijojnë të zënë peshë të konsiderueshme”.
Familjet tregojnë se detyrohen të marrin borxh në banka, por më së shumti tek familjarët që kanë në emigrim. Ndërsa nuk mungojnë as rastet ku deklarojnë se janë në borxhe me mall të pa paguar, pra blejnë ushqime me listë.
Po të shohim në tabelë, duket një përmirësim në raport me muajt e fundit të viti 2023, ama gjendja është më keq se në vitin 2019.
Disbalancë mes të ardhurave dhe kostove të jetesës
Situata është alarmante dhe për të sqaruar më në detaj pse jemi në këtë gjendje, kur çdo ditë na raportohet nga drejtuesit tanë se po ritet mirëqenia e jetesës, Gijotina.com ka kontaktuar me eksperten e ekonomisë Romina Radonshiqi. Ajo shprehet se familjet shqiptar zhyten në borxhe pasi kostot e jetesës po rriten në ritme më të shpejta se sa pagat.
Vetëm për një qytetar në tiranë kostot e jetesë shkon mi 66 000 lekë, pa përfshirë këtu shpenzimet e qirasë, të cilat nisin nga 250 euro.
Radonshiqi theksoi se në pikën më kritike janë pensionistët pasi nuk arrijnë të blejnë as ushqimet nëse nuk ndihmohen nga fëmijët me remitanca.
“Referuar të dhënave zyrtare 40% e te ardhurave te familjes Shqiptare shkon për shpenzime për konsum, ky është një tregues që niveli i pagave ne Shqipëri është i ulet ne krahasim më kosto e jetesës. E njëjta e dhëne vjen dhe nga Numbeo që tregon qe Kosto e jetesës se një individi që jeton ne Tiranë është 66,838.9Lek (pa përfshirë qiranë) ndërsa për një familje (me 4 anëtar) është 240,631.5Lek (pa përfshire Qiranë).
Në pamundësi për të mbyllur muajin shumica e familjeve me te ardhurave nën mesatare marrin hua për konsum ose kërkojnë ndihmën e të afërme. Situata me kritike paraqitet për pensionistet, pasi ato e kanë të pamundur të bëjnë një jetesë modeste pa ndihmën e remitancave apo të afërmve”, sqaron ekspertja.
Sakaq ajo shpjegon se qytetarët që jetojnë në Tiranë janë ata që detyrohen të zhyten në borxhe edhe kur vjen fjala për konsum, pasi kosto e jetesës është më e lartë.
Sipas saj në Tiranë shpenzimet për qiranë rriten cdo vit dhe kjo rrjedhimisht rrit koston menjëherë. Pra jemi në kushtet kur me këto nivele pagash familjet shqiptare nuk mbulojnë dot as nevojat fiziologjike.
“Theksojmë se Shqipëria renditet në një nga vendet e rajonit me pagën mesatare dhe atë minimale më të ulët. Sigurisht më shumë vështirësi ka në Tiranë, kur kosto e jetesës është më e lartë, pasi edhe pjesa më e madhe e popullsisë është përqendruar në kryeqytet. Në çdo vit niveli i qirasë së apartamenteve është në rritje dhe kjo shton kostot për qytetarët, kur flasim për shpenzimet bazike, pasi strehimi është një nevojë fiziologjike”, theksoi Radoshniqi.
Edhe bizneset në borxhe
Sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë, edhe bizneset janë zhytur në borxhe. Shumë ndërmarrje në vend marrin kredi për të pagur stafin. Konkretisht, 22% e sipërmarrjeve të këtij sektori thonë se e kanë borxhin më të lartë se kapitalin e tyre.
“Rreth 81% e ndërmarrjeve pohojnë se vlera e huasë që kanë është sa 50% e kapitalit të tyre. 12% e ndërmarrjeve të pyetura që raportojnë për vlerë huammarje të njëjtë me vlerën e kapitalit, dhe më problematike është situata për 7% të bizneseve që e kanë huanë më të lartë se kapitalin e tyre”, theksohet në raportimin e BSH.
Gjatë kësaj periudhe kërkesa më e madhe për financim është regjistruar tek sipërmarrjet e mesme dhe të vogla. Po ashtu bizneset janë shprehur se është rritur edhe kostoja e punës, duke sqaruar se janë detyruar të bëjnë rritje pagash për punonjësit në kushtet kur mungon stafi.
Punoi: Esmeralda Hida
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post