Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, abuzon me fondet e përcaktuara për sportistët elitarë dhe për mësuesit. Shpesh herë sportistët në vendin tonë ankohen për kushtet e vështira në të cilat stërviten, për pagat e ulëta. Por tani evidentojmë se ata nuk marrin as shpërblimin që meritojnë. Të gjithë këto vërtetohen në raportin e fundit të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas auditimit nuk zbatohet ligji për të lëvruar shpërblimin e përcaktuar për sportistët elitarë. Në raport evidentohet se mungon një bazë të dhënash tip e miratuar. E cila të japë informacion analitik për procedurën e shpërblimit të sportistëve elitarë. Me qëllim transparencën dhe kontrollin e tyre. Më saktë, ministrja fsheh numrin e sportistëve që përfitojnë këtë shpërblim, sa është shuma që u jepet. Si dhe nëse këto para shkojnë vërtetë tek ata që e meritojnë.
“Ligji Nr. 79/2017 “Për sportin” i ndryshuar nuk parashikon afate ligjore në të cilën kalon procedura e shpërblimit të sportistëve elitar. Duke filluar nga shpallja e rezultateve zyrtare, përgjigja zyrtare për testet antidoping nga organizmat përkatës njohura me ligj deri në finalizimin për dhënie e shpërblimit, si dhe mos parashikimi i të drejtën së ankimit dhe organit që e shqyrton, në rastet kur kërkesa për shpërblim nuk pranohet, nuk merret në shqyrtim apo refuzohet”, thekson raporti.
Sipas KLSH, qëllimisht nuk listohen evenimentet dhe çmimet që fitojnë sportistet në këto raste, për të shmangur kështu shpërblimin e rregullt.
“Nuk është bërë verifikimi apo dhe të jetë shprehur në arsyetimin e kthimit të përgjigjes se eventi kampionati “IFBB DIAMOND CUP PORTUGAL & IFBB ELITE PRO ËORLD CHAMPIONSHIPS” (ku në kuptimin e përgjithshëm përfshihet në termin ”kampionat botëror”). Për sportistin fitues kërkohet shpërblimi, por referuar rregulloreve ndërkombëtare të këtyre veprimtarive, nuk figuron të jetë i përfshirë si event për të cilin ligji dhe VKM Nr.789, datë 15.12.2021 nuk parashikon shpërblim”, thuhet në raport.
Madje KLSH tregon se ka pasur ankesa nga ana e sportistëve për shpërblimet që nuk kanë marrë. Bëhet me dije se ata më herët kanë bërë ankesë pranë MAS, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe përgjatë një viti nuk iu është dhënë asnjë zgjidhje.
Abuzimi me shpërblimin e Erkand Qerimajt
KLSh ka evidentuar si një nga rastet e abuzimit, atë për kampionin e peshëngritjes Erkand Qerimaj. Sipas të dhënave atij nuk i është dhënë shpërblimi i plotë 7 milionë lekë (të reja), për shkak të abuzimeve me dokumentet. Sipas raportit, mungesa e dokumenteve vjen edhe nga Federata e cila nuk ka dorëzuar kërkesën për shpërblim të sportistit.
“Me Urdhrin Nr.269, datë 16.05.2022 është shpërblyer sportisti E.Q, në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritur zhvilluar në Moskë/Rusi më datë 03-11.04.2021 në shumën 400,000 lekë dhe trajneri tij Z.K, në shumën 160,000 lekë. Shpërblimin e sportistit E.Q, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të zhvilluar në Uzbekistan datë 07- 17.12.2021 në shumën 4,600,000 lekë. Dhe trajneri Z.K, në shumën 1,840,000 lekë, gjithsej në vlerën 7,000,000 lekë”, evdienton KLSH.
Gjithashtu, vetëm për shpërblimin që nuk iu është dhënë tre sportistëve për çmimet që ata kanë marrë dhe titujt që i sjellin sportit shqiptar, MAS u ka vjedhur mbi 28 milionë lekë (të reja). Sportistët që duhej të përfitonin këto para, nuk kanë marrë të gjithë shumën që duhej të përfitonin. Kjo për shkak të pasaktësive të dokumenteve.
Si vidhen mësuesit
Qeveria në dy vitet e fundit ka dalë në deklarata për indeksimin e pagës së mësuesve me 6%. Ministrja është shprehur se kjo është një ndihmë e madhe për të gjithë mësuesit në të gjithë vendin. Në realitet nuk mund të themi të njëjtën gjë për mësuesit në periferi apo në fshatra të thellë. Këta mësues janë të detyruar të marrin çdo ditë makinat apo autobusët për të zhvilluar mësim në fshatra, kur jo të gjithë pranojnë të punojnë atje. Sipas ligjit atyre duhet t’iu mbulohet transporti. Por, ky rregull nuk zbatohet.
Në raportin e KLSH evidentohet se mësuesve nuk iu bëhen rimbursime.
Konkretisht, bëhet fjalë për mësuesit e përfshirë nga ZVAP Librazhd. Për këta mësues ndryshe është çmimi i biletës që ata paguajnë dhe ndryshe çmimi i përcaktuar nga Bashkia Librazhd.
“Nga verifikimi i bërë në ZVAP Librazhd në përgjigje të ankesës së ardhur në KLSH si dhe në MAS mbi rimbursimin e plotë të çmimit të biletës së transportit të mësuesve që udhëtojnë në linjën Librazhd-Gorenjë dhe anasjelltas. Rezultoi se: Referuar Aneksit1, miratuar nga Bashkia Librazhd, distanca Librazhd-Orenjë në km është përcaktuar 24. Ndërsa çmimi i biletës në lek është përcaktuar 200 lekë. Ndërkohë që në VKM Nr. 146, datë 26.2.1998 m “Çmimet e bileta vetë transportit të udhëtarëve me autobus sipas distancës kilometrike” ka përcaktuar distancat dhe çmimet referuese”, thuhet në raport.
Kjo shkelje ligji ka sjellë referime të ndryshme çmimi për distanca të njëjta duke krijuar standarde të ndryshme për çmimin e biletës. Për të gjitha këto, KLSH kërkon që të merren masa urgjente pasi në këtë mënyrë vidhet çdo ditë.
Lexo edhe: KLSH rrëzon ‘100 fshatrat’, Raporti: Ministritë nuk u koordinuan
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post