Tenderat e Rindërtimit në Durrës vazhdojnë të ndahen me një grusht biznesmenësh të lidhur me Qeverinë dhe me kryebashkiaken Emiriana Sako. Ndërkaq procesi duket larg përfundimit. Pazaret mbulohen me propagandë, premtime, zvarritje, fushata dhe mashtrime.
Kjo situatë ua kthyer jetën në ferr banorëve të prekur nga tërmeti. Ata presin prej 7 vjetësh në banesa me qera, me bonus ose pa asnjë lloj ndihme, madje edhe pa asnjë lloj strehe.
Paratë arkëtohen në llogaritë private, ndërsa qytetarët shohin vetëm statistika. E tillë është gjendja edhe për të prekurit nga tërmeti në lagjen Nr.5, Durrës.

Nga momenti i fatkeqësisë deri në mars 2023, bonusi është financuar nga Ministria e Financave. Pas këtij muaji, financimi është ndërprerë dhe Bashkia nuk ka patur mundësi buxhetore për ta vijuar. Fondet janë orientuar drejt përfundimit të objekteve për të mundësuar dorëzimin e banesave.
Së fundmi, janë biznesmenët Astrit Gjikondaj dhe Dashnor Sinanaj që kanë marrë në dorë një kontratë afro 5 miliardë lekë për një pallat të dëmtuar në lagjen 5, në Durrës.
Tenderi i përfituar prej tyre është një model korrupsioni. Skema është dizajnuar nga Kryeministri Rama me një vendim të posaçëm dhe i manipuluar në mënyrë të sofistikuar në rastin konkret nga vartësit e Emiriana Sakos dhe Komisioni i Prokurimit Publik.
Bashkia Durrës për këtë projekt ka përdorur procedurën e prokurimit të llojit “Tender i Kufizuar (në kuadër të procesit të Rindërtimit). Me fjalë të tjera, fondi u jepet pa garë klientëve të kryetares Sako. Më konkretisht, objekti i kontratës është “Rindërtimi i Godinës Nr.32, “Fakle”, Rruga “Teodor Rupi”.

Vlera e përafërt e kontratës së nënshkruar më 8 shkurt 2026 është mbi 5 miliardë lekë pa TVSH (505,966,779).
Sipas dokumenteve, riparimi i pallatit do të marrë dy vjet, por dihet se si zvarriten punët publike, prandaj ky nuk është ndonjë afat i mirëqenë.
Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “ASI-2A CO” shpk me pronar Astrit Gjikondaj dhe “Z D R A V A” sh.p.k e administruar nga Dashnor Sinanaj.
Tenderi ka nisur më 19 shtator 2025 dhe ka vijuar me një manipulim në prapaskenë, që synon jo vetëm krijimin e situatës false të konkurrencës mes pjesëmarrësve, por edhe për ta ndarë vendimmarrjen me KPP-në. Dihet se ky institucion, pas shkarkimit nga SPAK të ish-drejtorit, Jonaid Myzyrit, drejtohet formalisht nga një nënkryetar, por është nën varësinë direkte të Kryeministrit Rama. Ky i fundit ka premtuar, që ta shkrijë KPP dhe t’ia kalojë ndarjen e tenderave ministres virtuale Diellës.

Në datën 19 shtator 2025, në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, është publikuar procedura e prokurimit “Tender i Kufizuar” me objekt “Rindërtimi i Godinës Nr.32, “Fakle”, Rruga “Teodor Rupi”, me fond
limit afro 5 milirdw lekw tw vjetra (505,966,779) pa TVSH.
Emiriana Sako e tronditur nga hetimet e SPAK ka kryer një manovër që e ka ndarë përgjegjësinë e vendimit me KPP. Kështu, në mënyrë të çuditshme, në datën 29 shtator 2025, komisioni i bashkisë qysh në fazën e e shprehjes së interesit i ka skualifikuar të gjitha kompanitë. Pra, firmat që i ka ftuar vetë në procedurën e kufizuar i shpall të skualifikuara. Këtu nis loja.
Nga dokumentet konstatohet se kanë shprehur interesin këto operatorë ekonomikë:
- Bashkimi i firmave “Lis Konstruksion” SHPK & “Viante Konstruksion” SHPK & “Llazo” SHPK
- Bashkimi i kompanive “Inerti” SHPK & “Ed Konstruksion” SHPK
- Bashkimi i operatorëve “Asi 2A Co” SHPK & “Zdrava” SHPK.
Në datën 13 tetor 2025, autoriteti kontraktor ka njoftuar operatorët ekonomikë, mbi rezultatet e vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, (short listing) ku ku secili rezulton “skualifikuar”. Për çdo pjesëmarrës renditen problemet me “mungesat në dokumetacion”. Në fakt, të gjitha janë kompani që kanë fituar rregullisht tenderat nga kjo bashki.
Dy nga pjesëmarrësit janë ankuar menjëherë në KPP. Në datën 16 tetor 2025, Komisioni i Prokurimit Publik merr vendimin tjetër akoma më të çuditshëm: Pezullim i “tenderit të kufizuar”.
Praktikisht të pezullosh procedurën që është “pezulluar” nga vetë komisioni bashkisë, do të thotë rihapje e tenderit me të njëjtët pjesëmarrës. E drejta do të ishte të rishpallej tenderi në Agjencinë e Prokurimit Publik. .

Djalli fshihet në detaje. Vendimi në vetvete është “detyrimi” i Bashkisë Durrës të shpallë fitues njërin pjesëmarrës.
Më pas, më 23 tetor 2025, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi:
- Të pranojë pjesërisht ankesën e bashkimit “Lis Konstruksion” SHPK & “Viante Konstruksion” SHPK & “Llazo” SHPK
- Të pranojë ankesën e BOE “Asi 2A Co” SHPK & “Zdrava” SHPK
- Bashkia Durrës të kryejë rivlerësimin e procedurës të procedurës së prokurimit.
Siç, vihet re, në vendim bëhet edhe një renditje, ku njërit operator i pranohet ankesa plotësisht, ndërsa tjetrit pjesërisht.
Në 4 nëntor 2025, Bashkia Durrës bën sërish vlerësimin e ofertave dhe të dy operatorët ekonomikë skualifikohen. Vendimi argumentohet me mungesat e kostatuara në personel dhe dokumente.

Të nesërmen nisi prapë loja në KPP. Nëpërmjet sistemit të ankesave elektronike pranë Komisionit të
Prokurimit Publik është administruar ankesa e bashkimit “Asi 2A Co” SHPK & “Zdrava” SHPK, që kondërshton skualifikimin. Operatori tjetër ka hapur krahun dhe nuk është ankuar për herë të dytë.
Sërish pezullim i tenderit, pazari vazhdon në Tiranë. Dhe më 13 nëntor 2025 merret vendimi final për rivlerësimin e ofertës së bashkimit të firmave të Dashnor Sinanajt dhe Astrit Gjikondajt.
Tashmë pas dy vendimeve, bashkia u gjend “e detyruar” të shpallë fitues dy biznesmenët.

Lidhur me tenderin ka dyshime se pjesëmarrëdit janë në marrëveshje me njëri tjetrin dhe me Emiriana Sakon. Kjo bazohet në faktin se protagonistët janë partnerë biznesi me njëri tjetrin.
Kështu, pala tjetër që u tërhoq në fillim të tenderit, kompania “Ed Konstruksion” ka qenë bashkë me “ASI 2A CO” shpk në “joint venture” në një tender të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan SH.A. Kontrata e firmosur më 27 janar 2025, me vlerë afro 2.8 miliardë lekë (278 535 468,00) është marrë në mungesë konkurrence. Tenderi është zhvilluar me vetëm një pjesëmarrës, që është bashkimi i këtyre firmave. Dhe për këtë arsye është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” korrupsioni.

Po ashtu, edhe kompania tjetër e palës “kundërshtare në këtë tender, “INERTI” shpk është partnere e vjetër me kompaninë fituese “Zdravo” shpk.
Sjellim këtu në vëmendje një tender të madh të Fondit Shqiptar të Zhvillimit që i është dhënë në 8 qershor 2020, bashkimit të “INERTI” shpk dhe “Zdravo” shpk.
Bëhet fjalë për Fondin e Programit të Rindërtimit.
Tenderi ka si objekt: “Rindërtimi i shkollave: Shkolla 9-vjecare + parashkollor Shtodhër dhe “Rindërtimi i objektit të ri me 4 kate mbi tokë, të shkollës shkolla e mesme profesionale “26 Marsi”, Njësia Administrative Helmes të Bashkisë Kavajë ”.

Kjo është një kontratë me vlerë afro 2.1 miliardë lekë ( 209,056,073) e cila është marrë me “Flamur të kuq” që sinjalizon riskun e korrupsionit.
Megjithëse tërmeti ka rënë para 7 viteve, kontraktimet për tenderat e Rindërtimit po bëhen në anashkalim me ligjin e Prokurimit.
Kryeministri Rama firmosi në atë kohë Aktin Normativ Ligj 97/2019, i cili hyri në fuqi si masë emergjencë për fatkeqësitë natyrore nga qeveria dhe vazhdon të mbetet në fuqi. Nëpërmjet këtyre procedurave ligjore, qeveria shqiptare i jep tenderat me procedurë të kufizuar, por në të njëjtën kohë kufizon konkurrencën.
Sipas Open Data ky Akt krijon kushtet për klientelizëm dhe korrupsion. Kontraktimet e Programit të Rindërtimit nga Bashkitë në vitet 2020-2023 përmes Aktit të mësipërm, arritën në total 59.08 miliardë lekë, ndërsa nga Fondi Shqiptar për Zhvillim në vlerën 32.76 miliardë lekë.
Rreth 22% e vlerave të kontratave të Rindërtimit janë fituar nga 10 biznese, ndërsa tridhjetë të parët kanë marrë 42% të vlerës. Mes këtyre kompanive të privilegjuara është edhe “Zdravo” shpk e Dashnor Sinanajt, që renditet e 13-a për vlerën e përfituar.
Pra, kryebashkiakja Sako, për rindërtimin e pallatit ka vazhduar të njëjtën skemë që është miratuar nga lart me të njëjtët personazhe.
gijotina.com/









Discussion about this post