Nga Genc Pollo
1-E kënaqura znj. Kos.
Me të drejtë deklarata e znj. Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin e Bashkimit Europian se “zgjedhjet (parlamenare të 11 majit ) ishin të lira e të ndershme por ne mirëpresim sugjerime për përmirësimin e tyre” shkaktoi habi e irritim dhe u dënua nga opozita. Të hënën fatmirësisht zëdhënësi i Komisionit Europian e korrigjoi Komisioneren duke ju referuar progres-raportit mbi Shqipërinë: në këtë tekst përmenden pothuaj të tëra shkeljet e vërejtura në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë; të tilla që asnjë mëndje, qoftë edhe gjysëm e shëndoshë, nuk mund t’i asocionte me konceptin “free and fair”.
Një tjetër deklaratë e znj. Kos, sa problematike aq edhe dëftuese, tërhoqi më pak vëmendje: e pyetur për rastin Balluku Komisionerja i tha A2 CNN se raste korrupsioni ka edhe në Europë por e rëndësishme është se si reagon gjyqësori dhe politikanët. “Dhe unë jam e kënaqur të dëgjoja sot se qeveria do të zbatojë vendimet e gjyqësorit (will follow the decisions from the judiciary)”. Znj. Kos e dha këtë intervistë mbas konferencës së shtypit me KM Rama ku ky i fundit shprehu pakënaqsinë e mosdakordësinë e tij për vendimin e GjKKO që pezulloi ministren Balluku, por dhe njoftoi se do i kërkonte Gjykatës Kushtetuese anullimin e këtij vendimi që ishte tashmë efektiv. Kushdo që njeh kontekstin dhe që supozon se edhe znj. Kos e njeh kontekstin do të konkludonte se Komisionerja:
a- ishte e kënaqur që një ministër qëndron në post tre javë mbasi është e marrë e pandehur dhe mbasi kanë dalë në shesh pasazhe tronditëse nga dosja penale;
b- ishte e kënaqur që ministri nuk jep dorëheqjen as kur Gjykata e pezullon nga posti për disa shkaqe përfshi recidivizmin e mundshëm me tenderat(!).
c- ishte e kënaqur që kryeministri nuk e shkarkoi ministrin as para tre javësh (marrje e pandehur) e as para tre ditësh (pezullim nga posti) por përkundrazi e kthen veten në avokat personal të të pandehurës dhe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me arsyetimin interesant e dëftues se pezullimi, ndër të tjera, pengonte integrimin e Shqipërisë në BE.
Me dashamirësi mund të thonim se deklarata e Marta Kosit mund të ishte një formulim spontan i pazhdërvjellët; po ashtu mund të shtonim pa sarkazëm se respektimi nga Rama i pezullimit të ministres nga gjykata është progres krahasuar me injorimin dy vjet më herët të Gjykatës Kushtetuese në rastin Xhaçka. Por dashamirësia kufizohet kur zyrtarë të tjerë të Komisionit Europian, jo vetëm nuk e korrigjojnë “lapsusin” e Komisioneres, por e thellojnë atë. Kështu Ambasadori i BE në Shqipëri në një intervistë me Top Channel një javë para vizitës së znj. Kos i pyetur për rastin Balluku reagoi duke përmëndur vetëm parimin e “prezumimit të pafajsisë”. Edhe për të, si për shefen e tij, parimi i përgjegjësië shtetërore, i llogaridhënies së pushtetit, i qeverisjes së mirë dhe i besimit të publikut nuk vlenin të përmëndeshin në rastin e ministres Balluku e KM Rama. As nuk e panë me vend të shprehnin konkretisht përkrahje për magjistratët e kësaj dosjeje, të cilët ndryshe nga ata të dosjes Veliaj, nuk janë përballur vetëm me logore verbale, por me kërcënime fizike personale e familjare.
Znj. Kos e ambasadori mund të ishin përgjigjur me frazat standarte të progres-raporteve si “Luftimi i korrupsionit është një kusht madhor për Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në BE” ose “Shqipëria duhet të bëjë më shumë parandalim të korrupsionit dhe jo vetëm ndjekje penale”. Mund të kishin thënë edhe se nuk komentojnë rastet individuale e ta linin me kaq. Por ata fatkeqësisht dhanë përshtypjen se ishin në krah të Ballukut dhe të Ramës që mbron Ballukun. Një sjellje e tillë përforcon perceptimin se për një kategori burokratësh të Brukselit vlerat si ligjshmëria e demokracia janë variabla në ekuacionet e oportunizmit.
2-Si u kthye në Serbi kënaqësia në pakënaqësi










Discussion about this post