Ministria e Mbrojtjes ka hapur një tender konsulence për dëmet e shkaktuara helikopterëve dhe pas dy muajsh pritet hapja e gjyqit ndërkombëtar ndaj kompanive të mirëmbajtjes.
Më konkretisht është Komanda e Forcës Ajrore e cila ka shpallur ditën e sotme prokurimin me numër të referencës REF-77498-08-15-2023 me objekti të kontratës: “Blerje e shërbimit të konsulencës për vlerësimin e dëmit të ardhur nga mosrealizimi i kontratave të shërbimit të mirëmbajtjes së helikopterëve”.
Fondi limit është 1,999,334 lekë pa T.V.SH. Ndërkohë realizmi i konsulencës duhet bërë brenda dy muajsh dhe ofertat priten jo më larg se data 30 gusht 2023.
Bëhet fjalë për helikopterët francezë Cougar, të cilët u blenë nga qeveria “Berisha” në 2010 dhe që aktualisht nuk funksionojnë.
Në verën e vitit 2022, ministri Peleshi i pranoi pjesërisht para mediave problemet me kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve “Cougar”. “Disa nga kontratat janë nonperforming,” tha Peleshi, duke veçuar si “më skandaloze” rastin e helikopterit që bëri ulje të detyruar në Itali më 29 korrik 2019.
“Mund të ishin bërë kontrata më të mira, nuk kemi asgjë për të fshehur,” shtoi Peleshi, i cili indirekt ia faturoi këtë problem paraardhëses së tij Olta Xhaçka.
Historia e kontratës sipas Peleshit
Me 27 qershor 2023, Peleshi u detyrua ta raportonte çështjen në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. “Dihet tashmë që ka një problematikë me një helikopter “Cougar” që prej gushtit të vitit 2020, në mos gaboj, i cili ka bërë një ulje të detyruar në Itali, deklaroi Peleshi. -Ne kemi pasur një kontratë me një kompani mirëmbajtjeje franceze, nuk po ia them emrin për të mos bërë ndonjë gabim dhe për të mos i dëmtuar imazhin, e cila bëri mirëmbajtjen e këtij helikopteri, por nuk arriti ta sillte në Shqipëri dhe bëri një ulje të detyruar në Itali”.
Peleshi paralajmëroi se çështja do të përfundonte në gjyq, por u shfaq i pasigurtë për rrugën e zgjidhjes. “Këtu ne kemi një çështje shumë të komplikuar dhe, nëse kontribuoni me ndonjë ide, do të isha shumë falënderues se si mund ta zgjidhim më mirë. Pra, kjo kompani pretendon se helikopteri nuk është ulur për shkak të saj, ndërkohë që ne pretendojmë se është ulur për shkak të problemeve të kompanisë franceze. Për këtë arsye do të duhej një palë e tretë dhe u kontraktua si palë e tretë filiali i “Airbus”, që është prodhuesi i helikopterit “Cougar”,
kompani e cila tani duhet të bëjë inspektimin dhe të bëjë raportin e ekspertizës për të nxjerrë se cilat janë shkaqet dhe faji i kujt është, a është i mirëmbajtjes apo jo, sepse ka një faturë që
duhet paguar, të cilën ne nuk e kemi pagur dhe me shumë gjasa mund ta ndajë mbase një proces gjyqësor. Nuk dua të paragjykoj se si do të shkojë kjo çështje, se mbase mund të ketë
mirëkuptim nga kompania franceze pas aktit të ekspertimit, por në rastin më të keq do të shkojë në një proces gjyqësor. Ndërkohë, Peleshi tregoi se pala shqiptare nuk kishte akoma ekspertizën për këtë çështje. “Në një proces gjyqësor nuk shkon dot me duar në xhepa, por duhet të shkosh me dokumentacion të certifikuar nga kompani të certifikuara. Këtu kemi ngecur dhe, me të gjitha përpjekjet tona diplomatike, politike, të drejtorisë sonë të modernizimit, të shtabit tonë, por edhe të atasheut tonë atje, nuk kemi arritur dot deri tani që ta përmbyllim në kohë këtë proces. Shpresat i kemi që të mbarojë deri në fillim të vjeshtës, por, nëse jo, tani po kaloj te një qëndrim, për të cilin unë jam i vendosur, po ju them se ne do të shkojmë drejt prishjes së kontratës dhe çuarjes aty ku kemi vendosur që t’i çojmë të gjithë helikopterët për mirëmbajtje
në NSPA, në Agjencinë e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimin”, sqaroi Peleshi në takimin me dyer të mbyllura në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.
Sipas procesverbalit të mbledhjes që Gijotina.com e disponon, Peleshi u mburr se tashmë e kishte zgjidhur çështjen e mirëmbajtjes së helikopterëve. “Nuk duam të bëjmë më
procedura prokurimi për mirëmbajtjen…Kështu që e kemi marrë këtë vendim që në krye të herës, kemi çuar një “Cougar” në NSPA dhe eksperienca e parë ishte shumë pozitive, sepse në më pak se 3 muaj helikopteri u riparua dhe u rikthye në Shqipëri në gjendje gatishmërie. Gjithashtu, kemi çuar edhe dy helikopterë të tjerë tip “EC”, të cilat ishin në një kontratë me një kompani italiane që nuk po performonte, kështu që shkuam drejt prishjes së kontratës me mirëkuptim, për fat të mirë, pra nuk pati ndonjë proces gjyqësor që të na fuste në kalendat greke. Pra, ramë dakord dhe e prishëm kontratën me kompaninë italiane dhe ia kemi deleguar të gjithë proceduarën e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimin, në NSPA.
Historia tragjike me helikopterët francezë
Në shkurt 2010, parlamenti miratoi një kontratë të negociuar nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha për blerjen e helikopterëve ushtarakë nga kompania franceze “Eurocopter” – sot “Airbus Helicopters” për një çmim total prej 78.6 milionë eurosh. Marrëveshja parashikonte blerjen e pesë helikopterëve AS 532 AL Cougar; një nga versionet ushtarake të familjes Super Puma dhe një helikopter VIP për udhëheqjen. Ajo përfshinte gjithashtu blerjen e pjesëve të këmbimit me vlerë 1.9 milionë euro si dhe trajnimin e 12 pilotëve dhe pesë teknikëve për një vlerë prej 11.4 milionë eurosh. Helikopterët pritej të mbërrinin në Shqipëri brenda një periudhe 4-vjeçare dhe në korrik të vitit 2012, në komandën e bazës ajrore të Rinasit u shtrua tapeti i kuq për ceremoninë e mbërritjes së helikopterit të parë të konfigurimit VIP. Por nga Franca mbërriti lajmi i keq i një aksidenti ajror me gjashtë viktima. Në testimet e fundit përpara dorëzimit në Shqipëri, helikopteri VIP u rrëzua pranë një lumi në Alpe, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë anëtarëve të ekuipazhit. Aksidenti ajror solli amendimin e kontratës, ku Shqipëria kërkoi që helikopteri VIP të këmbehej për të njëjtin çmim me dy helikopterë më të lehtë të tipit EC 145, të cilët shërbejnë për emergjenca mjekësore si dhe për operacione kërkim-shpëtimi.
Porosia mbeti e pandryshuar për helikopterët e tjerë “Cougar”, një me konfigurim Combat SAR, një MEDEVAC dhe dy të tjerë për përdorim shumëfunksional, të cilët mbërritën njëri pas tjetrit në Shqipëri deri në fund të vitit 2015. Por më 6 prill 2016, një tjetër aksident ajror tronditi forcat ushtarake shqiptare, kur njëri prej helikopterëve EC 145 u rrëzua në liqenin e Shkodrës gjatë një fluturimi stërvitor, duke shkaktuar vdekjen e kapitenit Florian Deliaj dhe togerit Donald Hoxha.
Mirëmbajtja ishte “dhimbje koke” apo korrupsion?
“Patjetër që (mirëmbajtja e helikopterëve) është dhimbje koke! Madje, unë i kam takuar të gjithë ministrat e vendeve të NATO-s dhe deri më sot nuk kam hasur asnjë nga këta ministra që të mos e ketë dhimbje koke mirëmbajtjen”, do të shprehej Peleshi në mbledhjen me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë. Por faktet tregojnë se më shumë se “dhimbje koke”, mirëmbajtja e helikopterëve kishte abuzim dhe korrupsion.
Përgjatë viteve 2014-2018, mirëmbajtja u sigurua përmes një kontrate me kompaninë italiane “Eurocopter Italia” të certifikuar nga prodhuesi dhe kostot totale të kësaj kontrate mbeten të panjohura. Sipas një raporti auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i kryer pas emergjencës së shkaktuar nga zjarret në verën e vitit 2021, Ministria e Mbrojtjes shpenzoi 1.2 milionë euro për riparimin e defekteve në tre nga katër helikopterët “Cougar” si dhe 296.7 milionë lekë (2.44 milionë euro me kursin e atëhershëm të valutës) për siguracionet e tyre nga fillimi i vitit 2018 deri në qershor të vitit 2021. Një seri kontratash të tjera mirëmbajtjeje prej qindramijëra eurosh u firmosën nga Ministria e Mbrojtjes pas vitit 2018, kur ershi në drejtim ministrja olta Xhaçka. Por mbetën për një kohë të gjatë të pazbatuara për shkak të problemeve që lidheshin me transportin apo peripeci të tjera. Gjatë verës së vitit 2021, kriza e mosrealizimit të kontratave doli në sipërfaqe, pasi Shqipëria kishte vetëm një helikopter “Cougar” në gatishmëri për të përballuar emergjencën me zjarret.
Në vitin 2014, Ministria e Mbrojtjes kontraktoi kompaninë italiane “Eurocopter Italia” të licensuar nga kompania prodhuese dhe vendosi ngritjen e qendrës së mirëmbajtjes së helikopterëve në një hangar prej 200 metrash katrorë pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Përveç flotës së helikopterëve “Cougar”, kontrata parashikonte edhe mirëmbajtjen e helikopterëve të tjerë të Forcave të Armatosura. Përgjatë viteve 2014-2019 procesi i mirëmbajtjes funksionoi pa probleme në qendrën e hapur në Rinas. Por vjeshtën e vitit 2018, Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka refuzoi ta paguante faturën. Faturat e papaguara shkuan rreth 1 milion euro deri në vitin 2019. Ministria e Mbrojtjes e prishi kontratën me “Eurocopter Italia” dhe lidhi një kontratë të re mirëmbajtjeje me kompaninë franceze “Airtelis”, e cila nuk ishte e licensuar nga kompania prodhuese “Airbus Helicopters”. Një problem i dytë që lindi: helikopterët duhej të transportoheshin me maune në Francë për remont.
Sa kushtoi kontrata e Olta Xhaçkës me francezët?
Kontrata mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë franceze “Airtelis” u firmos më 10 tetor të vitit 2019 me një kosto prej 435 mijë eurosh. Mes helikopterëve të planifikuar për t’u riparuar ishte edhe Cougar-i më i kushtueshëm i konfigurimit Combat SAR, që mban numrin e kabinës 631. Pas 282 orësh fluturimi në Shqipëri, helikopteri u dërgua me maune në Francë për remont. Por më 29 korrik 2020, ndërsa ishte në rrugën e kthimit pas riparimit, helikopteri me dy pilotë dhe dy teknikë në bord u detyrua të bënte një ulje emergjente në Itali. Prej korrikut 2020, helikopteri Combat SAR ka mbetur në një magazinë zjarrfikësesh në Itali dhe po i sjell vendit kosto të tjera shtesë. Më 26 prill 2021, Ministria e Mbrojtjes lidhi një kontratë prej 112 mijë eurosh me kompaninë italiane “Helicopters Italia” për inspektimin e defektit që shkaktoi uljen e detyruar, ku bëjnë pjesë edhe shpenzimet e stacionimit. Përmes një raporti auditi, KLSH e ka vlerësuar shumën e mësipërme si një dëm ekonomik dhe kërkon që ajo të zbritet nga pagesa për kompaninë franceze “Airtelis”.
Pas incidentit të ndodhur në Arezzo, Itali, Ministria e Mbrojtjes e ngriu kontratën me kompaninë franceze “Airtelis”. Më 31 dhjetor 2020, Olta Xhaçka nënshkroi një kontratë mirëmbajtjeje me kompaninë polake Heli-One për riparimin e dy helikopterëve “Cougar” me numër bordi 632 dhe 634 në vlerat respektive 135,610 euro dhe 176,090 euro. Megjithatë, dy helikopterët qëndruan për më shumë se një vit në hangar për shkak të vështirësive të transportit të tyre drejt Polonisë, deri sa në fillim të gushtit 2021 kriza e mirëmbajtjes së helikopterëve “Cougar” doli zbuluar. Me një helikopter të parkuar në Itali dhe dy të tjerë me defekt. Dy helikopterët “Cougar” u dërguan për remont në Poloni më 2 mars 2022, më shumë se një vit pas firmosjes së kontratës së mirëmbajtjes.
Ky është një gjyq që ka pak gjasa që pala shqiptare ta fitojë, por mbase shërben për të mbuluar me tym abuzimet e ministres Xhaçka me prishje kontratash dhe shpenzime pa adresë. Nga ana tjetër Peleshi i lan duart si Pons Pilati me Forcën Ajrore.
Kujtojmë se së fundmi, Ministria e Mbrojtjes ka bërë lëvrimin e parave në kuadër të një kontrate për blerjen e dy helikopterëve Black Hawk. Ndërkohë është bërë porosi edhe për 2 helikopterë të tjerë “Black Hawk” që me sa duket do të vonohen nga SHBA për shkak të luftës në Ukrainë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post