Emisioni “Në Shënjestër” është fokusuar tek shërbimet që kryejnë koncesionet, që duket se janë larg standardeve të parave që thithin nga arka e shtetit. Gazetarja Klodiana Lala në emisionin e sotëm ka sjellë fakte se si është abuzuar me qendrën e sterilizimit, të cilën shteti ia fali koncensionarit. Aty tregohet se si koncesionin e fitoi biznesmeni mik me Ilir Beqajn, asaj kohe minsitër i Shëndetësisë. Ndërsa bëhet me dije se Beqaj iu kërkonte kriurgëve të ulnin numrin e operacioneve, ndërsa paratë për koncesionarin shkonin lum.
Ky investigim ka nxjërr në pah faktinqë Qendra e Sterilizimit në QSUT e inauguruar prej 8 vitesh nuk ishte vënë asnjëherë në punë. Përse nuk ishte vënë kurrë në punë, aludimet mund të jenë për një skenar më prapavijë të qartë. Ndoshta edhe për të lehtësuar dhe shpejtuar procedurat e një koncesioni të tillë. Anëtarët e komisionit thonë se arsyeja e vetme, që qendra nuk u vu në funksion, ishte se mungonin specialistët e fushës.
INVESTIGIMI
Shqipëria gëlon nga korrupsioni. Madje, siç thuhet ca më keq, noton në këtë fenomen. E thënë kështu, ky nuk është një zbulim i ri. Por as një konstatim që mbiu nga hiçi. Një nga këto sektorë ku korrupsioni është edhe më i pranishëm është padyshim edhe shëndetësia. Madje, në rastin tonë do thoshim ‘bisturia’. Një instrument mjekësor qëu shpik për të shëruar njerëzimin, por që në Shqipëri duket se nuk i ka shpëtuar tenderave korruptivë.
Ku sikur të mos mjaftonte korrupsioni galopant, një indeks gjithmonë e më shumë në rritje, apo rritja e borxhit të brendshëm publik, qeveria shqiptare vazhdon të japë koncesione që e thellojnë edhe më tej gropën financiare në buxhetin e shtetit. Dhe këtë vazhdon ta bëjë nëpërmjet PPP-ve, apo e shqipëruar ndryshe skema Partneritet Publik Privat. Skemë e cila gjatë 9 vite të qeverisjes socialiste, i ka gllabëruar thesarit të shtetit miliona euro.
Duke ngritur dyshime të mëdha dhe të shumta për korrupsion. Ndërkohë që shërbimet që kryejnë këto koncensionarë duket se janë shumë larg standardeve të parave që thithin nga arka e shtetit. Në mos, janë shumë të fryra për buxhetin e një vendi që konsiderohet ndër më të varfrit në Evropë. Skemë së cilës duket se nuk i ka shpëtuar as bisturia, apo sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale. Një koncesion prej 9.6 miliardë lekësh i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 që prej dy vitesh ka përfunduar në duart e SPAK. Tender i dyshimtë, që sot i gllabëron buxhetit të shtetit mesatarisht rreth 1.6 miliardë lekë ose 13 milionë euro në vit.
Për të cilin emisioni “Në Shënjestër” do të mundohet të hedhë dritë edhe në këtë dokumentar. Por që njëkohësisht është edhe shembulli më kuptimplotë se si pushteti majm me paratë publike, njerëzit rreth vetes. Një linjë afeksioni që tashmë është e dukshme në çdo tender të akorduar nga qeveria shqiptare. Por kush është fituesi i këtij koncesioni PPP në vitin 2015 dhe si mundi ky biznesmen të fitonte një koncesion të tillë kaq të lakmuar.
Cila ishte skema që qeveria shqiptare përdori për t’i siguruar një koncesion të tillë? Përse u zgjodh koncesioni nëpërmjet PPP-së dhe jo një prokurimi publik?!! Dhe cili është dëmi që vazhdon t’i shkaktojë ky konceision buxhetit të shtetit edhe sot, shtatë vite pas akordimit të tij? Ilir Rrapaj ishte një biznesmen i panjohur në qarqet e biznesit në Shqipëri deri në vitin 2013.
Para se socialistët të vinin në pushtet, ai ishte pronari i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë. Një kompani që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar në Itali. Por si ishte e mundur që Ilir Rrapaj që kishte kompani me një punonjës të vetëm në shtetin fqinj, të arrinte të fitonte në Shqipëri, një tender kaq të lakmuar prej rreth 100 milion dollarësh?!!
Cila ishte lidhja e tij me ministrin e kohës së Shëndetësisë, Ilir Beqaj?! Për të na ndihmuar se si Rrapaj mundi të milte një konceision të tillë, mjafton të shikojmë takimet që ky i fundit kishte me Ministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Ilir Beqaj. Sipas të dhënave të rrjetit investigativ BIRN, Ilir Rrapaj ishte një njohje e vjetër e ministrit Beqaj. Ata ishin parë shpesh në praninë e njëri-tjetrit, para se qeveria Rama të vinte në pushtet në vitin 2013. Takime, që siç shikohet edhe në këto foto të publikuara në median e kohës, të cilat ishin intensifikuar edhe më shumë pas ardhjes në pushtet të qeverisë së majtë të drejtuar nga Edi Rama. Por takimet midis tyre u intensifikuan pas vitit 2013, ku Ilir Rrapaj shfaqet shpesh në takime me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Takime, ku të pranishëm ishin edhe biznesmenë italianë, të cilët ishin të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore. Ku vetëm dy vite pasi Rrapaj ishte kthyer në atdhe, në vitin 2015, ky i fundit mundi të sigurojë tenderin shumëmilionësh. Jo keq, për një njeri i cili në vitin 2000, kishte hapur në qytetin e Peruxhias bashkë me dy të afërm të tij, një kompani me kapital fillestar, prej vetëm 1500 euro. Por që tani falë lidhjeve të tij vertikale me qeverinë socialiste, që kishte ardhur në pushtet me divizën luftën të pakompromis kundër korrupsionit, kish mundur të fitonte një tender shumëfish më të madh. Ku një ndihmë për të do të ishte edhe kamuflimi me anë të thirrjes ‘Thuaj PoShqipërisë’
Thirrje e krijuar nga qeveria socialiste me të ardhur në pushtet. Skemë e cila do të rezultonte efikase për të afruar pranë vetes, gjoja në skeptrin e biznesmenëve të suksesshëm, njerëzit që do të rrotulloheshin rreth orbitës së interesave të pushtetit. Skenar të cilit i’u përgjigj edhe Ilir Rrapaj. Fituesi i tenderit 100 milion euro të sterilizimit, i cili siç shikohet edhe këtë foto, në vitin 2014 shfaqet krahëqafë me kryeministrin Edi Rama, në një takim në Pallatin e Brigadave në kuadër të nismës ‘Thuaj Po Shqipërisë’.
Ku për t’iu përgjigjur kësaj thirrje, fill pas fitores së zgjedhjeve nga socialistët në vitin 2013, Rrapaj nga fshati Rexhepaj i Vlorës, nuk e pati të vështirë të linte edhe kompaninë e tij në Itali, që e konsideronte të suksesshme, për të ndihmuar atdheun e tij në njohuritë në biznes.
Sakrificë e cila pas dy vitesh, iu shpërblye.
Pasi në vitin 2015 ai fitoi tenderin e sterilizimit. Tender, që në fakt që në fillim u kontestua si i dyshimtë dhe korruptiv nga opozita dhe grupet e interesit por që nga ana tjetër mbrohej nga qeveria… Por si u arrit në këtë kontratë që shpejt zhurmoi nën dyshimet për aferë korruptive? Sipas dokumentacionit ligjor, kontrata e koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale u firmos mes Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ‘Sani Service’ në dhjetor 2015, për një afat 10 vjeçar me një vlerë të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh. Procedurat e tenderit u hapën nga Ministria e Shëndetësisë më 13 shkurt 2015, me vendim të ministrit Beqaj.
Ndërsa objekti i kontratës së Partneritetit Publik-Privat kishte për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterile. Furnizimin me material mjekësor steril një përdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik si dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve. Ku ky shërbim parashikohej të ofrohej në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe në spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor. Vlera e fondit limit të koncesionit po sipas dokumentacionit ligjor ishte arritur pas një studimi fizibiliteti të ndërmarrë nga një komision i posaçëm, i ngritur po nga Ministria e Shëndetësisë.
“Prej pesë vitesh jam Nëndrejtor Shkencor i Institutit të Shëndetit Publik. Puna e përditshme është e mirëfilltë shkencore, pra çdo shërbim dhe studim bëhet nga Instituti. Ne publikojmë shifra në lidhje me infeksionet spitalore dhe shkaktaret e tyre. Nga këto shifra rezulton se infeksionet spitalore janë një kërcënim serioz. Mjekimi i një infeksioni spitalor është më i kushtueshëm ekonomikisht se sa vetë ndërhyrja kirugjikale. Jam caktuar anëtar i komisionit me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë. Kam dhënë mendimin tim për gjendjen kritike në spitale si rezultat i infeksioneve spitalore. Shërbimet e parashikuara në këtë konçesion i jepnin zgjidhje kësaj problematike. Kryefjala imë në komision ka qenë nevoja urgjente për të ofruar një shërbim të integruar në spitale. Pasi kemi bërë studimin e fizibilitetit jam tërhequr si anëtar i këtij komisioni për arsye personale, E kisha të pamundur në atë kohë të ndiqja hapat e tjera të kësaj procedure. Në analizën e bërë gjatë studimit të fizibilitetit ka rezultuar se konçesioni PPP ishte e vetmja mënyrë për të dhënë një shërbim të integruar që përmban 5 elementë, të cilët janë: instrumentari, materialet njëpërdorimshe, sterilizimi i sallës operatore, zhdëmtimi i mbetjeve të rrezikshme biologjike dhe dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve në kohë reale. Për të pasur këto shërbime do duheshin bërë procedura prokurimi të veçanta. Procedura, për të cilat jemi dëshmitarë që nuk kanë funksionuar.”, tha Genc Byrazeri, anëtar i Komisionit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë dhe shumësisë së makinerive të përdorura në çdo bllok operator.Vetëm dy muaj pas hapjes së procesit të tenderimit, më 4 maj 2015, Ministria e Shëndetësisë zhvilloi procedurën e prokurimit për koncesionin dhe më datë 26 Maj, autoriteti kontraktues publikoi renditjen e operatorëve ekonomikë.Ku Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed me 73.89 pikë. Në këtë rast, kompania koncesionare Sani Service përbëhej nga bashkimi i kompanive Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed. Ku 40 përqind të aksioneve i zotëronte Investital Llc-, kompani asokohe me kapital 1 mijë euro, e regjistruar nga Ilir Rrapaj në Prishtinë. Ndërsa, paketa e mbetur e aksioneve të koncesionit ndahej në 15 për qind për ‘Servizi Italia’, 15 për qind për ‘Tecnosanimed’ dhe 15 për qind për ‘U.Jet S.r.l’.
Ndërsa në vendin e dytë u rendit konsorciumi i përbërë nga ‘Action Laundry’, ‘S.S.I’, ‘Mario Gugliemo’ dhe ‘Brema Ambiente’ me 42.83 pikë. Por cili ishte justifikimi apo pretendimi që Ministria e Shëndetësisë gjeti në vitin 2015 për të dhënë këtë konceision? Sipas pretendimeve të kohës, Ministria e Shëndetësisë e justifikoi dhënien me koncesion të sterilizimit me argumentin e rritjes së frikshme të infeksioneve në sallat kirurgjikale në spitale. Kjo për shkak si të vjetërimit të tyre, ashtu edhe të mungesës së sterilizimit të duhur. Po sipas Ministrisë së Shëndetësisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm edhe për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë. “Nevoja për lindjen e kësaj procedure ka ardhur bazuar në prioritetet që kjo qeveri i ka vënë vetes, të cilat janë pasqyruar edhe në programin e qeverisjes 2013-2017.
Një nga problematikat më madhore që kanë spitalet tona sot është shërbimi i kirugjisë, si ndërhyrja më e fundit e shërbimit mjekësor. Së pari ishte e nevojshme për të ndërhyrë në ndërrimin e gjithë bazës instrumentare, e cila ka një moshë mesatare 30-vjeçare. Nevojë tjetër ishte dhe futja e koncepteve të ripërshtatjes së instrumentave kirugjikale nëpërmjet futjes së standardeve të Bashkimit Europian, duke ndryshuar proceset e mangëta të sterilizimit që kryhen aktualisht në sallat tona. Problem tjetër madhor është edhe dezinfektimi i sallave operatore, i cili deri më sot kryhet në mënyrë manuale dhe jo nga personel i trajnuar.
Në bazë të raporteve të Institutit të Shëndetit Publik, është konstatuar që monstrat e marrra për tu analizuar, direkt pas dezinfektimit të sallave, kanë rezultuar me ngarkesë mikrobike. Kjo gjë ka sjëllë rritjen e infeksioneve spitalore, i cili në bazë të studimeve rezulton që 1 në 3 pacientë merr infeksion spitalor. Ndërkohë që mesatarja europiane është 1 në 16. Për këtë arsye vihet në rrezik siguria e pacientit dhe rriten kostot spitalore. Këto kanë qenë ndër shkaqet kryesore që bënë të lindë nevoja për dhënien me konçeision të këtij shërbimi. Dua të shtoj së përpara së të zhvillohej procedura, mbështetur edhe në ligjin për konçesionet, është bërë analizë e detajuar e gjendjes së sallave kirugjikale në të gjithë Shqipërinë.”, pohoi Klodian Rjepaj, Kryetar i Komisionit të Sterilizimit, ish-zv.ministër i Shëndetësisë.
Sipas studimit të fizibilitetit që i parapriu koncesionit, numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në këto spitale deri në vitin 2013 llogaritej në 50 mijë. Por në vitin e tretë të operimit të koncesionit, në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve kapërceu në 90 mijë, duke i rritur kostot shumë përtej parashikimeve. Por siç e theksuam më lart, do të duheshin 5 vite denoncimesh të vazhdueshme publike, që drejtësia të merrte në duar koncesionin e sterilizimit.
Një nga këta kontestues të këtij koncesioni ishte edhe Nisma ‘Thurje’. E cila nuk u mjaftua vetëm me denoncimin e tenderit që binte era korrupsion, por edhe e çoi çështjen më tej, duke dorëzuar në SPAK, dokumentacionin ligjor me shkeljet përkatëse. Ndërkohë që një mjek i njohur do të kthehej në denoncuesine vazhdueshëmtë këtij konceisioni. Ai do të ishte mjeku Artan Koni. I cili denoncoi një shkresë zyrtare që Ministria e Shëndetësisë u kishte dërguar spitaleve kryesore në vend, ku u kërkonte këtyre të fundit që gjatë vitit 2019 të bënin më pak operacione se gjatë vitit të shkuar.
Kjo pasi, koncesionari i sterilizimit ‘Sani Service’ po merrte më shumë para sesa ishin parashikuar në buxhetin vjetor. Ku sipas statistikave gjatë vitit 2018, ishin kryer rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Për të cilat shteti i kishte kaluar konceisionarit 17 milion euro, ose 3.6 milion euro më shumë se parashikimi.
Dhe për këtë arsye, në mënyrë absurde, ministria e Shëndetësisë në vend që të negocionte çmimet e sterilizimit me koncesionarin, u kërkonte kirurgëve në spitale të bënin më pak operacione. A thua se sëmundjet ishin çështje dëshirash që mund të prisnin, për pacientët apo për vetë kirurgët. “Kallëzimi u ndërtua mbi dyshimet që ne kishim se po përdoreshin fondet publike me qëllim abuzimin e tyre në një proçes konçesionimi të një shërbimi i cili realisht ofrohej deri në atë kohë. Praktikisht çfarë ndodhi ishte që në momentin që shteti shqiptar, ministria e Shëndetësisë ka lidhur një kontratë konçesionare për konçesionimin e shërbimit të sterilizimit, fondet e disponueshme të cilat do të alokoheshin për këtë shërbim shkojnë në shifra marramendëse. Përpara se të jepej me konçesion fondet që alokoheshin ose më saktë kostot e proçesit të sterilizimit shkonin diku tek rreth 200 mijë euro për të gjithë Shqipërinë. Në momentin që u dha me konçesion këto fonde u 80 fishuan. Ne paguanim një konçesionar tashmë nga 200 mijë euro për të gjithë vendin, paguanim 17 milionë euro.”, pohoi Panajot Soko.
Por cili ishte pretendimi që ngriti qeveria Rama në dhënien me konceision të sterilizimit në spitale? Dhe a u përdor nevoja për një shërbim më cilësor për të krijuar një skemë gllabërimi parash publike? Por ajo që është e habitshme është se si ka mundësi që një proces si sterilizimi që deri në vitin 2013 i kushtonte buxhetit të shtetit 200 mijë euro, tani me dhënien me konceision kostot ishin shumëfishuar. Ku nëse nuk do të ishin paratë që koncesionari po gllabëronte, do të ishte e vështirë për të kuptuar përmasën e dëmit që ky koncesion po shkaktonte në buxhetin e shtetit. Që njëkohësisht nxorri zbuluar edhe mënyrën se si komisioni për tenderimin kishte proceduar. “Nuk ka patur një justifikim të mirëfilltë deri në viitn 2018 në mos gaboj kur Ministria e Shëndetësisë në presionin e madh që u krijua nga momenti që ne shkuam dhe denoncuam në SPAK këtë si aferë u detyrua që të merrte një qëndrim në lidhje me arsyet që u detyrua të merrte këtë vendim. Qëndrimi ishte aq ekuivok dhe i fshehur mes këtyre proçedurave që ti edhe i kupton edhe si kupton, apo edhe i vërteton edhe nuk i vërteton që kishte të bënte me rastet e infeksioneve në proçesin e operacioneve që kryheshin në spitalet shqiptare. Mund të ketë patur por nuk ishte kjo aryseja primare apo shqetësimi që kanë patur spitalet shqiptare kur ne morëm vendimin për të alokuar një shifër marramendëse prej 17 milionë eurosh në vit.”, theksoi Soko.
Por përpara se dosja të kalonte në SPAK, tenderi për sterilizimin ishte hetuar fillimisht nga Prokuroria e Tiranës. E cila u mjafua vetëm me marrjen ne pyetje të anëtarëve të komisionit që ishte ngritur për dhënien me konceison të sterilizimit. Të cilët ashtu siç pritej morën në mbrojtje mënyrën se ishte proceduar me këtë koncesion. “Për pamundësi ekonomike. Vetëm njëri kompetent, ai i investimit në pajisje e instrumente, kap vlerën e buxhetit të investimit total të Ministrisë, për 2 vite e gjysëm në zërin investime. Pra shërbimi integruar nuk do mund të jepej me proçedurë tjetër. Këtu kemi parasysh edhe rikthimin, që do të thotë koha kur fillon konçesionari të marrë benefitet mbrapsht. Studimi i fizibilitetit ka parashikuar që rikthimi të ndodhë në vitin e gjashtë osë të shtatë në mos gaboj. Në asnjë procedurë tjetër nuk është e mundur një gjë e tillë, për këtë arsye do mbeteshim pa ofertues. Nëse këto shërbime do prokuroheshin të ndara asnjëherë nuk do arrihej standardi i arritur nga konçesioni PPP. Për të mos thënë që të ndara, procedurat për prokurimin e këtyre shërbimeve mund të dështonin.”, tha Naile Abazi, anëtare e Komisionit.
Të njëjtin qëndrim përpara prokurorëve mbajtën edhe anëtarët e tjerë të komisionit të dhënies së koncesionit. Midis tyre edhe Arben Gjata- Pedagog i kirugjisë dhe zv. Rektor në Universitetin e Mjekësisë Tiranë “Nga ajo çfarë kemi diskutuar në komision ka rezultuar se edhe nga ana ekonomike kjo ishte procedura më e favorshme.”, tha Arben Gjata, pedagog i kirugjisë , Zv. Rektor në Universitetin e Mjekësisë Tiranë.
Sikurse dhe kolegët edhe Gjata shprehej se infeksionet spitalore, ishin aryesja kryesore, se përse koncesioni ishte mënyra e vetme për të përmirësuar situatën në spitalet në vend dhe për të patur një shërbim me cilësor. Por asnjë prej anëtarëve nuk shpjegoi dot, sesi kostot u rritën dhe se përse ata nuk kishin mundur të parashikonin këtë gjë. “Nga eksperienca që kam në këtë fushë mënyra e procedimit me prokurim të zakonshëm mund të çonte në dështim. Do duhej që të gjitha shërbimet e parashikuara të prokuroheshin me procedura të veçanta. Përsa i përket prokurimit të instrumentarit, mesa jam në dijeni, procedura e fundit e prokurimit të tyre është bërë në vitin 2004. Kompanitë seriozë që ofrojnë cilësinë më të lartë nuk janë të interesuara për tregun shqiptar.
Ndërsa konçesioni në fjalë tërhoqi një kompani serioze, siç ishte ajo që fitoi procedurën.”, theksoi Gjata. Sipas ekspertit të ekonomisë, Pano Soko, skema e korrupsionit në tenderin e sterilizimit është pak e shumë e njëjtë me atë që është përdorur edhe në tenderë të tjerë të ngjashëm. Madje. sipas tij, qeveria nuk është rrekur shumë të ndërrojë modulin. Ndërkohë që paratë mendohet se kanë fluturuar nëpërmjet një skeme të qartë të pastrimit, në xhepa të tjerë ku nuk përjashtohen edhe ministra apo zv/ministra. Ndërsa Ilir Rrapaj dhe kompania e tij në ortakëri me biznesmenë të tjerë italianë, nuk ka shërbyer veç se si një mashë për të tërhequr paratë publike nga thesari i shtetit. “Skemat korruptive në të gjithë këto proçeset konçesionare janë pak a shumë të njëjta, si ajo që kemi hasur në formën, procesin e
konçesionimt të inceneratorëve ku paratë që dislobohen më pas humbasin nëpër kompani të cilat shpërndajnë paratë tek xhepi i atyre që duhet të përfitojnë nga kjo ku përfshihen qoftë aktorë privatë, apo aktorë publikë, ministër, zv. Ministër. Praktikisht besoj së skema është e njëjtë edhe në rastin e konçesionit të sterilizimit”, tha Sako.
Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është tashmë në vitin e gjashtë të operimit, por ka shënuar rritje të kostove të parashikuara me gati 30 përqind. Nga 9.6 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 12.3 miliardë lekë në total. Shifrat e tejkalojnë buxhetit e parashikuar për këtë koncesion, për të cilin ministri i Financave të kohës, Shkëlqim Cani, shprehej parimisht dakord, por kërkonte nga autoriteti kontraktues Ministria e Shëndetësisë, që ‘në çdo rast të mbahet në konsideratë që financimi i projektit gjatë gjithë periudhës së kohëzgjatjes së kontratës të respektojë në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime që propozohen të jepen me koncesion”.
Ndërsa lidhur me rriskun e inflacionit, ministri i kohës, Cani kërkonte që “të vlerësohet opsioni i përballimit tërësisht nga Koncesionari, ose minimalisht ky rrisk të ndahet mes autoritetit kontraktor dhe Koncesionarit”. “Për shkak të këtij konçesioni, për shkak të kësaj kontrate ne patëm në vitin 2019 patëm një rishikim të numrit të operacioneve. Çfarë ndodhi…spitalet nuk ishin në gjendje bazuar në buxhetin e tyre të përballonin kostot e mëdha të sterilizimit. Çfarë iu tha..në vend që të rinegocioheshin, ridiskutoheshin kushtet e kontratës,, u tha spiataleve ul numrin e operacioneve. Kjo është e tmerrshme, kjo është kriminale.
Operacionet nuk i kondicionon dot, sa do jenë, kush ka nevojë, nuk mund t’i kondicionosh dot, por ne jemi i vetmi vend që i kemi kondicionuar. Përse… për shkak të një kontrate konçesionare. Dhe natyrisht që të detyruar nga ky presion human dhe social mjekët sot e kryejnë procesin e sterilizimit me metodën e vjetër, por në fshehtësi. Pse… sepse nuk mund t’i thonë pacientit se nuk të operoj dot se smë lë kontrata.”, theksoi Soko. (BalkanËeb)
Discussion about this post