Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal, ku punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i marrin 2.7 milionë lekë të vjetra ryshfet pronarit të një furre buke.
Zef Gjelaj u ankua në emisionin investigativ se këta punonjës i kanë kërkuar me ngulm këtë shumë, me qëllim që t’i rimbursojnë energjinë elektrike. Me zë dhe figurë, Fiksi faktoi se dy punonjës të OSHEE-së kanë marrë ryshfet. I pari në vitin 2022, ndërkohë i dyti në dhjetor 2023. Madje, ky i fundit shumën prej 2.7 milionë lekë ia merr brenda furrës. Ndërkohë, disa orë pas kësaj pagese, punonjësi që i mori këtë shumë, ia rregullon të gjitha letrat dhe faturat. Ryshfeti i kërkuar është gjysma e debisë që pronari i furrës ka paguar energjinë elektrike dhe duhej t’i kthehej atij. Por, nga 5.4 milionë lekë që do t’i rimbursohej, 2.7 ia morën brenda furrës këta punonjës!
“I jam drejtuar Fiks Fare se OSHEE na ka sorollatur. Unë kam një biznes familjar, furrë buke dhe mezi mbijetojmë. Unë furrtar punoj prej 13 vitesh. Kemi punuar këtu dhe jashtë shtetit. Këtu s’të lënë të punosh. Çohemi në 2 të natës. Prodhojmë bukë masive” thotë Zefi. Më tej pohon se prej dy vitesh i kanë sorollatur. “Ne qeveria na i ka bërë dritat me 7.6 lekë kË/h, kurse këta na i kanë bërë me 14 lekë. Deri më sot ka shkuar 5 milionë e 400 mijë lekë (të vjetra) që ne i kemi paguar më tepër. Punëtorët e OSHEE-së na i kërkojnë gjysmat e parave që t’i rregullojnë dritat. 5.4 milionëshi është i imi. Këto lekë më rimbursohen mua në muajt në vijim. Këta më kërkojnë gjysmën e lekëve” thotë denoncuesi.
Më tej shton se ky nuk është rasti i parë që familja e tij bezdiset. “Kanë dy vjet që vijnë te furra. Fillimisht ka ardhur Roland Kaçaj, është punonjës te OSHEE te bregu i Lanës. Ai na ka kërkuar paradhënie 700 mijë lekë që të bëhej një rimbursim. Këtë shumë e donte paradhënie. Na i kërkoi atëherë, ia dhamë dhe e ka kthyer nga 14 lekë në 7.6 lekë. Pas 3 muajsh kemi shkuar të paguajmë faturën dhe na doli me 14 lekë. E kishte bërë dhe e kishte prishur. Se kështu e bëjnë këta. Marrin lekët, e bëjnë 2 a 3 muaj dhe ta prishin për arsye që të shkosh 1 vit e gjysmë prapa të shkojnë miliona leke që ke paguar më shumë. Edhe ata të thonë 5 milionë i dua unë, 5 milionë janë për ty që ti rimbursojnë. Ti rregullojnë vetë ata. Ata duan gjysmën. I kërkojnë lekët para se të bëjnë ndryshimet. Edhe për 30 minuta të kryejnë punë. Kur ia jep gjysmën e lekëve” thotë qytetari.
Ai i vë në dispozicion redaksisë së Fiks Fare një bisedë që ka bërë në vitin 2022 me z. Roland Kaçaj, i cili është punonjës i OSHEE-së. “Unë të kam thënë kaq, ty lekët që ke paguar dhe do të kthehen mbrapsht. Unë të kam thënë nëse atje do të mbaroj punë, të mbaroj punë se kam akt-konstatimin. Kur ato s’ma pranojnë ça të bëj unë, të vras veten” i thotë Rolandi qytetarëve. Këta të fundit i kujtojnë se ka qenë vetë ai që u ka kërkuar 200 mijë lekë të vjetra që t’ia jepnin një punonjëse se “të mbaron punë”. “Unë nuk jam drejtor, kam e kaq fuqinë. U ndihmova për ta bërë, po lekët po i kthej mbrapsht” thotë ai, teksa pranon se ka marrë ryshfet. Denoncuesit i thotë se nuk i duan paratë mbrapsht, por vetëm që t’u mbarojnë punë. “Ça të bëj unë, të vras veten?! Kaq e kam fuqinë. Ajo i mori lekët, s’kam çfarë t’i bëj” vijon ai, duke pranuar sërish marrjen e ryshfetit nga ai dhe një punonjëse tjetër. Denoncuesit i thonë se si nuk kanë turp që marrin para’ dhe nuk mbarojnë punë. Ai i përgjigjet se “s’marim lekë pa mbaruar punë, por në këtë rast kaq ishte mundësia”.
Denoncuesi tha për Fiks Fare se nga viti 2022 deri në 2023 nuk është bërë ndryshimi, megjithëse punonjësit u kishin marrë një ryshfet. “Unë kam vijuar të paguajë çdo muaj. Dhe shuma që duhet t’më rimbursohet ka shkuar në 5 milionë e 400 mijë lekë. Ka dy tri javë që vjen një punonjës tjetër, Arjan Pashaj, edhe thotë unë dua gjysmën e lekëve që ta bëj rimbursimin” tregon Zefi, ndërkohë që pohon se paratë i do në dorë. “Do gjysmat ose nuk rregullohen. Biles duhet përshpejtuar, se i kemi gati krejt letrat. Vjen nga 2-3 orë duke na bezdisur te sahatet. Qëndron aty, prek një automat. Mua herën e fundit më ka kërkuar 2.7 milionë lekë dhe pazarin e bëri këtu te puna ime” thotë ai. Më tej shton se, nëse paguan këtë shumë, “të mbaron punë për 30 minuta”. “S’kemi mundësi dhe arsye pse t’i paguajmë. Këto s’janë fatura shteti, por ata i fusin në xhep. Është ryshfet” përfundon ai.
Pas kësaj bisede, denoncuesi shkon te furra e bukës dhe pas disa minutash shkon në atë vend edhe punonjësi i OSHEE Arjan Pashaj. Ai i kërkon gjysmën e shumës që duhet t’i rimbursohet, pra 2.7 milionë lekë të vjetra! Denoncuesi e pyet se sa është shumë që duhet të paguajë dhe ai i thotë “2.7 milionë lekë dhe të ikën komplet dhe të ndërrohet çmimi”. Sipas punonjësit, të gjitha këto bëhen brenda ditës. “Bëhet sot. I mbyll të gjitha. E ke të mbyllur brenda ditës së sotme” vijon punonjësi, ndërsa denoncuesit e pyesin disa herë se çfarë shume duhet të paguajnë. “2.7 mër burrë” i përgjigjet ai. Denoncuesit i kujtojnë se edhe një tjetër punonjës i ka marrë 200 mijë lekë të vjetra, por ai i thotë se nuk e njeh. Më tej bëhet edhe pazari, ky denoncuesit i kërkojnë që t’ia ulë shumën, ta bëjnë 2.5 milionë lekë të vjetra. “Jo. Po në qoftë se i ke vëlla hajde bëje, po presin robt” i përgjigjet prerë ai.
Më pas, qytetarët i japin shumën që i kërkoi dhe ai i thotë se gjithçka zgjidhet mbasdite. Ata i kërkojnë edhe një dokument që është punonjës shtetëror. Ai i tregon mjetin identifikues të punës dhe i kërkon me ngulm se “mi jep mua ti numëroj se po na luan mendsh”. Punonjësi më pas numëron paratë, teksa bën edhe mbledhjet e të gjitha prerjeve. “Një sekondë o vëlla. Mungon një pesëmbëdhjetëshe” i thotë punonjësi denoncuesve. Pra, u ka dhënë para’ mangut. Por, denoncuesit i kujtojnë se i ka numëruar gabim dhe ai i numëron sërish. Kësaj herë nga numërimi shuma i del shumë e saktë, ajo që kërkoi, teksa u thotë sërish denoncuesve se “zgjidhet brenda ditës së sotme”.
“Jam Arjan Pashaj. Për t’u bërë janë 4-5 veta që merren me këtë punë” vijon ai, ndërsa sërish ka dyshime për shumën. Kësaj herë, kthehet nga rruga dhe futet sërish brenda furrës së bukës dhe i numëron. “Sa mirë i numëron. Si me ja pas borxh, si me ardh me i marr borxhin” i thotë një nga denoncuesit, ndërsa punonjësi pasi i numëron vetëm i “dhuron” një buzëqeshje.
Pas pagesës së ryshfetit, denoncuesi shkon te pika e OSHEE-së për t’u informuar nëse është hequr nga sistemi pagesa që kishte për të kryer. Punonjëset shohin sistemin dhe i thonë e ke 0! “Janë 4 milionë, po te ‘Lapsi’ këtu është zero. Kjo është zero. I kanë futur kështu, por i kanë hequr. Në qoftë se nuk e ke paguar nëntorin, janë të hequra. E ke OK” i thotë punonjësi. Pra, denoncuesit u endën për më shumë se dy vite në dyert e këtij institucioni. Por, punë mbaruan vetëm pasi u detyruan që të paguajnë ryshfetin prej 2.7 milionë lekësh.
***
Bisedë mes denoncuesve dhe punonjësit të OSHEE-së Roland Kaçaj në verën e vitit 2022.
Denoncuesi – Nëse unë ty nuk të përgjigjem siç i kemi lënë muhabetet OK-ej, unë t’u kam përgjigj siç i kemi lënë muhabetet. Ti mua s’më je përgjigj.
Punonjësi – Unë ty të kam thënë kaq, ty lekët që ke paguar dhe do të kthehen mbrapsht. Sepse do të kthehet. Jemi në rregull deri këtu?
Denoncuesi – Po.
Punonjësi – Tashti, unë të kam thënë nëse unë atje do të mbaroj punë, të mbaroj punë se unë bëj akt-konstatimin. Tani kur ato s’ma pranuan, prit se do nxjerrin ligje të reja, tani ça të bëj unë të vras veten!
Denoncuesi 2 – Akte konstatimi kanë bërë sa të duash. Atë ditë ke thënë jepja kësaj femrës, jepja kësaj femrës 200 mijë lekëshin, ti bën letrat gati kjo.
Punonjësi – Po.
Denoncuesi 2 – Ja edhe 500 më ke thënë kur të mbaroj puna.
Punonjësi – Po s’kemi mbaruar punë ça të them unë! Edhe njëherë, se s’po nxjerrin ligje të reja.
Denoncuesi 2 – Asnjë ligj s’kanë nxjerrë!
Punonjësi – Unë po të flas haptazi si burrat.
Denoncuesi 2 – A më the herën e parë, ça burrash?! Tani më the është e mbaruar puna. U bën 4 muaj, kjo është qysh në mars.
Punonjësi – Tani unë nuk jam drejtor ndërmarrje, kam e kaq fuqinë.
Denoncuesi – S’mbaroi puna, duhet të kthehen lekët.
Punonjësi – Si?
Denoncuesi 2 – A ke thënë të mbaroj punën të kthehen lekët, tani na kthe lekët mbrapsht?
Punonjësi – U munduam që ta bëjmë, po prapë do merremi me këtë punë dhe lekët po i kthej mbrapsht.
Denoncuesi 2 – Po si do lekët mbrapsht ai!
Punonjësi – Po ça të them unë tani, të iki të vras veten unë.
Denoncuesi 2 – Atë e di ti, mos e merr përsipër kur nuk e bën. Thuaja kësaj vajzës, paguaja 200 mijë lekëshin, që bëri letrat gati kjo. Më mbrapa kur të mbaroj punën ke edhe …
Punonjësi – Tashti unë kaq e kam fuqinë, ça të them unë tani.
Denoncuesi 2 – Tani ti a kupton shqip.
Punonjësi – Shqip po flas!
Denoncuesi 2 – A më the jepja 200 mijë lekëshin dhe i mori.
Punonjësi – I mori! Tani, ça ti bëj unë asaj, ta vras? Aq e kam mundësinë.
Denoncuesi 2 – A keni ardhur si mashtruesa apo keni ardhur se jeni të KESH-it (OSHEE-së).
Punonjësi – Ore ça mashtrues, ça mashtrues.
Denoncuesi 2 – A keni thënë jepja 200 mijë lekëshin.
Punonjësi – Po është turp të bëjmë muhabetin për 200 mijë lekëshin e asaj.
Denoncuesi 2 – A ke thënë që jepja asaj 200 mijë lekë?
Punonjësi – Po.
Denoncuesi 2 – Ja dhamë, mi mori. Tani edhe 500 kur të mbarojë puna dhe tani vini hala pa fillu punë
Punonjësi – Nuk jam unë drejtor ndërmarrje.
Denoncuesi 2 – Turp është për ju që bëni këto, që vini tu rre njerëzit tu marr lekë dhe mbrapa s’u mbaroni punë.
Punonjësi – Edhe njëherë, ne nuk i marrim lekët pa mbaruar punë.
Denoncuesi 2 – Po pse …
Punonjësi – Tani kaq është mundësia prit …
***
Pazaret e punonjësit të OSHEE-së Arjan Pashaj, i cili i merr një ryshfet prej 2.7 milionë lekë të vjetra pronarit të një furre buke në Tiranë
Punonjësi i OSHEE – Hë vëlla.
Denoncuesi 1 – Po unë e di se kam këtë.
Punonjësi OSHEE – Po në rregull pra.
Denoncuesi 1 – Ti bëjmë gjërat e qarta. E di se s..
Punonjësi i OSHEE – Po pra, ta thash. Do kesh 600 plus.
Denoncuesi 1 – 600 plus?
Punonjësi i OSHEE – Gjendje.
Denoncuesi 1 – Po. 2 milion e 700 mijë (të vjetra) lekë kam për të paguar unë?
Punonjësi i OSHEE – Po. Të ikën kjo komplet. Të ikën kjo…
Denoncuesi 1 – Edhe dal edhe 600 mijë lekë (të vjetra) plus?
Punonjësi i OSHEE – Del 600 mijë lekë plus dhe të ndërrohet çmimi.
Denoncuesi 1 – Po.
Punonjësi i OSHEE – Deri në shkurt të 26-ës (2026).
Denoncuesi 1 – A vonojnë?
Punonjësi i OSHEE – Brenda ditës sot vëlla.
Denoncuesi 1 – Lekët i kam gati, po problem është se…
Punonjësi i OSHEE – O shoku.
Denoncuesi 1 – Se dhe Landi ma ka bërë këtë punë.
Punonjësi i OSHEE – O vëlla më dëgjo mua pak. Më dëgjo Arjan Pashajn.
Denoncuesi 1 – Po.
Punonjësi i OSHEE – Sot është e premte.
Denoncuesi 1 – Po.
Punonjësi i OSHEE – Bëhet sot. I mbyll të gjitha. Jemi 5 ditë pushim ne pastaj. Të mërkurën tjetër. Mos e vrit mendjen. E ke të mbyllur brenda ditës së sotme.
Denoncuesi 2 – Po sa ka për të paguar?
Punonjësi i OSHEE – Ka për të paguar 3.4 (milionë lekë të vjetra) këtu. I hiqet 3.4.
Denoncuesi 1 – Janë 3 milion e 400 (të vjetra)
Denoncuesi 2: Gjithsej?
Denoncuesi 1 – 4 milion e ca më the atë ditë.
Punonjësi i OSHEE – Dëgjo mua, dëgjo mua pak. Më dëgjo pak Arjanin, dëgjo. Ty të zbriten 4.
Denoncuesi 1 – Po.
Punonjësi OSHE – Të zbriten 4, do të ngel një 600 plus.
Denoncuesi 1 – Plus në sistem?
Punonjësi i OSHEE – Po. Nga ajo 600 do mbyll është nëntori kur të dali se s’ka dal nëntori.
Denoncuesi 2 – E sa ka me, sa ka me ju dhënë ju?
Punonjësi i OSHEE – 2.7 (milionë lekë të vjetra) më burrë.
Denoncuesi 2 – Tani ky ka 2.5. Se unë edhe ky i kemi bashkuar lekët bashkë. Unë e kam këtë objektin këtu. Ti ke me e thirr atë Landin se na ka marrë 200 mijë lekë (të vjetra) na i ka vjedh ai edhe ka ik. E njeh Landin? Thirre se e kam unë numrin e telefonit.
Punonjësi i OSHEE – Unë nuk e njoh dhe nuk më lidh me Landin gjë.
Denoncuesi 2 – Me të dhënë 2 e 500 ty e?
Punonjësi i OSHEE – Jo. Po në qoftë se i ke vëlla hajde bëje, po presin robt.
Denoncuesi 2 – Hajt se i marr unë te shtëpia.
Denoncuesi 1 – Kam dalë duke i mbledhur veç me e kry!
Punonjësi i OSHEE – O vëlla unë them ke rast ti vazhdon muhabet. Janë duke prit robt atje.
Denoncuesi 1 – A ma bien letrën mua se u krye?
Punonjësi i OSHEE – Sot mbasdite vëlla.
Denoncuesi 1 – Sepse unë po ti jap lekët pa njohur, pa ditur a e di.
Punonjësi i OSHEE – Do e shohësh në sistem mor vëlla. Hajde të… E di çke ti zotëri? I hipim makinës dhe shkojmë te shtëpia ime! Të mësosh edhe shtëpinë?
Denoncuesi 1 – Sa herë jemi takuar bashkë?
Punonjësi i OSHEE – Kam qenë para një viti unë dhe kjo është hera e dytë a e tretë.
Denoncuesi 1 – Po.
Denoncuesi 2: A ke letër që je i KESH – it (OSHEE-së)?
Denoncuesi 1 – Po ka, se ka ardh 2-3 herë ky.
Punonjësi i OSHEE – Hë mor burrë mi jep mua ti numëroj se po na luan mendsh o burrë dhe ti tani.
Denoncuesi 1 – Një minutë mor burrë.
Punonjësi i OSHEE – Mos u mërzit. Mi jep të gjitha 5-çet mua këtu.
Denoncuesi 1 – Se i kam bërë dhe disa euro. Numëroi pesëshet.
Numëron paratë …
Punonjësi i OSHEE – Një, dy, tre, katër…, katërmbëdhjetë e gjysmë.
Denoncuesi 1 – 1 milionë e 450 (lekë të vjetra)
Punonjësi i OSHEE – 1 milion e 450!
Denoncuesi 1 – Po. Ja këtu i ke 1 milion e 500.
Punonjësi i OSHEE – 48 ke këtu.
Denoncuesi 1 – 500 ja kam plotësuar. Normal.
Denoncuesi 2: 2 milion e gjysmë.
Punonjësi i OSHEE – Po.
Denoncuesi 1 – Edhe dyqind.
Punonjësi i OSHEE – Një sekondë o vëlla. Dy janë gjithsej. Mungon një pesëmbëdhjetëshe.
Denoncuesi 2 – Jo nuk mungon asgjë!
Punonjësi i OSHEE – E vejmë me bast?
Denoncuesi 2 – Sa të duash.
Punonjësi i OSHEE – E ç’na luajti mendsh ky.
I numëron përsëri …
Punonjësi i OSHEE – Njëzet e një, njëzet e dy, njëzet e tre, njëzet e katër.
Denoncuesi 1 – Njëzet e pesë.
Punonjësi i OSHEE – Njëzet e pesë. Njëqind e pesëdhjetë.
Denoncuesi 2 – Njëqind e pesëdhjetë.
Punonjësi i OSHEE – Njëqind e pesëdhjetë edhe dyqind e pesëdhjetë. Katërqind, dy e katërqind.
Denoncuesi 2: Të duhen edhe treqind. A ke dy e shtatëqind?
Punonjësi i OSHEE – Po.
Denoncuesi 1 – 2 milion e 700 ( të vjetra).
Denoncuesi 2: Tani sa të presim ne këtu?
Punonjësi i OSHEE – Për tu bërë kjo thua ti?
Denoncuesi 1 – E për tu bërë kjo mor burrë.
Punonjësi i OSHEE – O shoku, brenda ditës sotme mër vëlla.
Denoncuesi 2 – A ke dokument ti?
Punonjësi i OSHEE – Çfarë dokumenti?
Denoncuesi 2 – A ke dokument me e dit se kush je ti.
Punonjësi i OSHEE – Po shoku. Ja!
Denoncuesi 2 – Çfarë është ?
Punonjësi i OSHEE – Arjan Pashaj. Për tu bërë janë 4-5 veta që merren me këtë punë. 12- 12:30 janë pushim ata. Mbas 12:30 do filloj puna.
Denoncuesi 2 – A e mbaron sot?
Punonjësi i OSHEE – Sot mbaron o vëlla se është…
Denoncuesi 2 – A rri aty te bregu Lanës?
Punonjësi i OSHEE – Bravo.
Denoncuesi 2 – Po qe se ikën e nuk na mbaron punë.
Punonjësi i OSHEE – O shoku unë e kam shtëpinë sa kthehesh mu te ura është dyqani i mishit te ura te Lana në kat të tretë. Pallati i vjetër në formë L-je.
Punonjësi i OSHEE del jashtë furrës dhe rikthehet sërish për të numëruar lekët!
Denoncuesi 2 – Sa mirë i numëron. Si me ja pas borxh, si me ardh me i marr borxhin.
Punonjësi i numëron lekët për herë të tretë duke qeshur!
***
Denoncuesi shkon te pika e OSHEE-së në Lapurakë ku mëson se vetëm disa orë pas pagesës së ryshfetit shuma është bërë 0 lekë!
Denoncuesi 2 – Doja të interesohesha pak për këto faturat.
Punonjësi i OSHEE – Po m’i jep. Vetëm kjo është?
Denoncuesi 2 – Po këto.
Punonjësi i OSHEE – Do faturë?
Denoncuesi 2 – Ma jep gjendjen si është ta shoh.
Punonjësi OSHE – Shikoje njëherë. Ke paguar ti?
Denoncuesi 2 – Po i kam paguar të gjitha.
Punonjësi OSHEE – Edhe nëntorin?
Denoncuesi 2 – Sot!
Punonjësi OSHEE – E ke paguar nëntorin?
Denoncuesi 2 – A sheh që ta prura faturën tani të paguar.
Punonjësi OSHE – S’janë mandate pagese. Kjo është faturë, kjo është “lapsi”. Nejse e shoh këtu.
Denoncuesi 2 – Këtu kam 4 milionë e 700 mijë lekë (të vjetra)?
Punonjësi OSHE – Janë 4 milionë, po te “lapsi” këtu është zero. Kjo është zero. I kanë futur kështu, por i kanë hequr.
Denoncuesi 2 – A thua i kanë hequr?
Punonjësi OSHE – Kështu që, në qoftë se nuk e ke paguar nëntorin janë të hequra.
Denoncuesi 2 – Po janë paguar tepër. Tani do bëhen rimbursim?
Punonjësi OSHE – E ke Ok!.
Denoncuesi 2 – Në çfarë ore?
Punonjësi OSHE – Jo nuk e nxjerr orën, por thjesht e nxjerr zero. Lapsin e ke zero.
Denoncuesi 2 – Faleminderit pra, gjithë të mirat. Mirë u pafshim!
Discussion about this post