Rreth 2800 të paraburgosur mbushin qelitë dhe përbëjnë 56% të personave që trajtohen në burgje. Vendi ynë shpenzon mesatarisht 2401 lekë në ditë për çdo të paraburgosur, ndërkohë që kjo masë sigurie përbën 40% të masave penale. Këto shifra sapo janë publikuar nga një raport i KLSH, që konstaton edhe shkelje masive të të drejtave të garantuara me ligj.
Për një të paraburgosur në Kavajë harxhohet sa 10-fishi i një tjetri në Fier
Korrupsioni me fondet në burgje shfaqet në shifrat e shpenzuara që ndryshojnë nga një qytet në tjetrin, për të njëjtin shërbim. Vlera 2401 lekë në do të për një të paraburgosur nuk paraqet në mënyrë të drejtë shpenzimin për secilin, pasi në Institucionet e ndryshme të i Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) ndryshon vlera e trajtimit.
Nga shifrat zyrtare vlerësohet se IEVP Kavajë në 2021 ka shpenzuar përafërsisht 10,796 lekë në ditë për çdo të paraburgosur. Ndër IEVP-të të cilat kanë shpenzuar më shumë para në ditë për të paraburgosur paraqiten IEVP Tropojë (5,587 lekë) dhe IEVP Lezhë (5,093 lekë).
Shpenzimi faktik për 1 të paraburgosur në ditë, është përllogaritur duke gjetur buxhetin vjetor për 1 të paraburgosur në çdo IEVP. Ndërsa viti është përllogaritur me 365 ditë; Gjatë këtij viti në IEVP Vaqarr është trajtuar vetëm një i burgosur gjithsej.
Ndërsa, ndër IEVP që kanë shpenzuar më pak para në ditë për 1 të paraburgosur në vitin 2021, paraqiten IEVP Korçë (1,631 lekë), IEVP Fier (1,466 lekë), etj.
Referuar të dhënave të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB), gjatë periudhës 2020-korrik 2022 nuk janë kryer investime për sektorin e paraburgimit. Për periudhën nën auditim është kryer vetëm 1 investim në vitin 2019 për IEVP “Jordan Misja” në vlerën 5,400,000 lekë.
Numri i të paraburgosurve që trajtohet në këto IEVP ka pësuar rritje, ku në vitin 2021 kanë qenë 19% të paraburgosur më shumë se në vitin 2020. Pesha e buxhetit të sektorit të paraburgimeve në total sistemin e burgjeve ishte 36% në vitin 2019, e cila është ndjekur nga një rritje graduale gjatë periudhës nën auditim, për të arritur 42% në vitin 2021. Peshën kryesore në këtë përqindje e zënë shpenzimet e personelit dhe ato operative, pasi për periudhën në auditim, pesha që zënë investimet për sektorin e paraburgimit në totalin e investimeve në sistemin e burgjeve është thuajse 0.
Sipas DPB, në vitin 2021 numri i të paraburgosurve në Shqipëri ishte 2793 persona, krahasuar me 2263 persona që ishin në vitin 2019.
Në periudhën 2019-2020, IEVP-të Kukës, Sarandë dhe Elbasan kanë trajtuar vetëm të paraburgosur. Ndërsa, për periudhën 2021- Qershor 2022, kanë trajtuar vetëm të paraburgosur: IEVP-të Kukës (30 të paraburgosur); IEVP Sarandë (44 të paraburgosur); IEVP “Mine Peza” (149 të paraburgosur); IEVP Elbasan (171 të paraburgosur); IEVP Vlorë (176 të paraburgosur). Numrin më i lartë i të paraburgosurve për vitin 2021 ishte në: IEVP-të Jordan Misia në Tiranë (434 të paraburgosur); IEVP Fushë Krujë (308 të paraburgosur); IEVP Fier (264 të paraburgosur); IEVP Korçë (243 të paraburgosur); etj..
Përse jepen kaq shumë masa “arrest me burg”?
Për vitin 2021, kërkesat penale për vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, përbëjnë 40% të kërkesave penale në total.
Përdorimi i zgjeruar i kësaj mase sigurimi konstatohet edhe nga analiza e të dhënave statistikore dhe krahasimi i përqindjes që zënë personat e paraburgosur në sistemin tonë penitenciar në raport me disa vende të Europës.
Në vendin tonë, personat e paraburgosur përbëjnë 56% të popullimit në sistemin penitenciar. Ndërkohë që, në Bullgari, Kroaci, Hungari, Kosovë, Serbi, Mali i Zi, Bosnje Hercegovinë, Slloveni, Greqi, Itali dhe Maltë përqindja e popullimit të personave të paraburgosur në IEPV varjon nga 19% – 42%.
Trendi i të paraburgosurve është në rritje edhe krahasuar me të dënuarit me burgim.
Aktualisht, numri i grave në burgje është 67 (30 të dënuara dhe 37 të paraburgosura), numri i të miturve është 13 (3 të dënuar dhe 10 të paraburgosur) dhe numri i të burgosurve në sistem është 5006, prej të cilëve: 2251 të dënuar dhe 2797 të paraburgosur.
Përdorimi i zgjeruar i arrestit me burg (paraburgimit), është një simptomë e cila mund të rrezikojë mbrojtjen e të drejtave të të paraburgosurve, si rezultat i kushteve të dobëta infrastrukturore që kanë një pjesë e IEVP-ve dhe kapaciteteve të kufizuara për akomodimin, duke krijuar në jo pak raste mbipopullim shqetësues.
Sa kaq, referuar të dhënave të publikuara në vjetarin statistikor të Ministrisë së Drejtësisë, konstatohet se masa e sigurisë “arrest me burg” zbatohet në përqindje të lartë edhe kur të ndaluarit akuzohen për vepra penale që nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Gjithashtu, në referencë të këtyre të dhënave grupi i auditimit konkludon se përqindja e procedimeve të pushuara dhe pezulluara është më e lartë se ajo e procedimeve që shkojnë për gjykim në përfundim të hetimeve paraprake.
Sipas nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, “arresti me burg” konsiderohet masa e fundit (ultima ratio) e cila mund të caktohet nga gjykata vetëm kur çdo masë tjetër sigurimi është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veprës dhe të pandehurit.
Gjykata e Lartë, përmes një vendimi unifikues, ka konkluduar se masa e sigurimit “arrest me burg”, mund të zbatohet vetëm kur i pandehuri procedohet për vepra penale për të cilat ligji cakton dënimin me burgim më të lartë se një vit, si dhe për efekt parandalimi.
Për të qenë i ligjshëm caktimi i masës së sigurimit personal “arrest me burg”, duhet të ekzistojë në ngarkim të personit në fjalë një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova që personi ka kryer një vepër penale; të ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; të ekzistojë risku se i pandehuri mund të largohet; të ekzistojë rreziku që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
Keqtrajtimi i të paraburgosurve me sëmundje mendore
Masat e sigurimit ndahen në masa të sigurimit personal (shtrënguese dhe ndaluese) dhe ato të sigurimit pasuror.
Referuar pikës “e” të nenit 232 të Kodit të Procedurës Penale, Ligji nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”, në nenin 16 të tij, parashikon institucionet mjekësore të posaçme, si një nga llojet e institucioneve në të cilat do të kryhet ekzekutimi i vendimeve penale.
Ndërkohë që, Rregullorja Europiane e Burgjeve përcakton që: “Personat që vuajnë nga sëmundje mendore dhe ata që për shkak të gjendjes së shëndetit të tyre mendor mendohet se nuk do ta përballojnë mjedisin e burgut, duhet të dërgohen në një mjedis të ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Nëse persona të tillë mbahen në burg, pavarësisht kësaj rregulle, atëherë duhet të ekzistojnë rregullore që marrin parasysh statusin dhe nevojat e tyre”.
Nga vizitat në terren, grupi i auditimit konstatoi se në IEVP Lezhë (Shënkoll) ishin të akomoduar 369 pacientë, për të cilët gjykata kishte vendosur masën “mjekim i detyruar”. Këta individë ndodheshin të akomoduar në dy godina, përkatësisht në godinën 4 dhe 5, në kushte të papërshtatshme për pacientë
me çrregullime mendore që kanë nevojë për trajtim të specializuar. Si pasojë e mbipopullimit, shpeshherë këta individë ishin të vendosur në dhoma të mbingarkuara, me pacientë të cilët kanë sindroma psikosomatike, model sjelljeje dhe çrregullime mendore nga më të ndryshmet dhe të përshkallëzuar.
Stafi mjekësor në dispozicion të tyre përbëhej vetëm nga dy mjekë dhe trajtimi i tyre nuk ishte i diferencuar nga të burgosurit e tjerë, duke marrë në konsideratë statusin dhe nevojat e tyre. Për rrjedhojë, ky trajtim joadekuat i këtij target grupi, jo vetëm që bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe vendimet e GJEDNJ, por ndikon negativisht në përkeqësimin e shëndetit mendor të këtyre individëve.
Lidhur me këtë fakt, në çështjen Dybeku kundër Shqipërisë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se kishte pasur shkelje të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës, duke gjetur në veçanti se natyra e gjendjes psikologjike të parashtruesit e kishte bërë atë më të ndjeshëm se të ndaluarit e rëndomtë dhe se ndalimi i tij mund t’i ketë acaruar ndjenjat e tij të shqetësimit, ankthit dhe frikës.
Fakti që qeveria shqiptare pranoi që i pandehuri ishte trajtuar si të burgosurit e tjerë, pavarësisht gjendjes së tij të veçantë të shëndetit, po ashtu tregoi dështimin në përmbushjen e rekomandimeve të Këshillit të Evropës për trajtimin e të burgosurve me sëmundje mendore.
Nga ana tjetër, në nenin 230 të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohen kriteret e veçanta për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ligjvënësi ka parashikuar që: “2. Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm”.
Kjo për faktin se, alkooli dhe droga ndikojnë në sjelljen e përdoruesit dhe ato mund të shkaktojnë sjellje të pakontrolluara dhe varësi. Në disa vende ky target grup konsiderohen pacientë që kanë nevojë për kujdes, pasi sjellja e tyre e kundraligjshme diktohet nga stimuli që mund t’ju jap përdorimi i substancave të ndryshme dhe nëse ata nuk mjekohen mund t’u rikthehen sjelljeve të agresive dhe të kryejnë sërish krime.
Sondazhi: Nuk prezumohet pafajësia, denigrohen të arrestuarit
Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut (GJEDNJ), në argumentet e përdorura në vendimet e saj shprehet gjithashtu se prezumimi i pafajësisë kërkon, ndër të tjera, që procesi mos të iniciojë me idenë e paracaktuar se personi nën hetim e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Pavarësisht rëndësisë që paraqet ky parim në zhvillimin e proceseve hetimore, shfaqja e personave me imazhe dhe të prangosur në media në momentet e “arrestit në flagrancë” dhe “ndalimit si të dyshuar për një krim”, përdorimi i epiteteve të ndryshme me qëllim krijimin e lajmeve “atraktive”, si dhe referimi me emër të plotë i tyre, krijojnë risk potencial për cenim të respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe mund të ndikojë negativisht në imazhin publik të një individi. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe GJEDNJ nëpërmjet vendimmarrjes së saj.
Me qëllim vlerësimin e impaktit publik lidhur me rolin e medias në çështjet penale, grupi auditimit hartoi një pyetësor për qytetarët, të cilit ju përgjigjën 261 të anketuar. Sa më lart parashtruar, 80.3% e personave të anketuar mendojnë se publikimi i rasteve të personave të arrestuar/ndaluar në media
cenon imazhin e tyre dhe mund të ketë impakt negativ në rehabilitimin dhe ri-integrimin e këtyre individëve sërish në shoqëri dhe tregun e punës, duke ndikuar kështu direkt në cilësinë e jetës së tyre, pavarësisht faktit nëse në përfundim të hetimeve do të shpallen të pafajshëm apo do të dënohen për
veprën penale të ngarkuar.
Ndërkohë që, 68.3% e personave të anketuar mendojnë se publikimi i personave në rastet e arrestimit me imazhe në media nuk ju duket i drejtë. Sa kaq, prezantimi në media i të dhënave personale të individëve, si fotografi apo filmime ku shfaqen të prangosur duke dalë nga një fugon policie për tu futur në DVP, apo referimi i tyre si fajtorë të një krimi, qysh në momentin e ndalimit/ arrestimit, duhet të vlerësohet në dy drejtime: së pari në të drejtën e këtyre personave për tu prezumuar të pafajshëm deri në përfundim të hetimeve dhe së dyti në kuadër të ruajtjes së të dhënave personale.
Të privuar nga takimet me familjen
Ndër të drejtat që ju njihen personave të paraburgosur, kujdes i veçantë në aktet e sipërcituara i kushtohet ruajtjes, përmirësimit ose rivendosjes së lidhjeve të të paraburgosurit dhe të të dënuarve me familjen, takimeve dhe vizitave.
Ndërkohë, neni 40 i Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, përcakton që: “2.Takimet e zgjatura lejohen deri në 5 orë për të dënuarit e martuar ose bashkëjetues, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kodin e Familjes”.
Sa më sipër, pavarësisht se ligji i barazon në të drejta personat e dënuar dhe të paraburgosur, Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, në kundërshtim me ligjin, i njeh të drejtën për takime të zgjatura vetëm personave “të dënuar” në mënyrë eksplicite. Lidhur me këtë fakt, pavarësisht se në hierarkinë e burimeve të së drejtës, akti ligjor prevalon në raport me aktet nënligjore, aktualisht, në të gjitha IEVP-të e drejta për takim të zgjatur ju mundësohet vetëm personave “të dënuar” dhe jo personave “të paraburgosur”.
Zbatimi i këtij përcaktimi ligjor të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, i cili bie ndesh edhe me Ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”, u mohon një të drejtë esenciale personave të paraburgosur, në kuadër të ruajtjes së lidhjeve me familjen. Për individin, paraburgimi ka efekte të rënda psikologjike. Për rrjedhojë niveli i vetëvrasjeve midis të ndaluarve në paraburgim është disa herë më i lartë se të burgosurit e dënuar.
Punojnë me kontrata të parregullta
Nga shqyrtimi i kontratave të punës midis “të paraburgosurve” dhe IEVP-së, grupi auditimit konstatoi pasaktësi në përpilimin dhe nënshkrimin e tyre. Në 6 nga 17 kontratat e shqyrtuara nga grupi i auditimit, mungonte data e fillimit të fuqisë juridike të tyre, si dhe numri i llogarisë bankare ku do të kalojnë të ardhurat e fituara nga punësimi i të paraburgosurit.
Discussion about this post