Shqipëria luan sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Në orën 18:00, kuqezinjtë përballen me Bjellorusinë në Budapest, në sfidën e fundit të grupit C1.
Skuadra shqiptare është shumë pranë objektivit historik, pasi një barazim do të mjaftonte për të siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën B.
Megjithatë, në kampin kuqezi nuk mendojnë të bëjnë llogari. Objektivi është fitorja dhe mbyllja e këtij rrugëtimi me tri pikë, të cilat do të ndihmonin edhe pozicionimin e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s.
Kombëtarja ka udhëtuar drejt kryeqytetit hungarez pas përgatitjeve në Tiranë, ndërsa seancën e fundit stërvitore e ka zhvilluar në Budapest.
Për këtë takim, Shqipëria do të ketë dy mungesa të rëndësishme. Ernest Muçi është jashtë për shkak të dëmtimit, ndërsa Ylber Ramadani nuk do të jetë në dispozicion pasi ka plotësuar numrin e kartonëve.
Pavarësisht mungesave, kuqezinjtë synojnë të konfirmojnë ecurinë pozitive dhe të shkruajnë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.
Gjithçka vendoset sot në Budapest, aty ku Shqipëria ka dy rezultate në favor për të arritur objektivin: fitoren ose barazimin.









Discussion about this post