Që në orët e para të mëngjesit është në zhvillim një operacion i përbashkët mes Drejtorisë Rajonale Antimafia të Barit (DDA) dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK), në kuadër të një Ekipi të Përbashkët Hetimor, me mbështetjen dhe koordinimin e Eurojust.
Mësohet se janë firmosur 15 urdhra ndalimi, 11 prej tyre me masë arresti me burg, 1 ‘arrest shtëpie’ dhe 3 detyrim me paraqitje.
Sipas informacioneve, ndër personat e arrestuar janë Ergys Kastrati alias Bishja dhe Igli Kamberi,ky i fundit i cilësuar si koka e grupit të pastrimit të parave.
Ergys Kastrati, prej 2 vitesh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, bashkë me gruan e tij dhe 2 shoferë që transportonin para. Bishja u arrestua në një vilë pranë TEG-ut.
Ndërkohë, në Itali masa e sigurisë i është komunikuar edhe kreut të grupit kriminal Igli Kamberi, i arrestuar në korrik 2025 në Hungari i dyshuar ndër të tjera edhe për vrasjen e një 26-vjeçari në Berletta të Italisë në vitin 2025.
Ishin hetimet për këtë vrasje që çuan në zbulimin e këtij rrjeti kriminal dhe aktivitetit të pastrimit të parave, të cilat nga Italia silleshin në Shqipëri me mjete të ndryshme transporti.
Operacioni ka në fokus persona të dyshuar për përfshirje si në vrasjen e të riut italian Francesco Diviesti, ashtu edhe në një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë.
Hetimet po përqendrohen në një organizatë kriminale që dyshohet se vepronte në mënyrë të qëndrueshme mes dy brigjeve të Adriatikut, me bazë në Tiranë dhe aktivitet kryesor transferimin e paligjshëm të shumave të mëdha të parave nga Italia drejt Shqipërisë.
Mbi 680 mijë euro të sekuestruara në pikën kufitare të Muriqanit ndërsa po tentohej të futeshin në Shqipëri me një automjet, dyshohet se i përkasin pikërisht grupit të Kamberit.










Discussion about this post