Dritan Agolli, kreu i FSHZH, do t’i bëjë vetes së tij dhuratë për festat e fundvitit, po ka menduar edhe për kolegët e tij, ministrin Malaj dhe kryepolicin Proda. Ai do të shpenzojë brenda këtij muaji 612 milionë lekë për mobilie, një pjesë për zyrën e tij dhe një pjesë për zyrën e ministrit të Financave, Petrit Malaj, si dhe për zyrën e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Blerja e këtyre mobilieve është e ndarë në dy tenderë.
Prokurimi i parë ka si objekt : “Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim”, në të cilin nuk specifikohet, nëse sendet duhen për ndonjë zyrë të ndonjë institucioni tjetër, çka të lë të mendosh që Agolli i do për zyrën e tij.
Për të blerë këto pajisje, drejtor Agolli do të shpenzojë mbi 62 milionë lekë pa llogaritur TVSH, pasi nuk dëshiron ta pres vitin e ri me arredimin e vjetër.
Sikur të mos mjaftonte kjo shumë parash, që po ikën për qejf të zyrtarëve që rinovojnë zyrat, vërejmë në dokumente se tenderi është dhënë pa garë.
Vetëm operatori “M. LEZHA” SHPK N rezulton të ketë dërguar një ofertë me vlerë rreth 46 milionë lekë. Me këto kushte tenderi duhej anuluar, pasi ligji kërkon pezullim procedurash në mungesë konkurrence. Në Shqipëri mobileritë janë të panumërta, por Agollit iu përgjigj vetëm njëra! Ndërkohë Agolli nuk e ka lodhur shumë komisionin për vlerësimin e ofertave, por menjëherë ka shpallur fituese firmën në fjalë.
Më datë 16 dhjetor 2024, kontrata është publikuar në buletinin e afishuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Nuk dimë të japim një shpjegim se si APP regjistron pas asnjë kontroll tenderët abuzivë, por ndoshta ia kanë varur detyrës. Mundet që stafi aty të shkurtohet dhe të dalë pa “punë”, sepse Kryeministri Rama do të sjellë Inteligjencë Artificiale për tenderat!
Miliona pёr karrigen e Prodës dhe të Malajt
Sapo mbylli pazaret për zyrën e tij, Agolli ka hapur një tjetër tender me objekt ‘BLERJE ORENDISH DHE PAJISJESH PËR MOBILIM’, me fond limit shumë më të lartë 550 MLN lekë. Këtë herë do të blejë mobilie për zyrën e Ministrit të ri të Financave, Petrit Malaj dhe për zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Janë zyrtarë të rinj këta, nuk mund të punojnë me mobilie të vjetra.
“Gara” është hapur më 19 nëntor 2024 dhe pritet që tenderi të mbahet nesër (më 19 dhjetor 2024).
Nuk dihet se kush do të jetë fituesi, por është tepruar që bëhet një shpenzim prej 550 milionë lekë për të blerë karrige me rroga, tavolinë, kolltukë dhe rafte për zyrtarët e rinj në ato poste. Ndërsa vëmë re që sa herë qeveria ndryshon drejtorët dhe ministrat, secili prej tyre që vjen merr mobilim të ri zyre. Epo, këto janë shpenzime luksi të pajustifikueshme!
Në fund duam të kujtojmë se këto lloj tenderash duhet t’i bëjë ministri Blendi Gonxhe përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Pra, nuk kuptohet përse me këtë punë merret Fondi Shqiptar i Zhvillimit me drejtor Dritan Agollin. Ç’lidhje kanë mobiliet e Prodës dhe të Malajt me zhvillimin?! Fondi Shqiptar i Zhvillimit është organizatë zhvillimore, e themeluar më 1993 për zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar.
Ia kujtojmë Dritan Agollit objektin e punës, sipas vendimit të qeverisë, sepse mund t’i duhet edhe kur të shkojë në SPAK.
Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Dritan Agolli po hetohet nga organi më i lartë i akuzës për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.
Gara kompromentohet për shkak se Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH Flladi Agolli në restorantin e tij në Hamallaj i regjistruar me emrin “Beach Bedoun Bar”.
Vetë faqja zyrtare e restorantit ka ndarë në rrjetet sociale foto ku Alfio shfaqet me gatime që janë specialitet i këtij restoranti dhe me uniformën e shefit ku anash shkruhet edhe emri i tij.
Firma fituese është një bar restorant i njohur me emrin “Kripë dhe Piper” që ndodhet përballë godinës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit në rrugën Sami Frashëri në kryeqytet. Ky ambient frekuentohet nga zyrtarë të niveleve të ndryshme që punojnë në FSHZH.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post