Radio Evropa e Lirë ka gjetur se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin për rolin e saktë të tij.
Në gusht të vitit 2025, përmes një njoftimi të shkurtër, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) bëri të ditur se përfaqësuesja e atëhershme speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kishte pritur shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Ilia Uvarov.
Ndërkohë, emri i Uvarovit, si i emëruar për Kosovën, përmendet në listën e përditësuar të misioneve të huaja në Serbi – një praktikë që lidhet me faktin se Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, ndërsa shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shpesh i menaxhojnë marrëdhëniet diplomatike përmes Beogradit.
Ajo që e vendos emrin e Uvarovit në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga Molfar Intelligence Institute – një organizatë ukrainase që merret me analiza të burimeve të hapura dhe, në disa raste, edhe me dokumente të rrjedhura nga Rusia.
Në këtë databazë, Ilia (Ilya) Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT (Zbulim nga territori) të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”.
Emri dhe të dhënat e Ilia Uvarovit në databazën e publikuar nga Molfar për persona të dyshuar për lidhje me inteligjencën ruse.
Sipas organizatës, databaza është ndërtuar mbi materiale të siguruara nga një burim i brendshëm në një kompani teknologjike në Moskë dhe përmban emra diplomatësh dhe punonjësish të inteligjencës.
Një pjesë e të dhënave, sipas saj, është verifikuar përmes krahasimit me regjistra shtetërorë, por vetë organizata thekson se konfirmimi i plotë i roleve specifike mbetet i vështirë.
Instituti Molfar i tha REL-it se Departamenti RT “lidhet me operacione të inteligjencës që zhvillohen nga territori rus dhe që shpesh përdorin mbulesa diplomatike apo institucionale për të krijuar kontakte me zyrtarë të huaj, biznesmenë e të tjerë”.
REL-i nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt me Ilia Uvarovin për të marrë një qëndrim lidhur me këto të dhëna.
Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e saj zyrtare të emailit, e as Ambasada ruse në Beograd.
Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka informacione që Uvarov mund të jetë i lidhur me inteligjencën ruse.
Kush është Uvarov?
Karriera diplomatike e Uvarovit, që besohet të ketë nisur qysh në vitin 2000, përfshin disa poste në vende të ndryshme.
Në dokumente zyrtare, ai shfaqet fillimisht në vitin 2011 si pjesë e stafit diplomatik rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, të dhënat më të dukshme për aktivitetin e tij lidhen me misionin diplomatik në Moldavi.
Atje, ai ka shërbyer si konsull në Ambasadën ruse në Moldavi.
Rol të rëndësishëm ka pasur edhe në strukturat e territorit të shkëputur moldavian – kryesisht rusishtfolës dhe prorus – të quajtur Transnitri, që Moldavia e konsideron pjesë të saj.
Në këtë territor ekziston Komisioni i Përbashkët i Kontrollit, i cili mbikëqyr zonën e sigurisë në Transnistri dhe përbëhet nga përfaqësues të Rusisë, Moldavisë dhe Transnistrisë.
Në vitin 2017, Uvarov u zgjodh bashkëkryesues i këtij komisioni si përfaqësues i Rusisë. Këtë post e mbajti deri në vitin 2019.
Komisioni është përgjegjës për monitorimin e zonës së sigurisë përgjatë lumit Dniestër (Nistru) që pas luftës së vitit 1992.
Sipas të dhënave që ka grumbulluar Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2017, Uvarov mbështeti rihapjen e një ure mbi Dniestër, pavarësisht kundërshtimit të administratës separatiste të Transnistrisë.
Ura ishte rindërtuar me fonde të Bashkimit Evropian.
Sipas një ish-zyrtari të Qeverisë së Moldavisë, Uvarov është kthyer më vonë në Moskë pikërisht për faktin se ka mbështetur rihapjen e urës dhe mbajtjen e saj të hapur.
Përveç kësaj, sipas mediave në rajonin e Transnistrisë, Uvarov ka punuar më herët edhe në vende të tjera ish-sovjetike, si dhe në Shtetet e Bashkuara.
Çfarë ndodh kur një zyrtar i inteligjencës vepron nën mbulim diplomatik?
Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë thonë se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës, është praktikë e njohur, por se në rastin e Rusisë ajo është “më e përhapur dhe më intensive”.
“Pothuajse nuk ka ambasadë në botë që të mos ketë një rol të caktuar të inteligjencës”, thotë Mark Galeotti, profesor britanik në University College London (UCL) dhe ekspert për krimin transnacional dhe çështjet e sigurisë ruse.
Ai thekson se, shpesh, është e vështirë të bëhet dallimi mes një diplomati dhe një oficeri të inteligjencës, por se karriera mund të japë indikacione.
Nëse një diplomat ka një numër të madh postesh jashtë vendit, kjo ndonjëherë mund të japë indikacione për një rol në inteligjencë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Galeottit, një mision si ai në Kosovë “duket si një bazë e përsosur për oficerë të inteligjencës, që më pas mund të udhëtojnë nëpër rajon”.
Ai shton se rëndësia e këtij misioni lidhet me kontekstin më të gjerë gjeopolitik.
“Ka rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie relativisht të mira me Perëndimin… nuk ka të bëjë aq shumë me vetë Kosovën. Ka të bëjë me përdorimin e Kosovës si bazë, për të parë se çfarë mund të zbulohet rreth asaj që NATO-ja dhe vendet e tjera perëndimore po bëjnë dhe po mendojnë”, thotë Galeotti.
Ai paralajmëron edhe për ndryshimet në mënyrën e operimit të shërbimeve ruse pas dëbimit të qindra diplomatëve nga Evropa, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022.
“Ata po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit… njerëz që rekrutohen për të kryer detyra të caktuara, shpesh pa e ditur për kë punojnë”, thotë ai.
ë të njëjtën linjë, eksperti britanik për Rusinë, Keir Giles, thotë se praktika e përdorimit të zyrtarëve të inteligjencës nën mbulim diplomatik, është e përhapur globalisht, por se Rusia dallohet për shkallën e saj.
“Shumë vende vendosin oficerë inteligjence nën mbulesë diplomatike… por në rastin e Rusisë, një përqindje e madhe e diplomatëve janë në fakt oficerë inteligjence”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se vendet përballen me një dilemë kur i identifikojnë këta persona: t’i dëbojnë apo t’i mbajnë nën vëzhgim.
“Ka rrethana të caktuara, në të cilat agjencitë vendase të kundërzbulimit do të jenë në dijeni të identitetit të një oficeri të inteligjencës nën mbulesë diplomatike, por do të vendosin të mos veprojnë kundër tij përtej vëzhgimit të aktiviteteve të tij”, thotë Giles.
Sipas tij, në raste si Kosova, ku kontrolli institucional mbi këtë mision diplomatik është i kufizuar, situata bëhet edhe më komplekse.
“Kur një vend nuk kontrollon kush hyn në territorin e tij… kjo paraqet një cenueshmëri potenciale”, thotë ai.
Ndërkohë, në anketat e vazhdueshme në Kosovë, për shumicën e popullatës, Rusia vazhdon të shihet si një faktor me rrezik për vendin.
Një raport i vitit 2024 i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), që analizon narrativin e politikës së jashtme ruse kundrejt Kosovës, thotë se Moska e sheh Kosovën njëkohësisht si simbol të ndërhyrjes perëndimore, si çështje sigurie për Serbinë dhe si precedent në të drejtën ndërkombëtare.
“Në thelb, pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës pasqyron rivalitetin e saj gjeopolitik me Perëndimin, i cili nën udhëheqjen e presidentit [Vladimir] Putin është thelluar ndjeshëm, veçanërisht përmes përpjekjeve për të forcuar ndikimin në Ballkanin Perëndimor, duke qëndruar në solidaritet me Serbinë”, thuhej në atë raport.
Edhe raporti “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, vlerësoi se Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka, nga Bosnja dhe Hercegovina”.
Çfarë bën Zyra ruse në Kosovë?
Në Kosovë, Uvarov drejton një mision që funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatike.
Zyra Ndërlidhëse e Rusisë është themeluar në vitin 2005, në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja.
Ajo funksionon nën ombrellën e UNMIK-ut dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës.
Stafi i saj nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ.
Edhe ambientet e saj janë të paprekshme nga autoritetet lokale.
Kjo e bën këtë mision një nga më pak transparentët në Kosovë.
Për vite me radhë, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun. Informacionet e pakta që ekzistojnë, lidhen kryesisht me takime me misione ndërkombëtare.
Megjithatë, në vitin 2021, autoritetet e Kosovës shpallën “non grata” dhe dëbuan dy diplomatë rusë të lidhur me këtë zyrë, duke thënë se kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.
Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Zyrës së Rusisë në Kosovë mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe.
Vetë Kisha Ortodokse Serbe thotë se përfaqësuesit e saj në Kosovë kanë kontakte të rregullta me misionet ndërkombëtare, si KFOR-i, OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja dhe vendet e Quint-it, por se këto kontakte lidhen me çështje të sigurisë, jetës së përditshme dhe funksionimit të institucioneve kishtare, e jo me politikë.
Sa i përket Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Kisha tha për REL-in se, viteve të fundit, nuk ka pasur vizita formale, por vetëm vizita të herëpashershme të stafit të saj në objekte fetare, së bashku me familjarë, kryesisht për shërbesa dhe vizita fetare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it as nëse ka komunikim me këtë zyrë dhe diplomatët e saj, as për mënyrën se si funksionon ky mision diplomatik.
Për rolin e saktë të kësaj zyre në Kosovë, nuk foli as UNMIK-u.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OKB-ja tha se “nuk komenton për përbërjen apo aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”./ REL










Discussion about this post