Një kompani nafte me seli në Zvicër, “Terraoil Swiss AG”, e cila u shpall nga qeveria shqiptare fituese e koncesionit për vendburimet e hidrokarbureve në Cakran të Fierit, e lidhur me gjigandin shtetëror rus “Gazprom”, si edhe një zyrë konsulencë në pronësi të ish-agjentit të FBI-së, Charles Mc Gonigal, i dyshuar nga autoritetet amerikane për lidhje të ngushta me interesat e Moskës, ndajnë të njëjtën zyrë në Tiranë.
Ndoshta rastësi. Por në një situatë të ngarkuar, kur flitet gjithnjë e më shumë për një ekspansion të spiunazhit dhe interesat ruse në vende të ndryshme të botës, sidomos pas pushtimit të Ukrainës, rastësitë nuk janë edhe aq shumë të tilla. Prej muajsh, opinioni publik shqiptar po ngarkohet në mënyrë periodike me histori thriller-ash, që në një mënyrë ose tjetër lidhen me Rusinë e Vladimir Putinit. Shkëndija e parë për konsum publik u ndez në Tetor 2021, kur një ish-gjeneral rus, Sergei Burenkov dhe tre anëtarë të tjerë të familjes së tij, u gjetën pa jetë në pishinën dimërore të një hoteli, në plazhin e Golemit.
Më tej, në Gusht 2022, tre të rinj, dy rusë dhe një ukrainas, u arrestuan nën dyshimet për spiunazh, pasi u gjetën duke fotografuar Uzinën e degraduar të Armëve në fshatin Çekinë të Gramshit. Përtej historive “alla-007”, spiunazhi me fotografime bazash të shkatërruara duket se i përket një periudhe që e ka mbyllur etapën e saj me rënien e Murit të Berlinit. Spiunazhi ndërkombëtar tashmë luhet në rrafshin ekonomik, në përdorimin e miliona dollarëve për të ndikuar politika e për të emëruar dhe kontrolluar zyrtarë të lartë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se Rusia e Putinit përdor potencialet monetare për të injektuar politikën e saj në vende të ndryshme të botës. Nuk ka më fotografime poshtë pardesysë apo “Xhejms Bond-a” të parfumosur e të shoqëruar nga partnere të bukura. Gjithçka rrotullohet rreth parasë.
Miku i Ramës në rrjetën ruse
Pak ditë më parë, gazeta “Insider” publikoi të dhëna ekskluzive mbi një hetim të prokurorëve amerikanë për lidhjet e mundshme të ish-zyrtarit të lartë të Byrosë Federale të Investigimit (FBI), Charles McGonigal, me fonde që vinin nga qeveria ruse e Vladimir Putinit. Gazeta thotë se në dosjen ndaj tij ka një e-mail ku ish-agjenti ishte përpjekur të organizonte një takim mes Ramës dhe një kompanie amerikane. Kjo e fundit, ishte piketuar nga Rama për tu përfshirë në një nismë kundër korrupsionit. Por, FBI nuk e ka dhënë aprovimin për takimin dhe takimi nuk u zhvillua. Kryeministri Edi Rama e pranoi publikisht se ishte mik me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Mc Gonigal. Por, natyrisht ai mohoi çdo lloj lidhjeje të tij me fonde apo interesa ruse.
Charles Mc Gonigal, i cili ka mbajtur detyrën e Kundër Spiunazhit në FBI, rezulton se është aksioner me 25 përqind në një zyrë konsulence në Tiranë. “Law office & Investigation” është regjistruar në Shqipëri në vitin 2008, nga avokati shqiptar Shefqet Dizdari. Në prill të vitit 2019, ai shet një pjesë të aksioneve të tij tek tre persona të tjerë. I pari ishte Charles Mc Gonigal, ish-agjenti i FBI-së që tashmë po hetohet nga prokurorët amerikanë për lidhje me interesat ruse.
Ekstrakti i subjektit “Law Office & Investigation”, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit
I dyti është ish-kolegu i tij në FBI, Mark Thomas Rossini, i cili është nën hetim nga autoritetet në Porto Riko për mashtrim, pastrim parash dhe konspiracion. Aksioneri tjetër është Agron Neza, një shqiptaro-amerikan me banim në Nju Xhersi, emri i të cilit shfaqet në dokumentat e prokurorëve amerikanë. Në atë dokument gjendet emri i një shqiptari tjetër, Dorian Duçka, i cili prej vitesh punon si këshilltar i jashtëm për investimet në zyrën e kryeministrit Edi Rama.
Prokurorët amerikanë që po hetojnë Charles McGonigal, përmendin emrat e shqiptarëve Edi Rama, Agron Neza dhe Dorian Duçka Afrimi i aksionerëve të rinj të zyrës së konsulencës “Law office & Investigation” përkon thuajse në të njëjtën periudhë, kur Mc Gonigal ka kryer tentativat për afrimin e Edi Ramës me kompaninë amerikane. Aktualisht, zyra këshillimore rezulton me status “Pezulluar” në Qendrën Kombëtare të Biznesit, prej nëntorit të vitit 2019.
Adresa e saj, sipas dokumentave zyrtarë, është: “Rruga Ismail Qemali, Pallati “Fratari”, ap. 8/A”. Saktësisht në të njëjtën adresë, “Rruga Ismail Qemali, Kulla Fratari, Nr.27, Ap 8-A”, gjendet selia qendrore e shoqërisë “Terraoil Swiss”, filiali shqiptar i kompanisë zvicerane “Terraoil Swiss AG”. Përfaqësuesi ligjor i kompanisë së naftës në Shqipëri është avokati Shefqet Dizdari, i cili është njëkohësisht edhe ortak me ish-zyrtarin e FBI-së, Mc Gonigal, në zyrën e konsulencës.
Nafta shqiptare dhe interesat ruse
Kompania “Terraoil Swiss”, e cila më parë njihej me emrin “Transoil Group”, është shpallur fituese e një procedurë të dyshimtë për dhënien me koncesion të fushave me burime hidrokarburesh në rrethinat e Fierit.
Kompania “Terraoil Swiss” gjendet në të njëjtën adresë me subjektin “Law Office & Investigation”
Agjencia rajonale mediatike, “Birn” ka raportuar më herët për dyshimet mbi procedurat e ndjekura nga qeveria shqiptare dhe për lidhjet e “Transoil” (aktualisht Terraoil), me kompaninë shtetërore të naftës ruse, “Gazprom”. Në qershor të vitit 2018, Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG – e lidhur me kompaninë ruse Gazprom Neft dhe atë serbe NIS.
Më 9 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë me kompaninë Transoil Group AG – e cila që nga viti 2012 nëpërmjet degës së saj në Shqipëri, Transoil Group Sh.a, kontrollon gjithashtu fushën naftëmbajtëse të Visokës.
Negociatat pasojnë finalizimin e një gare të mbajtur më 31 mars nga Albpetrol, ku Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse. Kompania fituese, Transoil Group ka lidhje biznesi me kompaninë Gazprom Neft në pronësi të gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom. Diçka e tillë provohet, ndër të tjera, edhe nga një letër e administratorit të “Transoil” (sot “Terraoil”) në Shqipëri, Shefqet Dizdari, e publikuar më herët në media.
Në një Memo që i drejtohet zëvendës-drejtorit të përgjithshëm për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar të Gazprom Neft, Vladislav Baryshnikov, Dizdari ankohet se në shkelje të etikës dhe të marrëveshjeve të besimit, përfaqësuesi i “Gazprom” në Novi Sad, Igor Tarasov, po tenton ta përfshijnë gjigandin rus të naftës në mënyrë të fshehtë në tregun shqiptar, të ‘kamufluar si kompania austriake ‘Jurimex’.
Media shqiptare zbuloi një “Notë Verbale” të përfaqësuesit të “Terraoil”, Shefqet Dizdari, drejtuar “Gazprom Neft”
Sipas Dizdarit, kjo ndërhyrje është kundër praktikave ndërkombëtare dhe mirëbesimit, pasi “Gazprom Neft”, pra kompania bijë e “Gazpromit”, tashmë kishte krijuar raporte biznesi me “Transoil”. Më tej, Dizdari i kujton shefit të madh të “Gazprom Neft” se kanë diskutuar këtë çështje më herët në një takim në selinë qendrore të kompanisë, në Shën Petersburg.
Nga ana tjetër, ai e informon se shqetësimet për ndërhyrje “pas krahëve” të përfaqësuesit të “Gazprom” në Novi Sad, Igor Tarasov, ia ka përcjellë edhe ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë. Kontrata koncensionare u bë objekt i një debati të gjatë gjyqësor, pasi një kompani tjetër pjesëmarrëse në garë ngriti pretendime në gjykatë për shkelje të rregullave të tenderit, mos-plotësim kushtesh nga “Transoil” dhe konflikt interesi. Megjithatë, diçka duket fare qartë-kompania që përzgjodhi fituese qeveria shqiptare, “Transoil” (sot “Terraoil”) ka lidhje me interesat financiare ruse.
“Misteri” i gjeneralit të vdekur
Historitë e kohëve të fundit me elementin “Rusi” në Shqipëri, krahas atyre me sfond ekonomik, kanë prodhuar edhe ngjarje të mbuluara nga një hije misteri. Natyrisht, në krye të listës së “mistereve ruse” qëndron vdekja e një familjeje nga Moska, në një hotel në plazhin e Golemit, në Kavajë. Në 15 Tetor 2021, shtetasit rusë Sergei e Natalia Burenkov, vajza e tyre Ekaterina dhe dhëndri Nikita Belousov, u gjetën pa jetë në pishinën e mbyllur të hotel “Gloria”, në bregdetin e Adriatikut.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se ata kishin vdekur nga monoksidi i karbonit. Por, ekspertizat e thelluara teknike, konfirmuan se aparaturat e pishinës dhe uji ishin në kushte optimale. Prokuroria dhe Policia e Kavajës, pas gati një viti nga ngjarja e rëndë, nuk kanë ende asnjë përgjigje për shkakun e vdekjes së 4 rusëve. Tashmë, dyshimet kryesore qëndrojnë në një akt të mundshën spiunazhi, për faktin se Sergei Burenkov ka qenë gjeneral në ushtrinë ruse dhe besohet se është përfshirë në veprimtarinë e kundërspiunazhit. Megjithatë, ende është e paqartë se si është shkaktuar vdekja e tyre. Prokuroria ka regjistruar zyrtarisht hetime për “vrasje të katërfishtë”, por ende nuk ka ndonjë element për të provuar akuzën.
“Blogerët” rusë
Pa u shuar ende hija e misterit të vdekjes së 4 turistëve rusë në Golem, një tjetër ngjarje u regjistrua në Çekinë të Gramshit. Në kulmin e vapës së Gushtit 2022, opinioni publik shqiptar u bombardua me këtë histori spiunazhi. Tre të rinj, dy nga Moska dhe një ukranias, u arrestuan duke fotografuar uzinën ushtarake të degraduar të fishekëve në Gramsh.
Të rinjtë vijojnë të qëndrojnë në burg, nën dyshimet se kanë cënuar integritetin e bazave ushtarake shqiptare. Qeveria e përdori më së miri këtë dy rast, duke propaganduar se është e aftë të zbulojë spiunë rusë dhe nga ana tjetër, duke u treguar partnerëve të huaj se qeveria, me politikat e saj globale, e ka bërë Shqipërinë një vend të lakmueshëm për thriller-a ndërkombëtarë. Historia u përcoll në media si një skenar alla-Xhejms Bond-të rinjtë, me një makinë luksoze, që udhëtonte rrugëve rurale plot pluhur në fshatin Çekinë. Si në filmat e personazhit të famshëm britanik, edhe në këtë historinë shqiptare të verës, ishte një femër.
Tre të rinjtë këmbëngulin se janë blogerë, të apasionuar për fotografimin e objekteve relike të mbetura prej periudhës sovjetike në vendet e Europës Lindore. Deklarimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë nga gjykatat e dy niveleve në Shqipëri, të cilat kanë pranuar kërkesën e prokurorisë për hetimin e tyre në gjendje arresti.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post