Me 84 vota pro është miratuar dje projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit, si dhe për herë të parë vendoset si detyrim për bizneset online të deklarojnë NIPT-in në faqet e tyre.
Debati i Taulant Ballës me Erion Braçen
Socialistët rrëzuan një amendim të Erion Braçes, ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla premtoi që në seancat në vijim do të kishte propozime ligjore nga Ministria e Financave dhe Ministria e Turizmit, Sportit dhe Kulturës për të ndryshuar “Ligjin për sponsorizimet”.
Ai u kujtoi ministrave se qysh në shtator, kryeministri Rama u kishte dhënë urdhër të sillnin ligjin për sponsorizimet, ku sipas tij do të përfshihen më shumë kategori, siç është kultura dhe shkenca.
Balla ngriti shqetësimin se kampionatet shqiptare – nga futbolli te basketbolli – nuk mund të jenë konkuruese pa një kuadër ligjor që i lejon bizneset të investojnë dhe të mbështesin financiarisht klubet dhe aktivitetet kulturore.
“Apeli i djeshëm në Kuvend për nevojën e domosdoshme të një Ligji për sponsorizimet në sporte dhe në art. Nuk do mund të kemi më kampionate futbolli, basketbolli, etj konkuruese nëse biznesit nuk i krijohen mundësi ta mbështesë sportin, artin, etj. Pse ekipet tona nuk ecin përpara në kupat europiane? Shumë e thjeshtë përgjigjia. Duhet mbështetje. Modelet janë”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se vendet e rajonit dhe të Europës tashmë aplikojnë modele të suksesshme sponsorizimi, të cilat i kanë ndihmuar klubet të rrisin cilësinë dhe rezultatet në arenën ndërkombëtare.
Sipas Ballës, miratimi i këtij ligji nuk është vetëm një domosdoshmëri, por një hap i vonuar që duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të sportit dhe artit në Shqipëri.
Ja ndryshimi që u miratua
Në legjislacionin aktual, sponsorizimet në sport njihen si shpenzime të zbritshme vetëm për ekipet sportive deri në nivelin 5% të fitimit para tatimit. Me ndryshimin e propozuar, parashikohet që kjo kategori të zgjerohet, duke përfshirë edhe federatat sportive, komitete oplimpike dhe sportistët e nivelit të lartë, që kanë fituar tituj për meritë, me qëllim rritjen e mbështetjes financiare për sportin elitar dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive. Në këtë mënyrë, bizneset private do të kenë mundësi të njohin si shpenzim të zbritshëm sa trefishi i shumës së sponsorizuar, deri në kufirin 5% të fitimit para tatimit. Ky incentivim fiskal pritet të ndikojë në forcimin e sportit kombëtar dhe promovimin e vlerave sportive shqiptare brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në relacionin e projektligjit për ‘Tatimin mbi të Ardhurat. Këto lehtësi e ndryshime pasqyrohen edhe në nene të caktuara tek ligji i njohur si i ‘fiskalizimit’.
gijotina.com/










Discussion about this post