Qeveria kërkon të kapë mediat e pavaruara, sipas opozitës. Kuvendi miratoi me 72 vota pro, zero kundër dhe zero abstenim “Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”. Opozita braktisi sallën në momentin e votimit, ndërsa kryetari i Komisioni të posaçëm të Dezinformimit, Erion Braçe prezantoi strategjinë duke thënë se ky projektligj është proces që shënon etapë të re të ndërtimit të imunitetit demokratik të vendit tonë, përballë sfidave më të sofistikuara të shekullit siç janë ndërhyrjet e huaja keqdashëse dhe dezinformimi në hapësirën publike, institucionale dhe politike.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që kërcënimet ndaj demokracive moderne nuk shfaqen më në forma klasike. Dezinformimi, manipulimi i informacionit publik, depërtimi i interesave të huaja në procese zgjedhore apo sektorë kritikë të ekonomisë kombëtare janë kthyer në mjete efektive të ndikimit politik dhe strategjik, pa kaluar në forma të drejtpërdrejta të dhunës apo agresionit ushtarak”, tha ai.
Deputeti socialist u shpreh se Shqipëria si një vend kandidat për anëtarësimin në BE dhe anëtare e NATO-s nuk është imune ndaj këtyre formave të reja të ndërhyrjes. Sipas Braçes, pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë, tranzicioni i gjatë institucional dhe linjëzimi i qëndrimeve të qeverisë së Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare me vendimet e BE dhe NATO-s, e bëjnë vendin tonë të ekspozuar ndaj rreziqeve që vijojnë të jenë të pranishme dhe të shtohen.
“Duke qenë të vetëdijshëm për këto dinamika, dhe nevojën për t’i adresuar ato, Kuvendi vendosi ngritjen e një komisioni të posaçëm me një mandat të qartë që të koordinojë dhe mbikëqyrë veprimet institucionale për të adresuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike të vendit”, tha Braçe.
Bashkim të Shqipërisë në aleancën globale kundër dezinformimit që po përdoret si armë strategjike e cilësoi, deputeti Braçe miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Dezinformimit. Në fjalën e tij në seancë plenare Braçe tha se është e rëndësishme që e vërteta të mbrohet me seriozitet.
“Është më shumë se deklaratë politikash, është një vullnet i përbashkët demokratik i të drejtave themelore të qytetarëve dhe aspiratave integruese në një kohë kur dezinformimi nuk është vetëm një mjet propagandistik, por edhe një armë strategjike. Shqipëria nuk mund të jetë e papërgatitur. Ajo po i bashkohet aleancës demokratike duke afirmuar se transparenca dhe faktet do të mbrohen me të njëjtin seriozitet sa edhe kufijtë territorialë”, cilësoi Braçe.
Braçe evidentoi se Shqipëria është përballur prej vitit 2022 ku është përballur me sulme të huaja, kryesisht kibernetike si ai ndaj institucioneve të ndryshme, deri te Policia dhe Parlamenti, nga grupi i hakerave iranianë. Qëllimi i tyre sipas ligjvënësit, ishte cenimi i sigurisë së vendit nëpërmjet publikimit të informacioneve sekrete. Një prej sulmeve ai evidentoi edhe atë të fundit ndaj Bashkisë së Tiranës.
Në fund të fjalës së tij, deputeti Braçe falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në punën e Komisionit të Posaçëm, nga përfaqësues të institucioneve publike, deri tek akademikë, përfaqësues ndërkombëtarë, ekspertë të fushës kibernetike, ushtarake, të institucioneve të pavarura dhe deri tek faktori mediatik, mes tyre edhe gazetarë dhe botues të njohur.
Ndërsa opozita, e cila nuk u bë pjesë e komisionit të posaçëm të dezinformimit, përmes deputetes Ina Zhupa akuzoi mazhorancën se me këtë strategji ka synim kapjen e mediave dhe prerjen e kokave.
“Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe material strategji që e kam lexuar me vëmendje për çfarë do prodhonte, ishin klishe dhe i ngjanin programit të qeverisë, nga ekonomia te media, me qëllim të caktuar për të fshehur, por me qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik. Nuk pati vullnet për strategji, është injoruar gjatë gjithë kohës së procesit Komisioni i medias, që nuk kontrollohet nga ju dhe nuk plotëson oreksin tuaj”, tha deputetja.
gijotina.com/










Discussion about this post