Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në Komisionin për të Drejtat e Njeriut lidhur me hetimin e nisur nga SPAK për dyshimet mbi vjedhjen e fondeve të pensioneve në Postën e Durrësit. Ajo e cilësoi çështjen tepër të rëndë dhe kërkoi transparencë të plotë për fatin e parave të pensionistëve.
Gjatë fjalës së saj në komision, Tabaku theksoi se hetimi i njoftuar nga SPAK ngre shqetësime serioze dhe se institucionet duhet të japin shpjegime për atë që ka ndodhur me fondet e pensioneve.
“Sot SPAK njoftoi që ka nisur një hetim për sa i përket çështjes së vjedhjes së pensioneve në Postën e Durrësit. Kjo është një çështje shumë e rëndë. Është një çështje e cila kërkon transparencë”, deklaroi deputetja demokrate.
Tabaku e lidhi këtë rast me akuzat e mëparshme për abuzime me fondet publike, duke e cilësuar të papranueshme që dyshimet për vjedhje të përfshijnë edhe paratë e pensionistëve.
“Jemi mësuar që janë vjedhur fondet e rrugëve, të inceneratorit, janë vjedhur fonde kudo. Po të vjedhësh dhe lekët e pensionistëve, ky është një minimum i ulët, i ri që nuk e kishte arritur askush”, u shpreh ajo.
Deputetja kërkoi që Komisioni për të Drejtat e Njeriut të mos qëndrojë në heshtje përballë kësaj çështjeje, por të kërkojë informacion dhe sqarime nga institucionet përgjegjëse.
“Ne duhet që të flasim dhe unë kam nevojë të sqarohem për këtë çështje. Kemi nevojë që të marrim vesh çfarë ka ndodhur me fondet e pensionistëve në Durrës. Çfarë ka ndodhur me vjedhjen e parave”, theksoi Tabaku.
Deputetja e PD iu referua edhe pamjeve që kanë qarkulluar lidhur me drejtuesen e Postës së Durrësit, duke kritikuar njëkohësisht premtimet për bonuse ndaj pensionistëve në prag të zgjedhjeve.
“I kemi parë atje me lekë, drejtoreshën e Postës së Durrësit që tërhiqte thasët me lekë dhe pensionistët rrinë në radhë atje, numërojnë kacidet dhe ju thoni që do japim bonus në prill përpara zgjedhjeve. Për mua kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”. u shpreh ajo.
Tabaku, deklaroi se buxheti 2027 nuk përmban një plan për realizimin e premtimit për pensionin 400 euro dhe i kërkoi qeverisë të shpjegojë sa përfitojnë realisht familjet nga masat fiskale.
“Ku prezantohet minimumi jetik në këtë buxhet?”, pyeti Tabaku, duke kërkuar të sqarohet se çfarë ndryshimi konkret sjellin fondet e parashikuara për familjet shqiptare.
Për pensionet, deputetja kundërshtoi mbështetjen përmes bonuseve pa një reformë që, sipas saj, të garantojë rritje të qëndrueshme. Ajo deklaroi se premtimi për pensionin 400 euro nuk pasqyrohet në buxhet dhe e cilësoi rritjen e pensioneve përpara zgjedhjeve si “qokë elektorale”.









Discussion about this post