Deputetja e PD-së akuzon shumicën për ligje që pengojnë integrimin, kufizim të kontrollit parlamentar dhe presion ndaj drejtësisë e medias. Kërkon ndryshim të mënyrës së funksionimit të shtetit.
Shqiptarët kërkojnë më shumë Europë, ndërsa kryeministri Edi Rama kërkon gjithnjë e më shumë pushtet për veten. Ky ishte mesazhi kryesor i deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në deklaratën për mediat një ditë pas publikimit të Progres Raportit 2026 të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median dhe bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian deklaroi se kritikat e raportit pasqyrojnë shqetësimet e ngritura nga opozita dhe protestuesit për ligjet, llogaridhënien dhe funksionimin e demokracisë.
“Shqiptarët në shesh, që janë shumica e këtij vendi, po kërkojnë më shumë Europë”, u shpreh Tabaku, duke e vendosur këtë kërkesë përballë asaj që e cilësoi si përqendrim të pushtetit në duart e kryeministrit.
Në qendër të kritikave të saj ishin ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, investimet strategjike, Paketa e Maleve dhe ligji për portet strategjike. Sipas Tabakut, këto nisma favorizojnë interesa të veçanta, cenojnë konkurrencën dhe bien ndesh me angazhimet europiane të Shqipërisë.
Ajo akuzoi shumicën edhe për shmangie të kontrollit parlamentar, duke përmendur refuzimin e komisioneve hetimore për AKSHI-n, kontratat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, agjencinë KAYO dhe zgjedhjet.
“Kjo përbuzje për llogaridhënien nga ana e shumicës, që ka vendosur të shkelë edhe këshillën e Komisionit Europian, e ka kthyer Kuvendin në noter të dëshirave kryeministrore”, deklaroi ajo.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për presionin politik ndaj SPAK-ut dhe magjistratëve, si dhe për lirinë e medias. Ajo tha se i ka dërguar një shkresë Drejtorit të Policisë për incidentet mes gazetarëve dhe policisë, ndërsa kritikoi gjobat e AMA-s ndaj mediave dhe kërkoi pavarësi të rregullatorit.
Deputetja e PD-së kërkoi reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, dialog të mirëfilltë politik dhe barazi para ligjit për qytetarët dhe zyrtarët.
“Sot është koha për një qeveri tjetër, një Qeveri të Integrimit!”, përfundoi Tabaku.









Discussion about this post