Nga Agim Nesho
Opozita asnjëherë nuk e mendonte se mundja e një regjimi hajdut mund të bëhej lehtë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj ajo insistonte që ndryshimi duhet të vijë nëpërmjet një revolucioni demokratik. Sot u provua që regjimet e kalbura dhe të korruptuara jo vetëm nuk munden (me metoda demokratike), por ato me makinacionet e tyre duhet të tregojnë që janë popullorë dhe duhen nga shumica. Kjo është koha kur këto regjime zhveshin pamjen demokratike të tyre dhe punojnë për instalimin e një diktature të re.
Ramës i duheshin me cdo cmim që zgjedhjet të tregonin që ai ka një përkrahje të gjerë popullore për ta pasur si mburojë nga sulmet e pritshme të SHBA-së për korrupsionin e tij në cështjen McGonigal.
Shqipëria provoi që është një demokraci “e orkestruar” që i urren surprizat dhe votën e lirë popullore. Europa i ka më të qarta tendencat e Shqipërisë për të shkarë nga rruga demokratike dhe krijimin e një regjimi të plotë autokratik kur shikon se si regjimi iI Ramës vonon kërkesat europiane për integrim, kritikon Europën përkundër rivalëve të saj ideologjikë, nuk pranon procesin e Berlinit por vazhdon të flirtojë me Ballkanin e Hapur, kur nuk zbaton standartet dhe kërkesat europiane për investimet e huaja, pasaportat e arta, etj., kur një vend që aspiron të futet në BE bën thirrje për fitoren e Erdoganit në Turqi, etj. etj.
Për amerikanët vjedhje të tilla të orkestruara janë të vështira për tu pranuar, por historia e tyre ka dhënë shembuj të tillë si në Tammany Hall, ku ‘Boss’ Tweed kishte krijuar një makineri të tmerrshme për të mbajtur pushtetin duke blerë cdo gjë dhe këdo. Shqipëria është si New Yorku i Tweed Bossit të viteve 1850, ku pushteti mbahet me forcë e korrupsion vetëm me një ndryshim: Rama, bosi i Shqipërisë, është aq i fortë sa të korruptojë edhe institucione e individë të shtetit më të fuqishëm të botës, sic është skandali McGonigal.
Zgjedhjet e 14 Majit 2023 ishin që në fillim zgjedhje të deformuara, të pa barabarta dhe jo të lira për të bërë zgjedhjen e duhur nga populli Shqiptar. Partisë më të madhe të opozitës (Partisë Demokratike me kryetar zotin Berisha) ju mohua emri, logo, përfaqësimi, numëruesit për të lexuar votën, financimet për të bërë fushatë. Ajo u masakrua me qëllim për ti hapur rrugë Ramës që të ushtrojë pushtet të pakufizuar.
Këto zgjedhje ishin të pabarabarta për arsye se shqiptarët janë larguar nga vendi se nuk kanë mundësi të jetojnë dhe nuk kanë shpresë. Por ata nuk mund të votojnë se emigracioni nuk ka të drejtën e votës. Në Shqipëri votues janë vetëm ushtria e Ramës e administratës publike që përdoret dhe shrydhet nga patronazhistët e Ramës. Vetëm administrata publike është rritur gjatë këtyre viteve në mënyrë marramendëse.
Zgjedhjet ishin të pabarabarta se asnjë faktor ndërkombëtar nuk u bë arbitër për të penguar investimet e krimit të organizuar dhe Ndragetës të cilët do të ishin ‘aktivë’ për të mbrojtur investimet e tyre.
Zgjedhjet e 14 Majit ishin tallavaja e fundit e një demokracie që po jep shpirt. Ato goditën thelbin e demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Marrja e zgjedhjeve me diferencë të madhe votash në bastionet e opozitës si Shkodër, Durrës, Kamëz tregoi arrogancën e shfrenuar por dhe rrezikshmërinë se deri ku do të shkojë ky regjim për të zhdukur cdo alternativë.
Pasi përdhosi zgjedhjet dhe shmangu reagimin popullor, regjimi sot po përpiqet ta kanalizojë diskutimin në alternativën që paraqiste opozita e vërtetë me një lidership të vjetër. Në fakt liderat e opozitës Bashkë Fitojmë paraqitën platformën dhe vizionin që Iiduhet Shqipërisë për tu zhvilluar, ecur përpara si një demokraci perëndimore, që Shqipëria të mos kthehet një vend vasal dhe një ciflig turizmi për klikën e Rilindjes. Vizioni i tyre as mund të krahasohet me kokëboshët e Rilindjes që shpopulluan Shqipërinë dhe e kanë mendjen ku të copëtojnë ndonjë llokmë më shumë.
Plani i Ramës është të zhdukë liderët politikë të cilët nuk arrin dot ti blejë. Ata të cilët përpiqen të bëjnë lojën e tij në një kohë kur vendi ka nevojë që të gjithë të bashkohemi të mbrojmë demokracinë, janë ata që Ramën e pranojnë të jetë Mbret i Shqiptarëve me vizionin e tij për vitin 2030.
Në qoftë se sot nuk ngremë zërin, nesër Erdogani dhe regjimi i tij që ka me mijëra gazetarë, intelektualë dhe politikanë në burg do të na duket lule.
Discussion about this post