Nga Ivan Krastev
Gazetarët që shkruanin mbi çështjet ndërkombëtare në vitet 1920-1930 e quajtën atë epokë si “paslufta”. Ata i analizuan ngjarjet përmes prizmit të Luftës së Madhe, e cila e kishte shkatërruar Evropën vetëm disa vite më parë.
Historianët që shkruajnë sot i referohen po këtyre viteve si periudha “midis 2 luftërave”, për arsyen e thjeshtë se ata analizojnë atë që ndodhi gjatë atyre viteve si pjesë e shkuarjes drejt Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte akoma më shkatërruese.
Sikur gazetarët që shkruanin në Evropën e viteve 1930, të kishin qartësinë e të kuptuarit të asaj që do të ndodhte më vonë! Sot këtë qartësi duhet ta kemi të gjithë. Sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë, është një nga ato momente që na nxit ta ri-interpretojmë epokën tonë:atë që ne e quajtëm paqen 30-vjeçare që pasoi Luftën e Ftohtë (me tendencën për të harruar, me vetëdije ose pa vetëdije, luftërat në ish-Jugosllavi) dhe që tani ka përfunduar.
Historianët e ardhshëm do t’i shohin dekadat e fundit në përgjithësi, njëlloj si ata në periudhën ndërmjet 2 luftërave, si një mundësi të shpërdoruar. Sa më shpejt ta pranojmë këtë të gjithë, aq më mirë do të mund të përgatitemi për atë që do të vijë më pas.
Mjerisht, një mohim tejet egoist që përshkon kryeqytetet perëndimore, po na pengon të shohim atë që është e dukshme. Lutjet pasionante për të mbrojtur rendin evropian të pas Luftës së Ftohtë nuk kanë asnjë kuptim, pasi ajo epokë ka mbaruar.
Në vazhdën e pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Angela Merkel, që në atë kohë ishte kancelare e Gjermanisë, bisedoi me presidentin rus Putin, dhe më pas i raportoi presidentit amerikan Barak Obama se sipas saj, Putin e kishte humbur kontaktin me realitetin.
“Ai jeton në një botë tjetër!”- i tha ajo. Ndërkohë sot të gjithë ne po jetojmë në “botën” e tij. Në këtë botë, ku sipas Tukididit “të fortët bëjnë atë që munden, dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë”. Po si arritëm në këtë pikë?
Së pari, duhet të kuptojmë se kjo nuk është lufta e Rusisë, por e Vladimir Putinit. Ai vjen nga një brez i caktuar zyrtarësh rusë të sigurisë, të cilët nuk arritën asnjëherë të pajtoheshin me humbjen e Moskës në Luftën e Ftohtë. Në sytë e tyre, Bashkimi Sovjetik u zhduk nga harta pa humbje ushtarake apo ndonjë pushtim të huaj.
Për ta, sulmi aktual ndaj Ukrainës është një akt logjik dhe i domosdoshëm. Perandoria ruse mund të rikrijohet sërish. Këta njerëz nuk janë të interesuar që të shkruajnë të ardhmen, ata duan ta rishkruajnë të shkuarën. Pushtimi i Putinit, mund të jetë më shumë për hakmarrje sesa një strategji madhështore.
Ka një dallim themelor midis revizionizmit dhe revanshizmit. Revizionistët dëshirojnë të ndërtojnë një rend ndërkombëtar sipas dëshirës së tyre. Revanshistët motivohen nga ideja e shpagimit. Ata nuk ëndërrojnë ta ndryshojnë botën, por të ndërrojnë vendet me fituesit e luftës së fundit.
Nëse Putin do të ketë sukses sot, Perëndimi mund të fajësojë për këtë vetëm veten. Ndërsa opinioni publik perëndimor e hipnotizonte veten me idenë se Rusia është në rënie të madhe, presidenti rus nisi që të realizonte strategjinë e tij.
Për vite me radhë, ai e konsolidoi sferën e tij të ndikimit mbi ish-Bashkimin Sovjetik, duke filluar me luftën e tij kundër Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Kohët e fundit, ai ka forcuar kontrollin e tij në Bjellorusi dhe Azinë Qendrore. Tani ka ndërmarrë hapin e radhës dramatik.
Presidenti amerikan Xho Bajden, deklaroi të enjten se synon ta bëjë Putinin të duket një “udhëheqës i pabesë në skenën ndërkombëtare”. Ky do të ishte një dënim i përshtatshëm për këtë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por gjërat mund të mos funksionojnë në këtë mënyrë.
Përkundrazi, ekziston rreziku real që Perëndimi ta shohë veten më të izoluar. Gjatë 2 muajve të fundit, aleanca Moskë-Pekin ka kaluar nga hipoteza në realitet, falë synimit të përbashkët për të sfiduar dominimin amerikan.
Ndërsa elitat kineze nuk janë të entuziazmuara për pushtimin e pamatur të Ukrainës nga Rusia (kinezët ruajnë përkushtimin e tyre për mos-shkeljen e sovranitetit të shtetit), nuk ka dyshim se ata do të qëndrojnë në anën e Moskës. Shihni sesi Pekini refuzoi ta përshkruante zyrtarisht si një pushtim luftën e Putinit.
Presidenti Xi Jinping mund të jetë përfituesi më i madh i krizës aktuale:Amerika jo vetëm që duket e dobët, por tani e gjen veten të zënë me krizën në Evropë, dhe të paaftë për t’u fokusuar në Azi. Shumë vende e shohin konfliktin midis Rusisë dhe Perëndimit, si një konflikt midis imperialistëve të vjetër, dhe që vështirë se i prek ata.
Një shqetësim më i madh dhe emergjent, është mënyra se si sanksionet e vendosura nga Perëndimi, do të rrisin çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Perëndimi mund të fitojë mbi skeptikët e përpjekjeve të tij për të luftuar kundër Putinit, vetëm nëse arrin t’u tregojë vendeve jashtë Evropës se ajo që është në lojë në Kiev, nuk është fati i një regjimi properëndimor, por sovraniteti i një shtet të sapolindur nga një perandori.
Po çfarë do të thotë fundi i paqes për Evropën? Pasojat do të jenë të tmerrshme. Lufta në Ukrainë ka potencialin e frikshëm të riaktivizimit të konflikteve të ngrira në periferinë e kontinentit, përfshirë hapësirën post-sovjetike dhe atë në Ballkanin Perëndimor.
Udhëheqësit e Republika Srpska, mund ta lexojnë një fitore të Putinit në Ukrainë, si një sinjal për të shpërbërë Bosnjën. Edhe udhëheqësit brenda BE-së, që kanë një qasje me miqësore ndaj Rusisë, do të ndihen më të inkurajuar nga fitorja e Putinit. Pushtimi i Ukrainës e ka bashkuar Evropën, por ai do të dëmtojë vetëbesimin e saj.
Por ngjarjet e ditëve të fundit, do të kërkojnë një rishikim radikal të projektit evropian. Gjatë 30 viteve të fundit, evropianët e kanë bindur veten se forca ushtarake nuk ia vlente për koston që kërkonte, dhe se epërsia ushtarake amerikane mjaftonte për t’i bërë vendet e tjera të hiqnin dorë nga ideja e luftës.
Shpenzimet për mbrojtjen ranë ndjeshëm. Ajo që kishte rëndësi, ishte fuqia ekonomike dhe fuqia e butë. Po tashmë e dimë se sanksionet nuk mund t’i ndalojnë dot tanket. Bindja e Evropës, se ndërvarësia ekonomike është garancia më e mirë për paqen, ka rezultuar e gabuar.
Evropianët bënë gabim kur e universalizuan përvojën e tyre të pas Luftës së Dytë Botërore në vende si Rusia. Kapitalizmi nuk mjafton për ta zbutur autoritarizmin. Tregtia me diktatorët nuk e bën më të sigurt vendin tuaj, dhe mbajtja e parave të liderëve të korruptuar në bankat tuaja nuk i civilizon ata; përkundrazi ju korrupton ju.
Dhe përdorimi masiv nga Evropa i hidrokarbureve ruse, vetëm sa e bëri kontinentin më të pasigurt dhe më të brishtë. Efekti më destabilizues i pushtimit rus, mund të jetë se fakti që shumë njerëz në mbarë botën po fillojnë të bien dakord me qëndrimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjatë fjalës së tij në forumin e Sigurisë në Mynih në fillimin e shkurtit, ai deklaroi se Kievi kishte gabuar kur ia dorëzoi Rusisë armët bërthamore që trashëgoi nga Bashkimi Sovjetik. Mosgatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur një vend mik si Ukraina, mund të bëjë që të paktën disa aleatë të Amerikës, të besojnë se armët bërthamore janë mënyra e vetme për të garantuar sovranitetin e tyre.
Nuk është e vështirë të imagjinohet se po kështu mendojnë edhe fqinjët e Kinës. Fakti që shumica e koreano-jugorëve, janë tani dakord që vendi i tyre të pajiset me armë bërthamore, sugjeron se lëvizjet e Vladimir Putinit në Ukrainë, po e vënë në rrezik regjimin botëror të mospërhapjes së armëve bërthamore.
Në vitin 1993, poeti dhe eseisti i madh gjerman Hans Manjus Enzensberger, parashikoi se Lufta e Ftohtë do të pasohej nga një epokë kaosi, dhune dhe konflikti. Duke reflektuar mbi atë që pa në Jugosllavi dhe trazirat urbane në Shtetet e Bashkuara, ai pa një botë të karakterizuar “paaftësia për të bërë dallimin midis shkatërrimit dhe vetë-shkatërrimit”.
Në këtë botë, “nuk ka më nevojë që të legjitimoni veprimet tuaja, pasi dhuna e ka çliruar veten nga ideologjia”.
Shënim: Ivan Krastev, është anëtar i përhershëm në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, dhe një ekspert i politikës ndërkombëtare.
Discussion about this post