Nga Ndriçim Kulla
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me mburrjet për luftën kundër kriminalitetit, por që u përgënjeshtruan me kufomën e bankierit më të madh të vendit, në mes të zonës më të ruajtur nga Policia në Tiranë, dhe vrasësit u larguan të qetë e nuk janë kapur as sot e kësaj dite? Kështu edhe Enver Hoxha që mburrej se ruante kufijtë nga shkelësit, por që iu gjet kufoma e Mehmet Shehut në mes të bllokut të udhëheqjes, atje ku u vra edhe bankieri.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me zbulimin një nga një të deputetëve të tij me rekorde kriminale? Enver Hoxha kur i dënonte shokët e tij, iu tregonte edhe të shkuarën kriminale, por nuk shpjegonte se si i kishte mbajtur ata pranë në poste të larta. Rama këtu e kapërcen edhe Enver Hoxhën, sepse vazhdon i mban pranë këta lloj njerëzish edhe pasi kanë humbur mandatin.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me drejtoreshën e përgjithshme të Doganave, që merrte pjesë në party game “Mafia” të kanalit T plus të Digitalb, si mafia girl? Kujtoni Enver Hoxhën, ose më saktë Nexhmijen, që në kujtimet e saj thotë se shoku Enver sugjeronte romane policore për lexim para gjumit. E pastaj si duhej pritur që “Rilindja” të realizonte planin për mbledhjen e të ardhurave në dogana, tatime etj.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me të ashtuquajturin partneritet publik-privat me të cilin ua mori shpirtin shqiptarëve, që ka zëvendësuar koncesionin, dhe që përdoret sidomos në shëndetësi? Ndërsa Enver Hoxha përdorte fjalën “kooperativë” (bashkëpunim) për të grabitur fshatarësinë.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës që pretendonte standarde të larta morale, me skandalet seksuale të brekëve me vrimë të kryebashkiak Shukriut, të videos së përfolur të ministrit të jashtëm Bushati me një prostitute, madje kur ishte dhe me delegacion zyrtarë në Brazil, apo të shumë skandaleve të tjera si ajo e marrë shembull një ish ministër drejtësie, i cili deklaroi publikisht se kishte parë vetë videot seksuale të ministrave socialist të kabinetit Rama në hotelin Santa Quaranta. Ky është efekti i “Kolumbisë” shqiptare! Ngjashmëri e fshehtë me Enver Hoxhën, të cilit tani po i del nga dokumentet sekrete se në fshehtësi i lejonte dhe i inkurajonte orgjitë, ndonëse në dukje i dënonte ashpër.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me ministrin më të dashur të tij, atë të Punëve të Brendshme, i cili deklaronte se nuk ishte përgjegjësi e Policisë nëse njerëzit vriteshin për një pemë të prerë në rrugën para shtëpisë, ose për një grindje për një fejesë.
Harruan që kur ishin në opozitë pas çdo vrasjeje që ndodhte në vend dilte në konferencë shtypi dhe thoshte se fajin e ka Saliu. Ngjanë shumë me Enver Hoxhën i cili për krimin ordiner thoshte se e kanë fajin zakonet prapanike dhe propaganda e armikut klasor.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me lajmin e madh që iu dha shqiptarëve se me kursimet nga shitja e librit të tij “Kurban” kishte ndërtuar sarajet në Surrel? . Enver Hoxha, ose më saktë Nexhmija, e cila në kujtimet e saj bën disa llogari qesharake për të treguar se si e bënin atë jetë luksoze me rrogat e tyre.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës duke u mburrur me projektet e investimeve të mëdha ekonomike në vend të nisura në kohën e qeverisjes së PD-së, që Edi Rama i kishte vënë në lojë, siç ishte TAP-i të cilin Rama kur ishte në opozitë e quante vetëm një vijë në hartë. Enver Hoxha rrinte në zyrat e ndërtuara nga Zogu dhe e shante atë që nuk bëri asgjë për vendin.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me rrezikimin e së drejtës së lëvizjes së lirë jashtë vendit, të siguruar në kohën e qeverisjes së PD-së. Për shkak të rritjes së kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë, si rezultat i qeverisjes së keqe në vend, Bashkimi Europian bëri dhe po bën presion ndaj qeverisë shqiptare që të ndaloheshin të udhëtonin jashtë vendit njerëzit që mund të kërkonin azil dhe kështu Policia nisi t’ i ndalonte shqiptarët në aeroport e pikat e kalimit kufitar, se nuk kishin para me vete. Ndërsa Enver Hoxha e ndalonte krejtësisht lëvizjen e lirë.
A ju kujtohet se si vazhdoi qeverisja e Edi Ramës me zhurmën për reformën në drejtësi, që nuk e bënte dot se gjoja opozita bllokonte Vetingun, a thua se opozita në fund të fundit kishte ndonjë detyrim që të miratonte atë variant të reformës që krijonte në mëngjes mendja e Edi Ramës? Si dhe me luftën kundër gjykatave dhe prokurorisë, sikur kishte mbaruar punë me luftën kundër korrupsionit në oborrin e tij, në zyrat e qeverisë që të merrej me gjykatat dhe prokurorinë.
Njëlloj si Enver Hoxha që kur bëhej i dukshëm dështimi i qeverisjes së tij, zbulonte armiq në të gjitha anët e shtetit. Kjo listë mund të bëhet më e gjatë, me arsimin krejtësisht kaotik që ka krijuar ,me kulturën e braktisur ,me librin që e ka future në gropë , me premtimet e pambajtura për 300 mijë vende pune, me heqjen e tvsh-së për energjinë dhe ilaçe, me librat e shkollës falas, naftën falas për fermerët, por çdo lexues mund ta bëjë këtë gjë vetë. Kujtojmë Enver Hoxhën me premtimin për lugën e florinjtë.
A ju kujtohet Edi Rama si e zhvillon luftën e klasave sot në demokracinë hibride të krijuar hap pas hapi në qeverisjen e tij si rezultat i ndihmës së pa kursyer të ambasadores amerikane Yuri Kim dhe indiferentizmit dyshues të BE?
Edi Rama ka instaluar një system qeverisës që nëpërmjet politikave social ekonomike që po zbaton po i detyron që shumica e njerëzve që kundërshtojnë qeverisjen e tij antisociale ,antikombëtare dhe antishoqërore nën represionin e qeverisjesjess së tij detyrohen të marrin rrugën e kurbetit. Ndihma e ambasadores Yuri Kim më kujton mbështetjen që i jepte ambasadori sovjetik në Tiranë regjimit të Enver Hoxhës.
Me një ndryshim Enver Hoxha ose i vriste dhe i burgoste kundërshtarët e tij politik ose i hipte në kamion dhe i syrgjinoste kampeve të përqëndrimit në vuajtje të tejskajshme dhe mjerim.
Nuk është e vështirë të kuptohet se si do të vazhdojë qeverisja e Edi Ramës po qe se nuk u ndalua dhe po qe se nuk u shporr, duke pasur parasysh atë të Enver Hoxhës në vitet e para. Në shenjë sot janë zgjedhjet e lira dhe pluralizmi politik, eliminimi sa më tepër që të jetë e mundur i opozitës, e cila sot është vënë në një betejë të pabarabartë me kartelin politiko-mafioz që ka përgatitur skemën e blerjes së zgjedhjeve të 14 majit. Në qoftë se lejohet të ndodhë kjo gjë nesër do të themi:
Se dikur Shqipëria kishte opozitë, kishte shpresë.
Por unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë…
Dhe për këtë shpresë, që ajo të përmbushet plotësisht, duhet luftuar me kurajo dhe këmbëngulje nga të gjithë sot që zgjedhjet e 14 majit të fitohen me çdo kusht.
Discussion about this post