Nga Agim Nesho
Kosova ka qenë gjithmonë zemra e Shqiptarizmit. Fryma dhe sakrificat e saj të panumërta kanë ushqyer ruajtjen dhe avancimin e interesave të kombit Shqiptar. Sot, ajo është në një pozicion të vështirë, kur loja nacionaliste e Serbisë kërkon të rifitojë diçka prej saj. Ata që punuan për Millosheviçin dhe sollën stuhinë e krimeve në ish-Jugosllavi, sot po shiten si aktorë të stabilitetit dhe paqes ballkanike.
Çmimi për të realizuar projektin e tyre të paqes ngrihet mbi filozofinë e mosnjohjes së Kosovës dhe ndarjen e saj. Për të treguar se kanë ndryshuar dhe nuk janë nacionalistët e vjetër, ata kanë ‘peshkuar’ dhe bashkëpunojnë me ‘renegatë’ shqiptarë për ta shitur atë si projekt realist dhe bashkëpërfshirës në Ballkan.
Klima për të ndaluar influencat në rritje të Rusisë revizioniste në Ballkan dhe projektet e saj për të ndarë Ballkanin, kanë shkaktuar dhe një paqartësi në politikën e jashtme të perëndimit që kërkon me ngulm ta mbajë Serbinë pjesë të interesave perëndimore. Në këtë lojë të pabarabartë dhe të disbalancuar, Kosova qëndron e vetme dhe e palëkundur kur edhe klika korruptive e Tiranës është bërë njësh me Vuçiç.
Ngjarjet në Mal të Zi dhe loja e Abazovicit me kishën serbe si dhe propozimet e tij për Kosovën që të ndjekin modelin malazez për ‘tu përshtatur’ me politikën serbe, tregojnë që pikësynimi i radhës do të jetë Kosova. Me Kosovën, pa Albinin dhe Vjosën, ata realizojnë aspiratat e tyre për Ballkanin e Hapur dhe ngritjen e një projekti anti-europian në zemër të Europës. Ata nuk do të deklarohen asnjëherë kundër Europës, por do të punojnë kundër saj.
Do të bëjnë sikur plotësojnë kërkesat e asocimit me BE-në, por anëtarësimin në BE do ta shtyjnë në kalendat greke. Autokratët Rama dhe Vuçiç si dhe projekti i tyre Ballkanik nuk përputhet me vlerat dhe parimet europiane. Ata duan që Ballkani i tyre të jetë streha e gjithë fuqive të huaja, si Kina, Rusia, etj., gjë që do t’ju mundësojë atyre pushtet të gjatë dhe të pakufizuar. Kthimi i politikave të Titos të mos angazhimit është shpëtimi nga varësitë e krijuara me Rusinë dhe përshtatja e tyre për tu dukur si pro-perëndimorë.
Fatkeqësisht po jetojmë në një kohë që renegatët shqiptarë me ndërgjegje të plotë por në emër të modernizmit dhe stabilitetit, po bashkëpunojnë për një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkan. Në qoftë se nuk do të kishim klikën Rama, ngjarjet do të ishin më të thjeshta: Vuçiç nuk do të ishte në ekspansion; Udhëheqësit e UÇK nuk do të ishin në Hagë, si rezultat i kërkesave të Vuçiç, dhe fillimin e një projekti të ri ku të gjitha palët janë bashkëfajtorë, ku viktimat e pafajshme shqiptare paraqiten njësoj si xhelatët e tyre nacionalistë serbë.
Kosova ka qenë dhe mbetet djepi i Shqiptarizmit. Ajo ka sakrifikuar breza të tërë për të mbrojtur kombin Shqiptar. Sot gjithë shqiptarët kanë detyrën ta ndihmojnë dhe mbrojnë atë. Dhe mbrojtja e saj fillon nga heqja e patericave të Vuçiç, që i mundësojnë atij një pamje tjetër. Po të mos ketë përkrahjen e renegatëve shqiptarë, as procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk do të ishte kaq i vështirë dhe në shumë raste tolerant ndaj Vuçiç.
Në qoftë se ka mbetur në gjak të shqiptarëve akoma ndjenja e Shqiptarizmit dhe patriotizmit, sot është koha për të vepruar: ndryshoni Shqipërinë, largoni qeverinë Rama për të shpëtuar Kosovën. Duke shpëtuar Kosovën, kemi mbrojtur Shqiptarinë.
Discussion about this post