Analisti Fatos Lubonja ka komentuar në rubrikën “Opinion” në News24 zhvillimet politike në vend dhe lëvizjet e fundit në kampin opozitar.
Lubonja deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një lëvizje opozitare për të shpëtuar nga një regjim që po kontrollon gjithçka dhe për këtë ka nevojë që të bashkojë të gjitha forcat e mundshme, gjithë njerëzit që kërkojnë më shumë demokraci, më shumë drejtësi, më shumë hapësira lirie.
“E kam ndjekur me vëmendje, shikoj anë pozitive, por edhe shumë mungesa sipas mendimit tim. Tek anët pozitive shikoj një bashkim, që më herët ka qenë i dyshimtë ose nuk ka ndodhur, shikoj dhe një motivim jo të vogël. Por nga ana tjetër kam ndjesinë që përsëri ajo hapja për të cilën flitet, ftesa që bëhet është gjithmonë në një farë mënyre jo ashtu si do duhet sipas mendimit tim. Në kuptimin që unë gjykoj që Shqipëria ka nevojë për një lëvizje opozitare për të shpëtuar nga një regjim që po kontrollon gjithçka dhe për këtë ka nevojë që të bashkojë të gjitha forcat e mundshme, gjithë njerëzit që kërkojnë më shumë demokraci, më shumë drejtësi, më shumë hapësira lirie etj, etj.
Në këtë kuptim e shikoj që opozita është në stilin e vjetër ‘hajdeni te ne’, ‘hajdeni rreth nesh’. Nuk ka atë hapjen që do duhej të ishte për të gjithë, por jo duke u thithur dhe duke u përdorur, duke u dhënë njerëzve opozitarë të tjerë idenë se hajdeni këtu t’ju përdorim ne, por duke i marrë ata si partnerë që ruajnë identitetin. Pra, kërkohet një qasje tjetër që nuk e shoh. Ashtu sikurse shoh gjithmonë të pazgjidhur problemin e përçarjes së PD-së ku më duket e pavend dhe do duheshin politika të tjera që të mos ekzistonte gjithmonë kjo karta e panjohur deri në zgjedhje, ku një grup kundërshton grupin tjetër. Do duhej të ishte zgjidhur ai bashkimi i PD-së, ndoshta me fraksione, duke ruajtur një lloj identiteti gjithsesi, por duke mos marrë energjitë me njeri-tjetrin”, deklaroi Lubonja.
Ai shpjegoi më tej se forcat e reja duhet të ishin të thirrura ndryshe.
“Kur thashë stilin e vjetër, nuk thashë vetëm stilin e vjetër. Unë thashë ka anët pozitive që janë bashkuar, por thashë dhe këtë që brenda mendësisë që ne jemi, ne do ju qeverisim, mos mendoni se mund të dalë ndonjë gjë jashtë nesh. Në këtë kuptim mendoj që forcat e reja duhet të ishin të thirrura ndryshe. Dalja me një kandidat të përbashkët mund të konsiderohet ajo pjesa që thashë te bashkimi, problemi është se cili është kandidati i përbashkët”, tha Lubonja.
Sa i përket marrëveshjes brenda partive opozitare për të dalë me një kandidat të vetëm, analisti tha se padyshim zgjedhjet do jenë më te mira, por se nuk varen nga opozita, kur ke të bësh me një regjim.
“Padyshim që zgjedhjet do të jenë më mirë se kur kanë shkuar secili me kandidat të vetin. Zgjedhjet nuk varen nga opozita, unë kam ngulmuar se ky është një regjim dhe një regjim që vështirë të sfidohet me zgjedhje sepse s’mund të jenë të lira. Se sa opozita ka fuqi dhe është e përgatitur për të ndaluar atë që mund të quhet humbja e votës, nëpërmjet blerjes, nëpërmjet shantazheve dhe nëpërmjet manovrave të shumta që ka bërë Edi Rama më herët, kjo mbetet për t’u parë”, tha ai.
Po si mund të sfidohet ‘regjimi’?
“Nuk mund të zgjidhet duke pritur një shpëtimtar, duke pritur të dalin ca njerëz të rinj të ndershëm dhe që të sfidojnë të gjithë sistemin sepse ka një opsion që këtu është i gjithë sistemi, opozita e maxhoranca janë dy kokat e sistemit dhe këtu ka një të vërtetë. Por pikëpyetja e madhe është a zgjidhet kjo duke lindur në Shqipëri një lëvizje që sfidon gjithë këtë sistem, këtë pushtet me dy koka, që ndërrojnë kokat, por baza qëndron dhe kjo do ishte më e mira sipas mendimit tim. Por çfarë tregon përvoja deri tani, këtu ka ndodhur një proces që njëra kokë, koka e madhe e maxhorancës, e Edi Ramës po kërkon t’i zhdukë dhe këto kokat e tjera dhe neve na është hequr dhe mundësia e rotacionit çfarë do të thotë dhe mundësia e hapësirave për të lindur një forcë e re. Unë besoj që rruga është më e gjatë. Njëra rrugë, rruga paqësore, demokratike është që të vendoset një mundësi për rrotacion, që është e vështirë, të krijohet një frenim ndaj rrëshqitjes drejt absolutizmit të një partie të vetëm dhe ky frenim bën të mundur që makina të marrë dhe ndonjë kthesë. Frenimi është rotacioni sipas meje. Ka dhe dy rrugë të tjera që makina të përplaset në fund të humnerës të shkatërrohet. Atëherë shkatërrohet makina, shkatërrohemi dhe ne dhe sistemi. Rruga e tretë e mosbindjes civile që mund të bëjë veprime shumë të forta në rastet e krizave që mund të krijohen.
Më e mira është ajo që të forcohet opozita dhe të thithë sa të mundet në pjesën që kërkon ta ndalojë këtë, por duke ruajtur hapësirave për ata që duan të garojnë të lirë”, deklaroi Lubonja.
Sa i përket çmimit të energjisë elektrike dhe vendimit për të mos vendosur fashën 800 kilovatë orë në muajin tetor, ai deklaroi se është në stilin e Ramës dhe e cilësoi një mashtrim i radhës.
“Vetë veprimi i kryeministrit është në stilin e tij tashmë të njohur, që bën një hap prapa, dy hapa para. Herë pas herë bën nga një hap prapa, por nuk e bën hapin prapa për të ndryshuar drejtim, po për të hedhur dy hapa para pasi i ka mpirë njerëzit gjoja me këtë hapin prapa. Ai sigurisht ka nevojë të shikojë se si do jetë fatura e njerëzve kur të vijë i ftohti, mund të bëjë një provë, sa përqind do jenë ata që mund të dalin nga fasha e mbrojtur, mund të bëjë ndonjë kalkulim.
Nga ana tjetër edhe opozita duhet të dijë të shikojë se çfarë ndodh, të bëjë dhe ajo kalkulimet e veta. Veprimin e kryeministrit nuk e shikoj si një veprim në thelbin e vetë vetëkritik, në kuptimin që e ndërroi se ka bërë gabim diku, përkundrazi është një veprim, një mashtrim i radhës. Një veprim që nesër mund të presësh krejtësisht të kundërtën siç ka bërë gjithmonë, për t’u shtrënguar dhe më shumë rripat e njerëzve”, tha Lubonja.
I pyetur se çfarë e pengoi opozitën për protestat, analisti tha: “Mund të jetë që presin faturat për të shpenzuar energjitë e njerëzve. Ka qenë deri tani ideja se mos kishte një lloj përçarjeje dhe sikur nuk ishin të bashkuar, tani që kanë bërë këto mbledhjet ndoshta kanë marrë një vendim. Por nga ana tjetër gjykoj se nuk është e lehtë t’i motivosh njerëzit që janë shumë të dëshpëruar, që janë të lodhur, që kanë zgjedhur ikjen dhe ky është faktor kryesor. Siç është dhe faktori tjetër, kur nuk është situata që njerëzit dalin vetë në shesh. Tani shpesh herë janë grupe interesi, është paraja që i lëviz nganjëherë njerëzit, pushtetet. P.sh. kur ishte pushteti lokal dhe i PD-së ka pasur shumë më tepër mundësi sepse ai grup interesi që lidhej me PD kishte farefisni, miqësi, ishte më kollaj të motivohej sepse kishte dhe më shumë mundësi ekonomike për t’i sjellë qoftë dhe me autobusa apo jo, të gjitha janë bashkë.”
Lubonja komentoi dhe protestën e paralajmëruar të pedagogëve. Ai tha se nga ana e Ramës është një film i parë, por se edhe pedagogët nuk i shikon të organizuar.
“Indiferencën e kryeministrit e shikoj në kuptimin që është mësuar me këto veprime dhe ka pasur sukses gjithmonë duke bërë ndonjë manovër dhe duke i gënjyer me pako gjë ose me asgjë. Është një film i parë nga ana e kryeministrit. Nga ana e pedagogëve shikoj një lëvizje që tenton të jetë si lëvizje e asaj pjese të shoqërisë civile, forcave që kërkojnë të qëndrojnë jashtë politikës, presin nga kryeministri, por janë mosbesues, bëjnë pjesë shumica në atë zonën gri, mos instrumentalizohen nga opozita. Nuk i shoh të organizuar në atë mënyrë. Ka mëkatet e veta dhe opozita, që këta për zgjedhjen e tyre të kenë një qasje kush është më afër, kush na premton dhe nëse na e premton opozita të kenë një aleancë për të ruajtur personalitetin dhe për të mos u përdorur”, u shpreh ai.
Discussion about this post