Mbi 25 miliardë lekë janë tenderuar në 100 procedura nga 61 bashkitë e vendit, ndërkohë që Bashkia e Tiranës kryeson listën me tenderat më të kushtueshëm përgjatë vitit 2022.
Ndërtimi i godinës së Teatrit Kombëtar kryeson mbi të gjithë tenderat e kryer gjatë vitit të shkuar nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas një liste të bërë publike nga Open Procurement Albania.
Kjo e fundit ka listuar 100 tenderat më të mëdhenj të finalizuar, ku fondi limit i njoftuar për këto 100 procedura rezulton 25 295 383 779 Lekë.
Pjesa më e madhe e kontratave “Big“ janë të financuara nga Programi i Rindërtimit program nga Buxheti i Shtetit. Po njësoj edhe Teatri është program i mbështetur nga Qeveria Qendrore.
Referuar Open Procurement Albania, 40 nga 100 procedurat me renditje sipas vlerave të larta në tenderim, janë kryer pa konkurrim të hapur nga institucionet e qeverisjes vendore.
Përkatësisht 38 procedura janë të kufizuara, 1 është procedurë e kufizuar ndërkombëtare dhe 1 tjetër është Negocim pa Njoftim.
Qeverisja Vendore Tiranë është ajo që ka kontraktuar 25 nga 100 tenderët më të mëdhenj, me vlerë të ofertës Fituese pa TVSH 5.68 miliard lekë ose sa 23.8% e totalit të 100 kontratave më të mëdha të vitit 2022.
Por cilat janë 10 tenderat me vlerë më të lartë?
Godina e Teatrit Tiranë Faza 1, Ndërtim Objekti me autoritet Bashkia Tiranë
Sipas databazës së hartuar nga Open Procurment ky tender është klasifikuar me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit, konkretisht shoqëria “Agi Kons“ në bashkëpunim me “BE – IS“ shpk.
Teatri Kombëtar, u shemb tre vjet më parë, në 17 maj 2020, dita që shënoi fundin edhe kufizimit të lëvizjes për shkak të pandemisë.
Në 21 Dhjetor 2022 në një ceremoni të mbyllur për publikun dhe median, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj së bashku me kryeministrin Edi Rama, përfaqësues të qeverisë dhe artistë e pozicionuar pro tyre, inauguruan nisjen e punimeve për teatrin e ri.
Sot, më shumë se tre vite pas shembjes së godinës, hapësira mbetet ende e rrethuar dhe momentalisht kanë nisur shpimet gjeologjike dhe po bëhet gati sheshi për themelin.
Terminal Verior i Transportit Publik Ndërtim me autoritet Bashkia Tiranë
Gjithashtu ky tender është klasifikuar me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit, konkretisht “ Nova Contruction 2012“ në bashkëpunim me “ Ante – Group“ shpk. Edhe pse data e lidhjes së kontratës është më nëntor të 2022 dhe përfundimi i punimeve parashikohet më nëntor të 2024, punimet në terren janë ende larg finalizimit.
Më 6 janar 2020 , tre vite kryebashkiaku Erion Veliaj kreu inspektime në terren për ndërtimin e terminalit të veriut dhe të jugut.
Për të filluar punimet në Unazë, na duhet të lirojmë pjesën e “Shqiponjës”, ku është terminali provizor aktual i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu”, tha Veliaj.
Terminali, sot pas tre vitesh nuk ka infrastrukturën më bazike ku evidentohet mungesa e: tualeteve, stolave apo sallë pritje, sportele informacioni, dhoma për dorëzim apo ruajtje bagazhi, ëifi, ambiente të dedikuara për personelin etj.
Riforcimi i pallateve në Durrës
Konkretisht është listuar në radhë të shtatë dhe tetë riforcimi i pallateve më kode të ndryshme si 5630, 851, 7294, 5541, etj.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në Durrës ende nuk ka përfunduar shembja e pallateve të dëmtuara. Bashkia Durrës i konfirmoi Citizens Channel se deri më tani janë shembur 45 banesa kolektive, ndërsa pesë pallate mbeten ende në proces prishje.
Problemet e bonusit të qirasë dhe pritja e fondeve nga Ministria e Financave për përforcimin e pallateve në Durrës i ka çuar shpesh në protesta banorët e këtij qyteti që enden rrugëve që nga nëntori i 2019.
Ndër të tjera tendera me vlerë të lartë përmendim: Rindërtim i Shkollës Azem Hajdari njësia Administrative Paskuqan Kamzë, Ndërtim i Linjës së Dërgimit Depo Lis Burrel autoritet Prokurues Ujësjellës Mat, Shërbim Pastrim qyteti i Kavajës dhe njësi administrative Synej, Luz i Vogël dhe Helmas etj.
Discussion about this post