Tenderi i Niko Peleshit për bazën ushtarake të Bizës me vlerë 1.8 milionë euro është anuluar nga Komisioni i Prokurimeve Publike. Ç’po ndodh me ministrin e fuqishëm të Mbrojtjes që po i anulohen tenderat? Gijotina.com qysh në fillim ka evidentuar shkeljet e prokurimit të punimeve për bazën e Bizës dhe vetëm pas kaq muajsh u arrit ndërprerja e kësaj procedure abuzuese.
Bëhet fjalë për tenderin me numër REF-96967-02-29-2024, me objekt: “Ndërtimi i infrastrukturës së garnizonit stërvitor, Pajet – Bizë, Tiranë”. Vlera që do të investohet arrin në 1.8 milionë euro. Gara është njoftuar që në vitin 2023, por ka patur shumë ngërçe rrugës.
Sakaq, sipas dokumenteve, vëmë re që në datën 02.04.2024, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar operatorët ekonomikë pjesëmarrës me anë të sistemit të prokurimeve elektronike (S.P.E.), mbi rezultatet e vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë paraqitur ofertat ekonomike (pa TVSH). Janë 12 kompani, por 7 prej tyre u skualifkuan që në fazën e parë dhe deri në momentin final mbeti firma “KTHELLA “ sh.p.k me ofertë 1.3 milionë euro.
Bëhej djalë për një super fond dhe Pelelshi nuk e kalonte dot pa abuzime. Por, këto shkelje tani kanë dalë në dritë.
Firmat e tjera kishin ofruar ta kryenin punën me fond me të vogël se sa kompania fituese “Kthella” shpk me pronar Pjetër Nikollin. Kjo kompani propozon ta kryejë punën me 133,444,033 lekë. Por bashkimi i operatorëve “DAJTI PARK 2007” sh.p.k. dhe “SENKA” sh.p.k., e kishte ofertën ekonomike me vlerë 132,207,170 lekë pa TVSH. Ndërsa operatori “INA” sh.p.k. ofroi propozimin ekonomik me vlerë 119,649,324 lekë pa TVSH.
Denoncimi
Më datë 9 Prill 2024, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankesa e bashkimit të operatorëve ekonomikë “DAJTI PARK 2007” SHPK & “SENKA” SHPK, përfaqësuar nga operatori ekonomik “DAJTI PARK 2007” SHPK, në pronësi të Lulzim Qefaliajt.
Në ankesë pretendohet se komisioni i vlerësimit të ofertave ka skualifikuar pa të drejtën ofertën e tyre, për shkak se ka patur vetëm disa paqartësi. Më konkretisht, Komisioni shprehet për atë volum pune që e ka marrë përsipër “DAJTI PARK 2007” SHPK i mungon deklarimi i një punonjësi specialist. Të njëjtën mungesë vërejnë edhe për atë volum të punëve që do të mbulohet nga firma SENKA shpk. Gjithashtu ka mangësi për specialistë në punët që ka marrë përsipër si rrugë dhe sheshe.
“DAJTI PARK 2007” sh.p.k., ka marrë përsipër të kryejë 50 %, të punimeve mekanike, ku përfshihen 50 % të zërave të punimeve të rubrika me emërtesë: Furnizimi me ujë dhe shkarkimet; ndërtimi i puseve, linjat e tubave për to dhe kaptazhin e burimit sipërfaqësor dhe Sistemimi i ujërave atmosferike, për të cilat ofertuesi nuk ka deklaruar asnjë punonjës të specializuar/kualifikuar si (Teknik Hidroteknik) i cili është kërkuar në funksion të realizimit të punimeve mekanike objekt kontrate.
Ndërsa SENKA ka marrë përsipër punët për përpunime (Hekurit, Betonit, Armaturës, Konstruksioneve metalike, Hidroizolimeve dhe Suvatime) dhe rezulton se nuk ka stafin e nevojshëm për të kryer këto volum punësh”, theksohet në ekstraktin e KPP, që i referohet justifikimeve të Ministrisë së Mbrojtjes
Dy ankimuesit vazhdojnë të këmbëngulin në faktin që vlerësimi i tyre nuk është bërë drejtë pasi ata i kanë ndarë punët sipas kompetencave dhe mundësive që ka secili. Gjithashtu ata kanë përmendur se janë mbështetur edhe në rregullin që Ministria duhej t’i kishte njoftuar për paqartësitë që evidentonte dhe t’u linte atyre hapësirë për kthim përgjigje.
Vendimi i KPP
Tani pas më shumë se një muaji, KPP ka analizuar ankesën dhe ka nxjerrë në shkelje komisionin e Peleshit. Gjithsesi ta shohim më poshtë se çfarë konstaton KPP: Bashkimi i operatorëve “DAJTI PARK 2007” SHPK & “SENKA” SHPK” është skualifikuar pa të drejtë sepse në dokumentet e dorëzuar dhe në shpjegimet e dorëzuar më pas të kërkuara nga KPP vërtetojnë që punët janë ndarë sipas kompetencave që kanë dy kompanitë për t’i përmbushur ato.
“Nga bashkimi i operatorëve është përcaktuar ndarja e punimeve të gjithë zërave të preventivit në masën 50 % me 50 %, KPP vlerëson se deklarimi i bërë nga anëtari tjetër i bashkimit të operatorëve, “Senka” SHPK lidhur me punonjësin e kualifikuar Teknik Hidroteknik në formularin përmbledhës të vetëdeklarimit në Pjesën e III: Kriteret e përzgjedhjes/kualifikimit, B: Deklaratë “Për disponimin e punonjësve të nevojshëm për realizimin e punimeve objekt – kontrate” staf teknik dhe punonjës të specializuar/të kualifikuar çon në përmbushje të kriterit të kërkuar”, shprehet KPP, duke theksuar se bashkimi i operatorëve ekonomikë ankimues “DAJTI PARK 2007” SHPK & “SENKA” SHPK” është në kushtet e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga autoriteti kontraktor në dokumentet e tenderit.
Kështu KPP vendosi të pranojnë ankesën e bërë dhe i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes që të rishqyrtojë edhe njëherë ofertat e bëra, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me favorizim të kompanisë që u shpall fituese.
“Kthella” nuk mbaron punët në afat
Të gjitha firmat pjesëmarrëse janë të njohura në fushën e ndërtimit dhe secila mund ta kryente këtë punë, pavarësisht se komisioni i Peleshit u mundua t’u gjente ndonjë mangësi në dokumente si mungesë stafi apo gabim matematikor në përllogaritjet. Prandaj Peleshi duhet të favorizonte kompaninë që e kryen punën me koston më të ulët, që t’i kursente shtetit paratë dhe jo të favorizonte Pjetër Nikollën.
Për më tepër, kjo kompani duhej skualifikuar sepse në të njëjtën kohë që fiton këtë tender, është angazhuar në kontrata të tjera punësh publike. Kështu më 24 dhjetor 2023, kjo firmë ka marrë kontratën me bashkinë Selenicë për tenderin “Përmirësimi i banesave ekzistuese për komunitete e varfra të pafavorizuara 2023”, që e fitoi pa garë. Tenderi vlerësohet me “Flamur të kuq” për eliminimin e konkurrencës dhe mbart risk korrupsioni. Afati i kontratës është 6 muaj, por nga informacionet që morëm, puna akoma nuk ka nisur për riparimin e shtëpive.
Në të njëjtën mënyrë, me skualifikimin e të gjithë operatorëve, KTHELLA u favorizua në janar të vitit të kaluar nga kryebashkiaku Veliaj.
Sipas dokumentit të kontratës, kompania duhej të fillonte punën për rikualifikimin e Bllokut që kufizohet nga rrugët “Liman Kaba”, “Prokop Mima”, “Robert Shvarc dhe “Skënder Luarasi” në mars 2023 dhe ta përfundonte pas 7 muajsh. Nga verifikimet e bëra nga Gijotina.com. del se puna në rrugët e këtij blloku nuk kanë mbaruar.
Ndërkohë, më 14 nëntor 2023, “Kthella” ka firmosur kontratën me Bashkinë Mat për tenderin me objekt “Përshtatje për ambiente frigoriferike dhe punime meremetimesh në tregun fruta-perime, Burrel”. Puna duhet të përfundonte për 3 muaj, por referuar faqes zyrtare të bashkisë, puna është në vazhdim.
Në mbyllje nënvizojmë se “guximi” i KPP mund të lidhet me klimën e hetimeve të SPAK që i janë afruar Ministrisë së Mbrojtjes. Kujtojmë se SPAK ka nën hetim çështjen e pronave të ushtrisë që janë shitur ose dhënë me koncesion në shkelje të ligjit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post