Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako fshin listën me 17 kompani që t’i japë tenderin 416 milionë lekë Shpresa Nikës. Arroganca e kryetares që firmos paratë e taksapaguesve është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu janë klasifikuar shkeljet e procedurës së tenderit.
Ky është tenderi i Bashkisë Durrës me objekt “Rikonstruksion i rrugëve në qytetin e Durrësit” me fondin limit prej 41 666 566,00 lekësh.
Procedura është njoftuar në Agjencinë e Prokurimit Publik më 11 prill 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 28 prill 2025. Brenda kësaj dite është mbajtur tenderi dhe më pas janë njoftuar 18 operatorët pjesëmarrës për rezultatet. Ndërkaq, më 29 maj 2025, NIKA SHPK me pronare Shpresa Nikën është shpallur fituese me ofertën 28 931 826,00 lekë pa TVSH dhe kohëzgjatje të kontratës për 84. ditë.
“Nika” fiton me ofertën më të shtrenjtë
Në këtë tender bien në sy dy probleme që tregojnë menjëherë se tenderi nuk është frymën e ligjit mbi prokurimet. Konkretisht, ofertat më të ulëta se ajo e “Nika” shpk janë skualifikuar.
Kështu, NDERTIMI shpk ka ofruar vlerën 27’568’786 lekë. KOMBEAS sha ka propozuar 28’077’308 lekë. Këto janë dukshëm më të ulëta se oferta 28’931’826.14 lekë pa TVSH e kompanisë “Nika”.
Nga ana tjetër, një nga ofertat më të larta, që ndihmon fituesin, është bërë nga një kompani që është partnere e firmës “Nika” në kontrata të tjera publike. Është fjala për kompaninë “Al-Asfalt” të Astrit Varakut, që ka propozuar ofertën 33’401’370 lekë pa TVSH.
Pse “Nika” duhej skualifikuar?
Kompania e Shpresa Nikës merr shumë tendera në të njëjtën kohë duke mos garantuar më pas zbatimin e kontratave. Në 16 tetor 2024, komisioni i vlerësimit të ofertave i Bashkisë Korçë, për prokurimin me objekt “Rehabilitimi i digës së ujëmbledhësit të Gjonomadhit”, e skualifikoi firmën “Nika” për shkak të angazhimeve në kontrata të tjera. “Stafi është i angazhuar në kontratat me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi” Korçë” dhe “Ndërtim Lere Plasmasi “Sheshi i Rungajës”,”Deko”, “Sheqe” dhe “Pandelimoni”, Ekonomia Kullosore Rungajë”. Fuqia punëtore në total është e angazhuar në objektet e mësipërme . Gjithashtu personi i deklaruar si drejtuese teknike është edhe tek objekti “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi””, shkruhet në procesverbalin e vlerësimit.
Kështu po ndodh edhe në tenderin që po raportojmë të Bashkisë Durrës, ku “Nika” u shpall ditën e djeshme fituese pa plotësuar kriterin e kapacitetit teknik për fuqinë punëtore.
Më konkretisht, më 20 dhjetor 2024, “Nika” ka marrë kontratën 1-vjeçare nga Bashkia Shkodër me objekt “Rikonstruksion Shkolla “Ndre Mjeda” me fond limit 198 944 392,00 lekë pa TVSH. “Nika” sipas kontratës është zotuar të impenjojë 72 punonjës në këtë punë, që në rastin më të mirë mbyllet në fillim të vitit 2026.
Më 7 mars 2025, Bashkia Korçë i dha firmës “Nika” tenderin “Rehabilitimi Qëndrës Inovative dhe Kreative për fëmijë “Thoma Turtulli”, Korçë (faza e I-rë) me fond 15 014 647,00 lekë pa TVSH. Këtu kërkohen 19 punonjës.
Ndërsa më 17 mars 2025, Bashkia Devoll i dha firmës “Nika” tenderin me objekt “Ngritja e Qendrës Rinore të Devollit” me fond 18 705 058,00 lekë pa TVSH.
Në këtë punë “Nika” shpk duhet të ketë në dispozicion 27 punonjës dhe një listë me mjete motorike dhe teknologjike.
Ndërsa më 18 nëntor 2024, “Nika” mori një kontratë publike me kohëzgjatje 6 muaj nga Ujësjellës Kanalizime Korçë me objekt “Investime në Ujësjellësa në fshatrat Sheqeras, Plase, Libonik, Drithas Symiz, Pirg dhe Kolanec në Njësinë Maliq të UKRK” .me fond 64 452 339,00 lekë pa TVSH. Në këtë kontratë, firma e Shpresa Nikës angazhohet të ketë minimalisht 43 punonjës.
Edhe pse e mbytur me këto punë, Emiriana Sako i jep Shpresa Nikës tenderin e rrugëve të Durrësit, ku duhen edhe 34 punonjës.
Numri prej 34 punonjës përfshin, 20 punëtorë të thjeshtë + 14 personat që janë stafi i kualifikuar i inxhinierëve dhe teknikëve, drejtues mjeti, manovratorë, etj të përmendur më lart. Ky numër është llogaritur analitikisht në grafikun e punimeve duke përdorur orët e punës sipas manualit të ndërtimit dhe volumet totale për secilin zë punimesh në preventiv për kohën kur shënohet piku i punimeve gjithashtu për llogaritjen e numrit të punonjësve janë marrë parasysh kombinimet e mundshme të punonjësve të specializuar dhe atyre të thjeshtë.
Nga verifikimi i pasqyrave financiare të kompanisë “Nika” del se mesatarisht, ka 92 të punësuar. Pra, “Nika” nuk ka mundësi të plotësojë të gjitha kontratat me fuqi punëtore, prandaj duhej skualifikuar nga tenderi.
Jo vetëm kaq, por ‘Nika” Shpk mashtron me kryerjen e punimeve duke mos i zbatuar kontratat. Këtë e thonë disa raporte të KLSH.
Dokumenti i mësipërm është firmosur në 2023 nga kryetari i KLSH, ku i kërkon me këmbëngulje kryetares së bashkisë Klos që të marrë nga “Nika” shpk paratë e përfituara padrejtësisht.
Nika dhe biznesmenët e tjerë që po majmen nga Rilindja do vazhdojnë të përfitojnë përderisa në detyrë të qëndrojnë kryetarë bashkie si Emiriana Sako që është nën hetim nga SPAK.
Kujtojmë se Emirjana Sako u paraqit në SPAK më 17 maj 2024. Ndërsa në vitin 2021, pas hetimeve 8 anëtarë e komisionit të një tenderi të firmosur nga Sako, u arrestuan nga SPAK.
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post