Takimi i thirrur nga i dërguari evropian për bisedimet Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak midis Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë, thotë për Zërin e Amerikës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Në një intervistë për Shefin e Shërbimit Shqip Arben Xhixho, zoti Escobar po ashtu kundërshton propozimin e zotit Kurti, që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, palët të bien dakort paraprakisht për vijat e përgjithshme të tij, para se Prishtina të paraqesë një projekt konkret.
Zëri i Amerikës: Situata në Kosovë po shkon nga përshkallëzimi në përshkallëzim. Si do të veprohet më tej?
Gabriel Escobar: Duhet të punojmë menjëherë për një plan uljeje të tensioneve. Bashkimi Evropian ka paraqitur tashmë një plan me tre pika, pra që kryetarët të dalin nga godina, KFOR-i të marrë përsipër sigurinë e ndërtesave, protestuesit të largohen, personat që sulmuan policinë dhe gazetarët të mbahen përgjegjës, dhe të thirren zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e serbëve pa asnjë parakusht dhe rikthim i menjëhershëm tek dialogu.
Zëri i Amerikës: Keni patur përgjigje nga qeveria e zotit Kurti për të këto propozime?
Gabriel Escobar: Është tepër herët për ta thënë. Ende shpresojmë për një takim në Bruksel të të dy udhëheqësve në të ardhmen e afërt.
Zëri i Amerikës: Zoti Kurti tha se do të marrë pjesë në takim.
Gabriel Escobar: Është tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur.
Zëri i Amerikës: Zoti Kurti tha në një konferencë për shtyp se është i gatshëm të paraqesë një projekt për asociacionin e komunave serbe duke Por, ai tha se të dyja palët janë larg njëra-tjetrës për sa i përket formës, që do të marrë ky asociacion në të ardhmen dhe se nuk ka kuptim të bisedohet tani. Dhe ai po sugjeron që dy palët të bien fillimisht dakort për parimet kryesore të asociacionit dhe më pas ai mund të paraqesë propozimin. Cili është përgjigja juaj?
Gabriel Escobar: Nuk ka përse të presë për këtë. Nuk duhet të presë për këtë. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale. Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo.
Zëri i Amerikës: Gjatë muajve të fundit ka patur tensione të larta mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo përkoi me ndryshimin e politikës së Uashingtonit, duke i ushtruar më shumë trysni ndaj Prishtinës. Si e gjykoni ju këtë?
Gabriel Escobar: Mendoj se ky është keqinformim. Lejomëni ta paraqes kështu: Gjithçka që kemi bërë gjatë 90 ditëve të fundit ka qenë për të mirën e Kosovës, gjithçka. Pra, mbështetëm Këshillin e Evropës. Pamë nevojën për zgjedhje të reja. I mbështetëm ato. I mbështetëm megjithëse Serbia ishte kundër tyre. Ne njohim rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse patën vetëm 3% pjesëmarrje. Serbia donte që t’i shpallnim të paligjshme. Serbia donte që ne të mos njihnim autoritetin e kryetarëve. Ne i njohëm. Kur kryetarët u inauguruan, për ne ata ishin kryetarë. Tashmë gjendemi në pozicionin e vështirë kur këta kryetarë nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë komunitetet ku janë kryetarë. Prandaj na duhen zgjedhje të reja. Por në të njëjtën mënyrë, ne pranuam se këta kryetarë kanë autoritetin ligjor për të vazhduar funksionet komunale. Kishim kërkuar megjithatë një gjë, që Kosova të mos përpiqej të merrte kontrollin e godinave komunale me forcë. Unë kam qenë pjesë e qeverisë federale amerikane që në moshën 19-vjeçare. E kam parë qeverinë amerikane të braktisë godina për shkak të zjarreve dhe përmbytjeve dhe së fund mi COVID-it dhe madje edhe për shkak të protestave, por askush nuk vuri ndonjëherë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë amerikane. E vetmja gjë që kërkuam nga qeveria e Kosovës është të mos rrisë tensionet, duke u përpjekur të shkojë atje me forcë. E megjithatë ata vepruan kështu. Pra nga njëra anë, gjithçka që kemi bërë, ka njohur legjitimitetin e Kosovës. Kemi mbajtur gjithnjë anën e tyre për të gjitha këto mosmarrëveshje.
Zëri i Amerikës: Në Kosovë do të thonin që edhe Vuçiçi nuk ka bërë asgjë për uljen e tensioneve, por ndaj tij nuk pa patur trysni kaq të madhe.
Gabriel Escobar: Kjo nuk është e vërtetë. Pra, siç e thashë, ai kundërshtoi gjithçka që ne bëmë gjatë 90 ditëve të fundit. E megjithatë ne vazhduam përpara. Ne gjithashtu i kemi kërkuar Serbisë të heqë forcat nga kufiri në mënyrë të njëanshme, pa kushte; të inkurajojë serbët të rikthehen pa kushte. Dhe ai ka rënë dakort për të dyja këto. Pra nuk është e qartë se çfarë na nevojitet tjetër, përveçse të përparojmë me dialogun.
Zëri i Amerikës: Dhe nëse zoti Kurti nuk ju dëgjon? Çfarë do të ndodhë?
Gabriel Escobar: Kjo nuk është një çështje SHBA – Kurti. Këtu është i gjithë komuniteti transatlantik që po i thotë qeverisë së Kosovës se dëshirojmë të bashkëpunojnë me qeverinë, por ne nuk mund të respektojmë vendime të njëanshme që krijojnë tension në një mënyrë të panevojshme, të shmangshme dhe të parashikueshme. Kjo është e gjitha çfarë po kërkojmë./VOA
Discussion about this post