Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për arratisjen e dy të burgosurve nga 313 në vitin 2021, duke dërguar në gjyq tre policët e pandehur.
Në dosje tregohet e gjithë kronologjia e ngjarjes, si të burgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, tentuan të arratisen duke zbritur me një litar të improvizuar me çarçaf nga pjesa e ajrimit.
Sipas dokumenteve janë pamjet filmike ato të cilat nxorën zbuluar të gjitha lëvizjet e kryera atë ditë nga të paraburgosurit.
Prokuroria tashmë kërkon gjykim për policët me iniciale R.M., B.M., dhe O.M., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Prokuroria Pranë Gjykatës të Shkallës të Parë Tiranë, mbi bazën e referimit të ardhur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë të Drejtësisë, në datën 09.08.2021 ka regjistruar procedimin penal nr.5648 për veprat penale të parashikuara nga nenet 323-25, 324 dhe 237 të Kodit Penal.
Me vendimin e datë 13.01.2022 nga ky procedim janë veçuar aktet lidhur me hetimin e faktit nëse konstatoheshin veprime të kundraligjshme nga punonjësit e policisë të burgjeve, për veprën penale të “shpërdorimi i detyrës” të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, në një çështje penale më vete me nr.5648/1.
Sipas referimit të bërë, në datë 08.08.2021, policia gjyqësore në SHKB ka marrë njoftim zyra e informacionit të IEVP “Jordan Misja“ Tiranë se rreth orës 15:40 të asaj dite të paraburgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri kanë tentuar të arratisen duke zbritur me një litar të improvizuar me çarçaf, nga pjesa e ajrimit që ndodhen në tarracën e godinës “A” te shkallët e administratës dhe më pas janë neutralizuar nga forcat e policisë në pjesën e oborrit të IEVP.
Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë fakt nga policia gjyqësore janë filluar hetimet paraprake. Nga policia gjyqësore janë marrë pamjet filmike që mbulojnë ambientet e brendshme dhe të jashtme të IEVP “Jordan Misja” dhe është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes. Nga këqyrja e pamjeve filmike dallohen të gjitha lëvizjet e kryera atë ditë nga të paraburgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri.
Gjatë tentativës për arratisje, specialisti i informacionit Myfit Xheka është goditur me send të fortë në kokë nga Fatmir Pjetri dhe sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr.601 datë 13.08.2021 tek Myfit Xheka konstatohet një plagë në pjesën e sipërme të kokës, shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që ka sjellë humbje të aftësisë për punë mbi 9 ditë.
Është marrë me proces-verbal për këqyrje-marrje gjithë dokumentacioni që ka lidhje me tentativën e arratisjes nga këta të paraburgosur. Po kështu janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale disa sende të përdorura nga autorët e veprës për të realizuar arratisjen si një litar i improvizuar me me ngjyrë blu në të bardhë me gjatësi të përgjithshme 17 m, një hekur në formë e shkronjës “S” me gjatësi 72 cm si dhe një shufër hekuri me teh të mprehtë në njërën anë, me gjatësi 13 cm.
Policia gjyqësore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele, si bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 323 të Kodfit Penal si dhe janë pyetur të gjithë punonjësit e IEVP që ishin me shërbim në atë moment lidhur me rrethanat e ngjarjes”, thuhet në dosje.
“Punonjësi i i vëzhgimit të ajrosjes Bledar Kurti deklaron se ka marrë shërbimin si çdo ditë në orën 08.00. Pasi ka marrë çelësat te oficeri i rojës është futur brenda në sektor në godinën ”A”, ku ka shkuar në vendin e punës i cili është lart te vendi i ajrimit dhe deri në 12.00 ka qëndruar atje dhe pas mbarimit të orarit të ajrosjes ka qëndruar në dhomat ku rrimë gjithnjë.
Para se të dilte përsëri në ajrosje ka parë një të paraburgosur i cili kishte prerë dorën dhe shkoi te infermieria. Rreth orës 14.50 ka shkuar përsëri në vendin e punës lart në ajrosje pasi në orën 15.00 rihapet përsëri. Në vendin e punës ku ai shërben dalin në të njëjtën kohë sektorët 1-2 i katit të 2 dhe në në krahun tjetër del sektori 2/4, dhe 2/5 të katit të 2.
Pasi mori përsëri shërbimin dhe u bëra gati për të pritur të paraburgosurit në ajrosje, ai ka dalluar se dy të paraburgosur hapën rrjetën dhe hypën mbi zgarën e ajrosjes. Ai ka shkuar menjëherë nga vend roja për ti ndaluar dhe arriti vetëm të kapte me një dorë një prej tyre, që e njohu si Fatmir Pjetrin por pa arritur ta ndalojë pasi ai i iku dhe iu drejtua fundit të ajrosjes, ku lidhën litarin dhe e hodhën në krahun e oborrit.
Ai ka bërtitur për tu dëgjuar nga polici poshtë kolonës, dhe ka shkuar të hapë derën e daljes nga sektori në ajrosje pasi ishte e mbyllur me shul nga të dy të paraburgosurit. Në këtë moment kanë ardhur dy policë të gatshëm, Edmond Prenga dhe Olti Myzyri të cilët hipën lart sipër zgarës së ajrosjes shkuan deri në fund për të parë të dënuarit dhe u kthyen pasi nuk panë asgjë.
Punonjësi i vëzhgimit të ajrosjes Xhavit Kurti deklaron se ka marrë shërbimin në orën 08:00 dhe në atë moment elementët e sigurisë ishin në rregull dhe pa probleme. Rreth orës 15:00 ai është ngjitur tek bokset e ajrimit për të filluar ajrimin e pasdites për të p/burgosurit, ku sipas grafikut ka pasur ajrim sektori 2/4 dhe 2/5.
Kanë dalë për ajrim sektori nr.1 në krahun tjetër të ajrosjes dhe gjatë daljes në ajrim ka parë një kolegun e tij të bënte debat me të p/burgosurin Arbër Çekaj, i cili kishte hipur sipër zgarës dhe atij ju duk sikur kolegu i tij e kapi për këmbë por nuk arriti ta neutralizojë.
Në këtë moment duke qenë dhe me trup më të gjatë, ai ka hapur rrjetën sipër dhe është ngjitur në zgarë dhe i ka bërtitur punonjësit të policisë Fiqiri Halili që të njoftojë informacionin për ngjarjen pasi ai nuk kishite me vete as telefon dhe as radio dhe më pas nuk ka parë gjë për këtë ngjarje.
Ndihmës specialist informacioni Ali Almeta deklaron se ka marrë shërbimin në orën 06:15 dhe ka dalë të rreshtuar turnin e parë të efektivëve. Pas instruktazhit të bërë nga s/informacionit ai është futur bashkë me trupën për kontrollin fizik te skaneri, dhe kanë bërë shoqërimet në godinat përkatëse sipas sektorëve.
Në orën 14:30 ai është lajmëruar nga zyra e informacionit se i p/burgosur Lulzim Çepele ka prerë damarët. Specialisti i informacionit e ka dërguar për të njoftuar infermieren që të komunikojë me mjeken, ku pas komunikimit të tyre u vendos që Lulzim Çepele të dërgohej në urgjencë. Rreth orës 14:50 ai ka marrë detyrë nga s/informacionit që të merrte të p/burgosurin e dëmtuar bashkë me dy punonjës të tjerë si dhe specialistin e trupës për ta dërguar atë në urgjencë.
Në momentin që ata po dilnin në tunel, ka dëgjuar nga jashtë derës zhurma dhe të bërtitura, dhe në këtë moment ata e kanë lënë të paraburgosurin te kontrolli me policin e rolit bazë dhe bashkë me dy pjesëtarë të grupit të sigurisë dhe specialistin e trupës kanë dalë jashtë në oborr.
Aty ai ka parë një nga as/informacionit Myfit Xheka të gjakosur në kokë dhe të punonjësin e sigurisë Lefter Hysenlika i cili kishte neutralizuar të p/burgosurin Fatmir Pjetrin, me pas kam parë dhe të p/burgosurin Arbër Çeka dhe ata kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe prangosur.
Specialist i informacionit Myfit Xheka deklaron se në orën 06:30 ka marrë shërbimin deri në orën 19:00, ku ai ka si detyrë menaxhimin e gjithë aktivitetin e institucionit”, thuhet në dosje.










Discussion about this post