Saranda, emri i së cilës vjen nga Manastiri i 40 Shenjtorëve (Santa Quaranta) i vendosur mbi kodrën e qytetit, përveç plazheve të bukura zotëron dhjetëra pasuri arkeologjike dhe natyrore më shumë se çdo qytet tjetër, disa pak të njohura për vizitorët. Butrinti, Finiqi, Mesopotami, Lëkurësi, e plot manastire e kisha bizantine. Vetëm pak kilometra larg janë xhamitë e vjetra të Delvinës, Manastiri i Kamenos, kulinaria, stanet dhe mandarinat e Xarrës, bimësia e Ksamilit dhe rezervatet e midhjes, Nivica me fshatin historik dhe kanionet e saj është afër, me shumë monumente antike nëpër qytet dhe në qendër që datojnë nga shekulli VI para erës sonë. Plazhet janë vetëm një nga xhevahiret e këtij qyteti, dhjetëra të tjera janë në kodrat me gurë e shkurre.
Në prill – qershor, kodrat rreth rrugës automobilistike Tepelenë- Gjirokastër vishen me lule e gjelbërim, ku mbizotëron e verdha e gjineshtrës. Në rrëzë të maleve si kurora lulesh, fushat e begata kanë grafulluar në jeshile më shumë se çdo herë tjetër edhe prej reshjeve të shumta të dimrit. Ky peizazh i mrekullueshëm është si zambaku i mëngjesit që çel dhe mbyll petalet në të dalë të diellit.
E kisha vizituar gjithnjë në vjeshtë këtë qytet. Nuk më kanë pëlqyer kurrë kodrat e thata me gurë, por gjithmonë deti, syri i kaltër dhe Butrinti, ashtu si dhe shumica e vizitorëve. Por thesaret e historisë, fshihen pas gurëve dhe lisave shekullorë, të cilat asnjëherë nuk marrin vëmendjen që u takon, sepse Saranda njihet më së shumti për ditët e shumta me diell, plazhet e bukura.
Që nga Butrinti, Finiqi, Mesopotami, Delvina, Saranda e rrethinat janë të mbushura me qytete të lashtësisë, manastire, kisha bizantine, xhami të vjetra, mozaikë që datojnë që nga shekujt IV-V para erës sonë. Rrape e dafinë të lashta sa vetë qytetet, rezervatet e midhjes, ishujt e Ksamilit, fushat e Xarrës me Mandarinë dhe bimësia antike si rrallëkund tjetër duhen vizituar medoemos. Katër ditë të plota nuk mjaftojnë.
Nisja me Lëkurësin dhe 40 Shenjtorët
Nëse keni shkuar për disa ditë në Sarandë, fillojeni eksplorimin me Kalanë e Lëkurësit dhe Manastirin e 40 Shenjtorëve në ditën e parë. Në kodrën mbi qytet përballë Lëkurësit ndodhen rrënojat e manastirit, prej të cilit rrjedh emri i qytetit Santa Quaranta (Saranda). Nga qyteti duhen jo më shumë se dyzet minuta nëpër një rrugë të shtruar. Zgjidh perëndimin e diellit, sepse pamja nga lart, pasi kanë nisur të ndizen dritat në qytet, është më shumë se mahnitëse.
Rruga është e pjerrët e lehtë dhe kalon në mes shtëpive që oborret i kanë qëndisur me lule dhe avlli të lyera në të bardhë. Rrënojat e Manastirit shfaqen shpejt në rrafshinë, që është e zakonshme për të gjitha kodrat rreth e qark shumica e të cilave janë ish-vendbanime antike.
Të dhënat historike tregojnë se bazilika dhe manastiri ishte një objekt i banuar që në vitet 324 të erës tonë, në Bizantin e hershëm, kohë kur legjenda thotë se ka ndodhur edhe martirizimi i 40 shenjtorëve. Manastiri për shumë shekuj me radhë shërbeu si një qendër pelegrinazhi për të krishterët nga rajonet e Mesdheut dhe ka funksionuar si e tillë deri në shekullin e XIX.
Sipas legjendës prej së cilës 40 ushtarë kristianë u vunë para zgjedhjes, ose të ndërronin fe ose të vdisnin. Si formë pensioni u përdor një banjë me ujë të ngrohtë për atë që ndërron mendje. Ushtarët u lanë në të ftohtë pa veshje deri sa ndërruan jetë. Në nderim të tyre, feja ortodokse i shpalli të 40 martirët shenjtorë. Sonila, e cila kalon një pjesë të mirë të vitit në Sarandë, tha se,
Manastiri vizitohet shumë pak, edhe pse historia dhe pamja janë shumë të bukura. Turistët e vizitojnë shumë pak, vitet e fundit është rritur interesi. Madje gjen edhe vendas që nuk e dinë historinë e manastirit. Objekti i Manastirit është rrënuar, por themelet dhe muret sjellin dëshminë e arkitekturës që nga Bizanti i hershëm deri në Mesjetën e vonë.
Për vizitorët aktivë, është mjaft tërheqëse të zbresësh kodrën dhe më pas të ngjitesh përballë Lëkurësit, ku pas 30 minutash ecje në një rrugë të pjerrët mund të konsumosh një kafe në kala, duke shijuar peizazhin 360 gradë nga Korfuzi, ishujt e Ksamilit, Butrintin, Finiqin dhe qytetin. Kalaja u ndërtua në vitet 1530 nga Sulltan Sulejmani gjatë pushtimit të Korfuzit. Ajo ishte një fortesë me mure të trasha mbi dy metër me frëngji dhe strehonte një garnizon prej rreth 200 ushtarësh. Më vonë kalaja u përdor nga Ali Pashë Tepelena, ndërsa sot është një nga pikat më tërheqëse turistike, për pamjen që të ofron.
Në thesaret e fshehura të Finiqit
Vizitorët zakonisht mjaftohen me Butrintin përveç plazheve të Sarandës. Qyteti i lashtë i Finiqit vizitohet pak dhe kryesisht vetëm nga ata që kanë informacionin e saktë se çfarë ofron me të vërtetë. Me makinë është vetëm pak kilometra larg nga Saranda.
Finiqi, ashtu si edhe Butrinti, janë nga të paktat qytete antike në Europë që sot e kësaj dite janë në formën e tyre të paprekur dhe pa ndërhyrje nga qytetërimet e vona. Për ata që nuk e njohin historinë, burimet e internetit ofrojnë shumë pak për Finiqin dhe ka pak foto. Ndoshta kjo e bën edhe më frymëzuese dhe të veçantë për pjesën më të madhe të vizitorëve qytezën e lashtë.
I vendosur në një kodër që ka formën e një anije të përmbysur, Finiqi i lashtë, edhe sot ka muret e trasha rrethuese me gurë të mëdhenj, si ato të portës së luanëve në Butrint. Edhe pse jo të gërmuara tërësisht aty janë gjurmët e qarta të një qytetërimi shumë të zhvilluar, që daton që nga shekulli V para Krishtit. Muret rrethuese me gurë me masive janë dëshmi të rralla sot në Europë.
Brenda kontureve ka një teatër, ndërsa jo shumë larg janë gjurmët e një shkolle, shtëpive luksoze të lashtësive me ujësjellës dhe kanalizime. Finiqi ose Foinika ka histori shumë të lashtë. Dëshmitë tregojnë se qyteti ka qenë i banuar nga Kaonët në shekullin IV para Krishtit dhe më pas ishte një qendër e rëndësishme e zhvilluar dhe qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ndryshe nga Butrinti, në Finiq vijnë më pak vizitorë, vetëm ata që janë të interesuar shumë pas historisë.
Madje disa vendas në qytet e kishin vizituar për herë të parë gjatë karantinës. Finiqi, pas Butrintit dhe Apolonisë është pasuria më e madh arkeologjike në vend. Nëse bëhen gërmime të mëtejshme, qyteza e lashtë do të shfaqej edhe më madhështore, pasi rrënojat tregojnë për një vendbanim me dendësi të madhe dhe një organizim urban të përsosur. Nëse do të kishte një promovim më të madh, Finiqi duhet të ishte po aq i vizituar sa edhe Butrinti dhe kuptohet të ardhurat do të ishin shumë të larta. Sonila, e cila e viziton shpesh Finiqin, duke shoqëruar kryesisht miqtë e saj nga Tirana, nuk e kupton se pse qeveria vendosi të menaxhojë me koncesion Parkun e Butrintit.
Kjo formë administrimi duhet të ishte zbatuar për Finiqin, pasi duket qartë se, deri më tani është shfaqur neglizhencë e tepruar, edhe pse që nga viti 2000 disa studentë nga Universiteti i Bolonjës në Itali vijnë të gërmojnë rregullisht. Nga të gjitha vendbanimet e lashtë të gjetura deri më tani në Shqipëri, muret rrethuese të Finiqit janë unike dhe duhen vizituar patjetër.
Nga Finiqi në Mesopotam
Në anën lindore të Finiqit poshtë në fushë, shtrihet fshati i Mesopotamit. Përgjatë rrugës ku rrjedh edhe Bistrica me ujin e ftohtë akull, në një kodër shumë të butë dallon nga larg bimët antike, disa qiparisa, rrape dhe dafina. Në mesin e tyre ndodhet Kisha e Manastirit të Shën Kollit.
Objekti është ndërtuar në fillim të shekullit XII dhe përfaqëson një ndër manastiret më të mëdha të stilit bizantin në vendin tonë. Manastiri është edhe sot funksional dhe ka një arkitekturë tërheqëse. Muret janë të zbukuruara me gurë në të cilat janë të gdhendura objekte mitike të tilla si luan, dragonj që zakonisht nuk janë karakteristike e objekteve fetare.
Çatia është nga më të veçantat, e rrethuar me tre a katër radhë me tulla që nuk e kanë humbur aspak shkëlqimin në të gjithë këta shekuj. Rrënojat e mureve rrethuese duken qartë dhe ndërpriten nga disa kulla. Manastiri është në një mjedis mjaft tërheqës. Sidomos në pranverë kur kundërmojnë gjethet e njoma të dafinës dhe tërfili i livadheve. Të pasionuarit pas arkeologjisë do të gjejnë në këtë manastir gjurmë e simbole të lashta në muret e një kishe që mbart kulturën romake dhe atë bizantine. Për turistët e zakonshëm mjafton pamja përrallore e objektit dhe mjedisit për rreth.
Xhamitë dhe hamamet vjetra të Delvinës
Delvina është 17 kilometra larg Sarandës me makinë. Në rrethinat e qytetit aktual të Delvinës u ndërtuan xhamitë dhe komplekset e para në Shqipëri, të vendosura në disa kodra unike nga forma dhe bimësia që rrethohen nga lumenj dhe burime uji. Më e famshmja është Xhamia e Gjin Aleksit. E restauruar së fundmi, është një nga objektet më të bukura fetare në vendin tonë.
Ajo ndodhet në fshatin Rusan në të majtë të hyrjes së qytetit të ri të Delvinës, në të cilën edhe sot kryhen shërbesat fetare. Mësuesi i historisë në fshat e thirri, “Ezanin” në dhe kreu faljen e orarit të pasdites. Delvina banohet nga popullsi e besimit mysliman. Duket se janë besimtarë, pasi irritohen nëse i ngatërron me ortodoksët e Sarandës dhe Finiqit.
Mësuesi i Rusanit që kryen edhe shërbesa fetare thotë se jo më vonë se 10 vitet e ardhshme fshatra të tërë do të mbeten të shkreta. Emigrimi dhe rënia e lindjeve po e shkretojnë zonën. Të dhënat historike tregojnë se Xhamia e Gjin Aleksit është nga të parët në Perandorinë Osmane që u ndërtua në rrënojat e një kishe të vjetër. Më tej, në anën tjetër të qytetit në Xhërmëhallë, është një kompleks islamik i shekullit XVI me xhami, hamame, kala dhe një medrese.
Qyteza mesjetare shtrihet ndërmjet disa kodrave të buta, ku ndërmjet tyre ka burime uji të ftohta. Hamami është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, ndërsa ka të dhëna se Xhamia e Xhërmëhallës është e para në Shqipëri dhe u ndërtua në vitin 1682. Për shkak të bukurisë që ka zona përreth, vendasit thonë se emri i lagjes Xhërmëhallës vjen nga fjala xhevahir. Ky objekt ndodhet afër një kroi e rrethuar me qiparis, por gjatë regjimit komunist është dëmtuar dhe më vonë nuk pati kurrë një rikonstruksion të plotë.
Pasi të kesh vizituar objektet islame 400-vjeçare, sipër mbi qytet në pjesën lindore janë shtëpitë e vjetra në stil si të Gjirokastrës në një peizazh mahnitës me pisha. Nëpërmjet një rruge që rekomandohet të bëhet me fouristradë vetëm 2 kilometra në Lindje të Delvinës ndodhet Manastiri i Kamenos. Rruga është mjaft e bukur, me pemë ullishtash, lule dhe shkurre të gjelbëruara dhe disa sheshe pushimi mjaft panoramike nëse udhëtoni në këmbë. Manastiri ndodhet në një pllajë dhe thuhet se fillimisht është ndërtuar në vitet ‘600, por më pas është rindërtuar në vitet 1000 dhe 1500. Manastiri ndodhet në një vend me bukuri të jashtëzakonshme, i rrethuar me bimësinë tipike antike që i shoqëron të gjitha vendbanimet e lashta të Sarandës. Rrapet e mëdha lëshojnë hije të mëdha dhe përreth tyre ka burime me ujë të ftohtë.
Rrethinat e Delvinës ofrojnë shumë për vizitorët, ku ndërthuren mirë burimet arkeologjike me natyrën. Ushqimet janë të shijshme dhe të lira, ku mishi i kecit dhe i qengjit në pranverë shijojnë më shumë se në çdo vend tjetër në këtë periudhë. Duhet një ditë e plotë, pa asnjë minutë pushim shëtitje në bukuritë e Delvinës. Si rrallëkund tjetër në Shqipëri, në Delvinë bëhen bashkë objektet më të vjetra fetare, manastiret dhe xhamitë e para.
Butrinti, Guri i Kurorës
Nga të gjitha pasuritë arkeologjike të Sarandës, padyshim Butrinti është më madhështori, por edhe më i promovuari, më i reklamuari dhe ndër më unikët në Europë. Vetëm 20 kilometra nga Saranda, për të cilin ka dëshmi se është banuar 50 mijë vite para Krishtit, por faktet tregojnë për një zhvillim të tij që nga vitet 800 para erës sonë.
Dokumentet zyrtare të Ministrisë së Kulturës pohojnë se brenda rrethimit arkeologjik janë identifikuar site arkeologjike parahistorike. Duke nisur nga vitet 800 para Krishtit deri në mbërritjen e romakëve, ai ishte nën ndikimin e kulturës helene. Në vitet e para 44 të erës sonë Butrinti u dominua nga romakët.
Kristo Kaurri, inxhinier i mjedisit, mjaft i pasionuar ndaj bimësisë dhe natyrës, thotë se edhe bimësia në Butrint është po aq e lashtë sa objektet. Rrapet atje janë antike, thotë Kaurri, dhe i kanë mbijetuar kohës pasi në zonë nuk ka ndërhyrje urbane. Në Butrint ka vizitorë edhe pse të rrallë në krahasim me vitet e tjera, për shkak të kufizimeve të pandemisë.
Vizitorët nuk janë në grupe, po kryesisht individë ose familje nga Kosova, shqiptarë dhe disa të huaj. Guida tregon se numri i vizitorëve po rritet dhe ky vit pritet të jetë premtues. Ai tha se, në park në vitin 2019 kishte mbipopullim turistësh. Pothuajse të gjithë të huajt që vizitojnë Korfuzin kanë të përfshirë një guidë në Butrint. Fitimet nga shitja e biletave ishin në rritje të shpejtë deri para pandemisë. Butrinti tërheq vizitorë nga e gjithë bota, dhe nga trojet shqiptare.
Ka plot shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë që e vizitojnë. Qyteti është më i vizituari nga vendasit. Butrinti është nga qytetet më të rralla antike në Europë që është në formën e tij të plotë, me arkitekturën antike që përfshin rrethimin, teatrin, tregun, kishën dhe bimësinë e lashtë e aneksuar nga urbanizimi modern. Qeveria ka një projekt për të dhënë menaxhimin e Butrintit me koncesion për të rritur të ardhurat, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen. Ky park është më fitimprurësi në raport më të tjerët. Por për guidat vendase do të ishte më mirë që kjo formë menaxhimi të përdorej për menaxhimin e Finiqit, i cili është po aq madhështor.
Syri i Kaltër, gjithmonë tërheqës
Vit pas viti, Syri i Kaltër, një nga atraksionet më të mëdha natyrore në vend, është një nga më të vizituarit në Sarandë. 22 kilometra nga qyteti i Sarandës, në rrugën që lidh Delvinën me Gjirokastrën në fshatin Muzinë, gjendet Syri i Kaltër, i cili tërheq të gjitha kategoritë e turistëve, nga vendi, rajoni dhe bota.
Në pranverë është më i bukur se në çdo stinë. Bimësia dhe lulet e sapoçelura, të ndërthurura me ujin kristal që buron nga rrëza e Malit të Gjerë dhe 18 burimet e tjera rreth e qark i japin zonës pamje tropikale. Mirëpo Syri i Kaltër ndoshta është keqpërdorur më shumë se të gjitha burimet e tjera natyrore nga dora e njeriut.
Eksperti i Mjedisit, Kristo Kaurri, thotë se 25 vite më parë, burimet e Syrit të Kaltër e gjithë lugina ishte e mbuluar me rrape të mëdhenj, që nuk e linin dritën e diellit të depërtonte. Popullimi i zonës dhe mbingarkesa me ndërtime pa leje zhdukën shumicën e pemëve. Sot lugina është tërësisht e zhveshur dhe nuk i ngjan aspak asaj që ishte trashëguar me shekuj. Kaurri thotë se në vetëm 30 vite u shkatërrua ajo që në shekuj u trashëgua nga natyra.
Në Syrin e Kaltër ka plot vizitorë, kryesisht vendas. Pas plazheve dhe Butrintit, Syri i Kaltër është nga më të vizituarit. Vitet e fundit ndërtimet pa leje janë prishur, por grumbuj me inerte janë ende nëpër cepa. Një copë rrugë që duhet përshkruar nga rrjeti kombëtar deri te burimi është me gropa. Plehrat dhe mbetjet plastike janë të përhapura ngado.
Një çift holandezësh që kanë ardhur nga Greqia për të qëndruar disa ditë në Sarandë nuk kanë fjalë të përshkruajnë bukurinë e Syrit të Kaltër, por shtangin gjithashtu para masakrës ekologjike, aq sa kanë marrë dy qese të mbledhin mbeturinat që hasin rrugës. Menaxhimi i mbetjeve plastike në Shqipëri vijon të jetë një problem i mprehtë, por në parqet natyrore është shndërruar në një shqetësim të madh. Bashkitë e reja i menaxhojnë mbetjet kryesisht për qytetin dhe i kanë lënë në harresë territoret e tjera rurale që në fakt, sot po tërheqin më shumë vizitorë.
Këto terrene zakonisht pastrohen me aksion nga shoqëria civile dhe disa guida. Arben Kola, një nga guidat më të njohura në vend, çdo vit organizon pastrimin e shtigjeve që përshkohen nga Veriu në Jug dhe kur shoqëron grupet e turistëve gjithmonë e mban me vete një qese ku grumbullon mbetjet që gjen rrugës.
Ishujt e Ksamilit dhe mandarinat e Xarrës
Stina e pranverës është mjaft e përshtatshme për adhuruesit e natyrës për të vizituar ishujt e Ksamilit jo vetëm si plazhe, por si bukuri natyrore, bimësi, shtigje, manastire, rezervatet e midhjes dhe kodrat me mandarine të Xarrës. Ishujt e Ksamilit gjenden pranë bregdetit të Jonit në Ksamil. Rrugës për atje ka mundësi për të vizituar Manastirin dhe Plazhin e Manastirit.
Manastiri, i cili ende frekuentohet nga murgj, është në të dalë të Sarandës për në Ksamil, në majën e një kodre të butë nëpërmjet një rruge të lehtë të rrethuar me pisha e shkurre lehtësisht e përshkueshme. Manastiri zakonisht është i hapur, por jo gjithmonë. I ndërtuar në shekujt XII – XIII nga Bizanti i Vonë, manastiri edhe sot është i mirëruajtur dhe ofron pamje magjepsëse nga ishujt e Ksamilit dhe qyteti. Është nga monumentet më të vizituara për shkak të afërsisë me rrugën nacionale dhe qytetin e Sarandës.
Ishujt e Ksamilit tashmë janë shumë afër. Të vendosur pranë njëri tjetrit, ato janë monumente natyrore, trashëgojnë bimësi të pasur mesdhetare. Kanë vlera shkencore dhe biologjike. Në mes tyre spikasin ishujt binjakë, për faktin se janë të lidhur njëri me tjetrin përmes një rripi të ngushtë rëre. Ishujt ofrojnë një pamje tropikale me plazhe të vogla dhe, natyrë dhe qetësi, por urbanizimi i shpejtë me plazhe po i dëmton rëndë.
Presioni i turizmit në këtë zonë sa vjen e rritet, por dëmtimin më të rëndë e shkaktoi një zjarr si pasojë e shpërthimit të një strukture druri nga INUK me C4 në vitin 2014, thonë vendasit. Afër ishujve ndodhen edhe rezervatet e midhjes. Kureshtarët mund të kundrojnë nga afër se si rritet midhja aq shijshme që të ofrojnë restorantet e zonës. Në pranverë midhja ka sezonin e saj dhe shija e saj është me mira e vitit.
Në të njëjtën ditë me ishujt mund të vizitohet Butrinti ose parcelat me mandarinë në Xarrë. Fshati që merret gjerësisht me kultivimin e mandarinës po tërheq gjithnjë e më shumë turistë dhe po bëhet mjaft i popullarizuar edhe për shkak të një panairi të posaçëm që organizon çdo vit. Shumica e 700 familjeve që jetojnë atje merren me kultivimin e mandarinës në një zonë mjaft të bukur rurale, ku përveç mandarinë ka baxho, stane peshk. Xarra është një fshat mjaft interesant për turistët dhe për ata që kanë dëshirë të provojnë peshk dhe prodhime të freskëta të fshatit.
Xarra është edhe një model suksesi për bujqësinë. Duke marrë në konsideratë një rendiment në vit normal në 50 tonë për hektarë dhe një çmim me shumicë 35-45 lekë për kilogram, të ardhurat bruto për hektarë janë 2.2 milionë lekë, duke e renditur atë në aktivitetet më fitimprurëse në bujqësi. Xarra dhe Konispoli sigurojnë 60% të prodhimit të mandarinës në vend.
Gjirokastra dhe Nivica janë të arritshme
Nëse je duke bërë një udhëtim disaditor me destinacion kryesor Sarandën, Gjirokastra dhe fshati i Nivicë janë lehtësisht të arritshme. Gjirokastra, pjesë e Trashëgimisë Botërore nën kujdesin e UNESCO-s, është përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Sarandë. Ajo mund të vizitohet në ikje ose në kthim. Por nëse je duke e vizituar Sarandën jashtë sezonit të plazhit, fshati Nivicë është mjaft interesant.
Nivica është fshati i parë me të cilin ndeshen vizitorët pasi largohen nga Saranda drejt veriut. Edhe pse është pjesë e Bashkisë së Himarës, është lehtësisht i arritshëm nga Saranda. Fshati ofron histori interesante, ka një qendër të ristrukturuar historike dhe gjithashtu një kanion për sportet e aventurës. Ai është mjaft i vizituar nga të huajt. Fshati duket mjaft bukur në pranverë, ashtu si e gjithë zona rurale në këtë stinë./Monitor