Federata Shqiptare e Futbollit organizon mbrëmjen e kësaj të hëne “Topin e Artë 2024”. Një spektakël dhe një mbrëmje gala e cila do të transmetohet live në orën 20:00 në Televizionin Klan, nën moderimin e Ardit Gjebreas dhe Almeda Abazit.
Në mbrëmje do të jenë të pranishëm futbollistët e ekipit kombëtar kuqezi, trajnerë, futbollistë të rinj dhe shumë protagonistë të tjerë të futbollit shqiptar. Marrë shkas nga eventet ndërkombëtare futbollistike, “Topi i Artë 2024”, ka për qëllim që të vlerësojë të gjithë futbollistët dhe trajnerët, që kanë spikatur përgjatë vitit 2024.
Ky event madhështor organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të kthehet në një traditë. Për të folur rreth këtij spektakli, i ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ishte Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Për të gjithë publikun ai ndau detaje sa i përket çmimeve që do të ndahen dhe mënyrës se si do të funksionojë ndarja e këtyre çmimeve. Duka tha se ky event ka për qëllim promovimin e futbollit shqiptar, vlerësimin e futbollistëve më të mirë, por dhe t’u japë një shtysë atyre të rinjve që janë në fillim të ëndrrës dhe pasionit të tyre për të shkëlqyer në fushën e gjelbër.
“Është një përmbledhje e të gjitha aktiviteteve të vitit 2024, ku përfshihet pa diskutim dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Europian dhe vlerësimi i atyre që janë menduar nga vetë protagonistët si më të mirët. Pra qëllimi është që të përmbledhim vitin, sepse zgjedhja e një më të miri është gjithmonë subjektive dhe në futboll është shumë vështirë që ta ndash. Sot për herë të parë ne e fillojmë këtë spektakël le të themi, këtë festë të fundvitit, të quajtur ‘Topi i Artë’ të moderuar nga artisti Ardit Gjebrea, që me të vërtetë e ka kuruar me shumë kujdes, gjithçka. Mendoj se do të jetë dhe nga pikëpamja artistike një gjë e bukur, një ndërthurje e futbollit me artin dhe padyshim që do të jetë një shtysë më shumë për ata që janë më të mirët. Por dhe për ata që nuk janë shpallur më të mirët, për ta pasur si objektiv për vitin tjetër. Por dhe për ata që nuk janë shumë fansa të futbollit, që t’i bëjmë edhe pak më shumë fansa. Qëllimi kryesor është tek fëmijët që të vijnë dhe të luajnë futboll. Ne kemi ‘Topin e Artë Shqiptar” dhe më të mirët e futbollit shqiptar, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij dhe pikërisht ky bilanc e ky spektakël është për ta promovuar edhe më shumë futbollin”, tha Duka.
Presidenti i FSHF zbuloi pak nga surprizat e mbrëmjes së sotme, ku përveç emrave të nominuar që u bënë të ditur pak ditë më parë, ai tregoi dhe disa nga çmimet që do të ndahen.
“Këpuca e Artë nuk është një gjë që vendoset nga komisioni apo votimet, por kush ka shënuar gola më shumë fiton “Këpucën e Artë”. Kemi “Topin e Artë” për çuna dhe vajza të cilët do të votohen nga vetë protagonistët dhe trajnerët. Është zgjedhur “Formacioni i vitit 2024”. Është dhe një çmim tjetër shumë i rëndësishëm që është “Zemra kuqezi”, që është votuar nga futbollistët dhe nga stafi i ekipit kombëtar, apo “më i miri i ekipit” i votuar nga vetë futbollistët. Kjo është një shtysë jo vetëm për futbollistët, por dhe për ata që duan ta marrin në vitet e ardhshme. Është një motiv më shumë”, shtoi Presidenti i FSHF-së.
Teksa ndau për publikun detaje se çfarë pritet të ndodhë në eventin “Topi i Artë 2024”, ai u ndal në një pikë tjetër mjaft të rëndësishme. Presidenti Duka tha se qëllimi kryesor i FSHF-së është që të rrisë numrin e fëmijëve në futboll dhe në një kohë kur shumë të rinj po marrin rrugët e emigrimit, ai theksoi se është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve që angazhohen në futboll.
“Objektivi jonë kryesor është që të kemi sa më shumë fëmijë në futboll. Në këtë situatë ku Shqipëria është e prekur nga eksodi, ku shumë shqiptarë lënë vendin, ne përkundrazi kemi shtuar numrin e futbollistëve. Gjatë vitit 2024 kemi regjistruar 2820 të rinj më shumë, padyshim kjo për shkak të pasionit dhe dëshirës së tyre, por edhe kushteve që ka krijuar Federata. Një fëmijë që luan futboll në Shqipëri si në asnjë vend tjetër ka gjithçka flas, i mjafton vetëm pasioni e dëshira. Pa dyshim është dhe përgatitja e trajnerëve. Ne jemi prej 20 vitesh federatë që licencojmë trajnerë në nivele evropiane. Licenca jonë është e njehsuar me Europën dhe përgatitja e këtyre trajnerëve, përmirësimi i tyre padyshim që i bën fëmijët që të besojnë më tepër në këtë sport”, tha Duka.
Armand Duka tha se “Topi i Artë 2024” do të jetë një rezyme e gjithë aktiviteteve të zhvilluara në futbollin shqiptar. Ai gjithashtu përmendi shifra dhe aktivitetet që shumë pak prej nesh i dinin. Duka shtoi se nga Federata e Futbollit, në Shqipëri janë zhvilluar rreth 15 mijë ndeshje dhe 13 turne ndërkombëtare.
“Gjithë përmbledhja e aktiviteteve që ne kemi bërë në vitin 2024 në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Pavarësisht se ata që janë më pak të interesuar për futbollin shikojnë vetëm ekipin kombëtar të djemve, por këtu ne kemi shumë ekipe kombëtare djemsh dhe vajzash duke filluar nga 17, 19 e deri 21 vjeç. Kemi shumë aktivitete. Në vitin 2024 në Shqipëri janë organizuar 13 turne ndërkombëtare. Ka vërtet shumë aktivitete. Mbase pak e dinë që në Shqipëri nga Federata e Futbollit organizohen rreth 15 mijë ndeshje futbolli në vit. 154 kampionate kombëtare dhe rajonale. Pra aktiviteti është shumë i madh”, shtoi Armand Duka.
Discussion about this post