GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Nga Eldi Dizdari tek Dritan Rexhepi dhe Dritan Gjika/ “Mbretërit” e kokainës që drejtojnë nga Dubai

21:35 - 17/03/26
në Aktualitet, Breaking Views, KRYESORE, Lajme, Të fundit, Të Gjitha
Kohë leximi: 9 min
A A
Nga Eldi Dizdari tek Dritan Rexhepi dhe Dritan Gjika/ “Mbretërit” e kokainës që drejtojnë nga Dubai
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Emisioni “Në Shënjestër” në News24 trajtoi zhvillimet e fundit lidhur me shqiptarët e botës së krimit që kanë gjetur strehë në Dubai, duke theksuar një kthesë të rëndësishme në ekstradimet drejt Shqipërisë.

Dokumentari ndalet te rasti i Durim Bamit, i cili pas dy vitesh procedura u ekstradua në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat për përfshirje në disa ngjarje kriminale. Sipas ekspertëve, Dubai mbetet një qendër financiare e ndërtuar mbi sekretin dhe një pikë strategjike për investimin dhe mbrojtjen e pasurive të krijuara nga aktivitetet e paligjshme.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2020 deri në 2026, autoritetet shqiptare kanë dërguar 19 kërkesa për ekstradim drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, nga të cilat vetëm 10 janë realizuar. Megjithatë, shumë figura të njohura të krimit vazhdojnë të jetojnë të pashqetësuar në Dubai, duke përfituar nga vështirësitë juridike për ekstradim dhe siguria që ofron ky shtet.

Një prej tyre është Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, i konsideruar drejtues i një prej organizatave më të mëdha shqiptare të trafikut të kokainës. Ai dyshohet se ka drejtuar operacionet nga Dubai, ndërsa në Shqipëri dhe Itali vijon të jetë në kërkim.

Dokumentari thekson gjithashtu se, pavarësisht sekuestrimeve të pasurive në Shqipëri, fuqia ekonomike e këtyre grupeve mbetet e lartë. Ekspertët nënvizojnë se Dubai ka shërbyer si një qendër koordinimi për krimin ndërkombëtar, duke ofruar njëkohësisht mundësi për investim dhe mbrojtje nga ndjekja penale, edhe pse kohët e fundit është vënë re një rritje e bashkëpunimit për ekstradime.

Pjesë nga dokumentari:

Por nëse Franc Çopja iu dorëzua autoriteteve belge në fundin e vitit 2023, duke shënuar kështu me dënimin e tij dhe fundin e një perandorie, duke i dhënë në këtë mënyrë lamtumirë rehatisë së tyre, ndryshe nga i vëllai që vazhdon të gjejë strehë aty, të tjerë shqiptarë të krimit po riatdhesohen nga Dubai për llogari të drejtësisë shqiptare.

I fundit në radhë ishte Durim Bami, i njohur ndryshe si një nga të fortët e Niklës në Fushë-Krujës, i cili pas dy vitesh procedura ligjore nga autoritetet ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, në fundin e muajit shkurt të këtij viti u ekstradua në Shqipëri.  Ku do të përgjigjet për shumë ngjarje kriminale ku ka qenë pjesëmarrës, pas përplasjeve që kishte me grupin e Emiljano Shullazit dhe të mbretit të zhdukur të kumarit, Ervis Martinaj.

Një nga këta personazhe që vazhdon të shijojë i pashqetësuar jetën në rrezet e diellit të Dubait, është edhe Denis Matoshi, ose i njohur ndryshe si Eldi Dizdari. Me origjinë nga Tropoja, drejtues i ‘Kompania Bello’, organizatës më të madhe kriminale shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në drejtim të Evropës.E cilësuar ndryshe si një sindikatë transnacionale, që mundi brenda pak vitesh të kryente një xhiro prej 350 milion euro, nëpërmjet trafikimit të kokainësNjë personazh i cili sot jeton në Dubai, aty nga ku në fakt drejtonte edhe të gjithë operacionet e narkotrafikut nga Amerika Latine në Evropë. Por që në Shqipëri janë ende në pritje të ekstradimit të tij, ashtu si edhe në Itali ku për të ka gati një mandat arresti.

Ndërsa në Shqipëri në qershorin e vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të tij.

Pasuri të sekuestruara në Shqipëri, që duken hiç gjë përpara pasurisë përrallore që ai ka grumbulluar në vite, apo që mund të ketë investuar në Dubai.

Kartela Penale:

“Fillimisht Eldi Dizdari, por që mban edhe gjeneralitetet Denis Matoshi, u ndalua në Dubai pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane në kuadër të goditjes së grupit ‘Los Blancos’. Grup që trafikonte kokainë nga Ekuadori në drejtim të Italisë si dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Por më pas ai u lirua nga autoritetet ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas autoriteteve italiane ai është koka e grupit kriminal shqiptar Kompania Bello, që ka transportuar tonelata me kokainë në Evropë. Ndërkohë që në Shqipëri i janë sekuestruar disa pasuri të paluajtshme, si dhe 40 mijë euro dhe 8.2 milionë lekë të përfituara nga shpronësimi i një pasurie”.

Por edhe pse u lirua nga Dubai zyrtar, Eldi Dizdari siç thamë vazhdon të jetë i kërkuar nga shteti Italian, pas një vendimi të një gjykate në Firence, aty ku një pjesë e grupit të tij të kokainës u dënuan pak kohë më parë

Dizdari që në Shqipëri u përfol edhe si i përfshirë në përplasjen me armë në ish-Bllok, në vitin 2018, me grupin e Ervis Martinaj, por pa patur një akuzë zyrtare nga ana e Prokurorisë.

Ndërsa emri i tij doli në skenë edhe pas arrestimit të kushëririt të tij të afërt, Arbër Çekaj.

Tashmë i dënuar me 14 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, që në vitin 2018 u sekuestruan në Maminas.

Dritan Rexhepi, i ekstraduar nga Turqia, dhe Dizdari që operon nga Dubai, përdorin kompanitë ligjore për të fshehur pasuritë e krijuara nga trafiku i drogës. Gjika, një tjetër shqiptar i fuqishëm në këtë rrjet, ka përdorur kompani në Ekuador për pastrimin e miliona dollarëve dhe për eksportin e kokainës drejt Evropës. Hetimet zbulojnë se ai ka grumbulluar pasuri të mëdha dhe vazhdon të strehohet në Dubai, duke shfrytëzuar ligjet lokale dhe mbrojtjen që ofron vendi.

Ekspertët nënvizojnë se Dubai funksionon si një qendër financiare dhe juridike për krimin ndërkombëtar shqiptar, ku investimet, mbrojtja dhe luksi janë të mundshme falë strukturave të sofistikuara të krimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

 

Pjesë nga dokumentari:

Por për t’iu kthyer lidershipit të Eldi Dizdarit në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe bashkëpunimit të tij me Dritan Rexhepin, edhe ky një nga shqiptarët më të njohur në botën e drogës, është me interes të shikohet mënyra se si ‘Kompania Bello’ funksiononte.

Dhe se si kjo kompani kishte pushtuar edhe Italinë me kokainë.

Tablo të cilën e paraqet shumë mirë ky vendim i Gjykatës së Firences, ku në krye të punëve të sindikatës së Dizdarit, është Dritan Rexhepi.

46-vjeçari, i cili në janarin e vitit 2025, u ekstradua nga Turqia në Shqipëri, ku po gjykohet për urdhërimin, rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, pas një mosmarrëveshjeje në trafikun e narkotikëve me vëllain e tij, si dhe për një vrasje të ndodhur në Krujë në vitin 1999.

Po kështu edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal si dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Por që për t’u ndalur te vendimi i gjykatës së Firences është me interes të ndalemi te mënyra se si organizata me 29 anëtarë funksiononte.

Gjykata e Firences: “Hetimet kanë zbuluar ekzistencën e një organizate kriminale të strukturuar, e cila është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, kryesisht kokainë, nga Amerika e Jugut me aktivitet të shtrirë në disa vende të Europës.

Kjo organizatë sipas hetimeve të kryera operon kryesisht në Itali, Holandë, Shqipëri si edhe në disa vende të tjera evropiane.

Midis dhjetra emrave të përfshirë, ai që dallon në krye të listës së të hetuarve është  Dritan Rexhepi, që njihet edhe si drejtuesi i ‘Kartelit Shqiptar’.

Ndërsa droga pasi vinte në Itali shpërndahej në territorin italian përmes një rrjeti të organizuar që kishte strukturë hierarkike, ndarje të qartë të roleve si dhe sistem të brendshëm discipline.

Ku anëtarët e saj merreshin me importimin e kokainës, transportin ndërkombëtar, ruajtjen në depo të fshehta, si dhe shpërndarjen në territorin italian.

Ndërsa fitimet e trafikut përdoreshin për financimin e aktivitetit kriminal, pagesën e anëtarëve të organizatës si dhe mbështetjen e familjeve të anëtarëve të arrestuar”.

Por ato që çuan në arrestimin e anëtarëve të ‘Kompania Bello’ të drejtuar nga Eldi Dizdari që dirigjonte operacionet nga Dubai dhe Dritan Rexhepit që i ekzekutonte në Ekuador, ishin disa episode të trafikimit të kokainës të ndodhura në zonën e Firences në Itali.

Gjykata e Firences: “Zakonisht Organizata përdorte korrierë ndërkombëtarë, automjete me kompartimente të modifikuara, depo të fshehta për ruajtjen e drogës si dhe telefona dhe pseudonime për komunikim me qëllim për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Një nga këto episode të trafikimit të drogës është edhe ai në Gallarate, ku u sekuestruan rreth 8 kilogramë kokainë, të transportuara nga Holanda në Itali.Ndërsa në një tjetër episod, rreth 2 kilogramë kokainë u transportuan drejt Milanos”.

Por siç do të shikohet edhe në vazhdim, këto nuk do të ishin të vetmet episode ku policia italiane mundi të kapë sasitë e kokainës që rridhnin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës i organizuar nga Eldi Dizdari në bashkëpunim me Dritan Rexhepin dhe grupin e tij të zgjeruar të bashkëpunëtorëve shqiptarë.Pasi në raste të ngjashme ishin kapur edhe sasi të tjera në dukje të vogla në raport me tonelatat e kokainës që këtë kohë kishin përmbytur portet e Evropës. Ku transporti në rastet e sasive të vogla kryhej me anë të automjeteve private dhe përmes korrierëve. Sekuestrime gjatë të cilave u kapën edhe sasi të konsiderueshme vlerash monetare.

Para të cilat më pas jo vetëm ushqenin të gjithë mekanizmin se si funksiononte organizata e cila kishte edhe ushtarët e vet. Por edhe investoheshin në shumë sektorë të ekonomisë.

Qoftë këto edhe në Dubai, aty ku Eldi Dizdari vazhdon të shijojë jetën e tij përrallore.

Gjykata e Firences: “Hetimet zbuluan gjithashtu edhe lëvizje të mëdha të parave që lidhen me trafikun e narkotikëve.

Gjatë një kontrolli në kryeqytetin e Hollandës, Amsterdam, u sekuestrua një shumë prej 1390 000 euro, e cila po konservohej për të blerë kokainë. Ndërsa në rast tjetër u sekuestruan 276 000 euro, edhe këto për blerje të mëtejshme të drogës”.

Duke mbetur te kjo dosje, ajo që vihet re është se Dritan Rexhepi përdorte disa pseudonime.  Si ‘Dhimbo’, ‘Ali’, ‘Julio Cesar’, ‘Jose’, ‘Bugatti’ dhe ‘Boss’.  Dhe se një nga pikat kryesore të tranzitit të kokainës ishte Holanda, nga ku droga më pas transportohej drejt Italisë.

Por një tjetër shqiptar që zgjodhi Dubain për t’u relaksuar pasi ngriti një perandori të vetën nëpërmjet trafikut të kokainës, është edhe Dritan Gjika. Shqiptari sot për sot më i kërkuar në botë.

Që ndodhet i ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një kërkese për ekstradim nga autoritetet në Ekuador.

Aty ku 45 vjeçari nga Shkodra, prej më shumë se 10 vitesh kishte ndërtuar një nga rrjetet më të ndërlikuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Por edhe të pastrimit të parave.

Duke krijuar kompani të shumta, pas të cilave fshihte pasuritë e përftura nga biznesi i kushtueshëm i drogës

Dosja Hetimore: “Dritan Gjika, me origjinë nga qyteti i Shkodrës në veri të Shqipërisë, një vend i vogël në juglindje të Evropës, ka mundur jo vetëm të ndërtojë një perandori të tij të kokainës, por edhe t’i fshehë fitimet duke përdorur kompanitë e tij të regjistruara ligjërisht si mbulesë për aktivitetin kriminal.

Duke e bërë këtë në mbulesën e një biznesmeni që operon në eksportin e produkteve bujqësore, në ndërtim, madje edhe në kultivimin e kanabisit. Ku ka mundur të kalojë tonelata me kokainë në tregun evropian”.

Gjika një ekspert tashmë në tregtinë e madhe të drogës, edhe pse thuhet se shkoi vonë në Ekuador, aty nga viti 2009, zërat thonë se ai mundi shpejt, brenda pesë viteve, të blinte aksione në kompaninë ‘Cresmark’.

Një kompani që merrej me eksportin e produkteve bujqësore, ku ortak ishte edhe një shqiptari tjetër, i njohur si Erjon Spahiu.

Ku nga këtu do të fillonte edhe rrugëtimi i gjatë i trafikut të kokainës të fshehur në fruta, në emrat e kompanive të ndryshme.

Dosja Hetimore: “Si një personazh i rafinuar në të tilla punë, Gjika që e dinte rëndësinë e fshehjes së duarve në të tilla punë, në qershorin e vitit 2021, Gjika themeloi brenda një ditë të vetme tetë kompani.

Këtë e bëri së bashku me Ruben Cherres, një biznesmen ekuadorian me lidhje të forta politike, i cili më vonë u vra në mënyrë brutale në vitin 2023 në Santa Elena.

Gjika përdorte laboratorët kolumbianë për të nisur kokainë fillimisht drejt Ekuadorit dhe më pas bashkë me bananet eksportohej drejt vendeve si Spanja, Belgjika, Holanda, Turqia dhe Shqipëria”.

Sipas hetimeve, Gjika shtriu duart nëpërmjet kokainës edhe në Shqipëri.

Ku gjatë vitit 2021, në portin e Durrësit u kap një sasi prej 10 kg kokainë, që vinte nga Amerika e Jugut, me porositës firmën ‘Alba Exotic Fruit’.

Kompani kjo e përmendur edhe në hetime të mëparshme në Greqi për një rast të ngjashëm me 137 kg kokainë.

Ndërkohë që Gjika ishte bërë mediatik në Ekuador edhe për shkak të një afere korruptive që përfshinte kunatin e ish-presidentit të Ekuadorit.

Ndërsa u zbulua se ai kishte mundur të pastronte nëpërmjet kompanive të tij mbi 30 milionë dollarë në sistemin financiar ekuadorian.

Dosja Hetimore: “Me të mësuar se fundi i tij do të ishte i afërt, në vitin 2023, Gjika fillimisht mendohet se u largua drejt Turqisë, dhe më pas në Dubai.

Ndërkohë që rreth mesnatës së 6 shkurtit 2024, Policia Kombëtare e Ekuadorit sulmoi një vilë dykatëshe ngjyrë bezhë në një komunitet luksoz të rrethuar në periferi të Guayaquil, qytetit portual më të madh të vendit.

Brenda, ata gjetën një nënë me vajzën e saj të vogël, së bashku me shumë armë zjarri dhe municione. Por burri, biznesmeni shqiptar Dritan Gjika, nuk u gjet askund.

Pas këtij operacionit, autoritetet në Ekuador ngrinë asetet e tij me vlerë mbi 51 milionë dollar”.

Tashmë është e paqartë nëse Dritan Gjika do të ekstradohet nga Dubai për në Ekuador.

Aty ku e presin vite të gjata burgimi, nëse ai shpallet fajtor.

Por ajo që është e sigurtë, është që këta burra do bëjnë çmos që të mos i lëshojnë kaq kollaj shezlongët në diellin e Dubait, Kjo edhe nëpërmjet pasurisë miliardshe që kanë vendosur. Që duket se miklon ende autoritetet në Dubai, të cilët nuk i konsiderojnë ‘harram’ këto para në vendin e tyre.

Etiketa: DubaiKryesore1mafia shqiptare

Lajme të lidhura

PSG dominon Chelsea FC, hakmarrje e pastër në dy ndeshje
Breaking Views

PSG dominon Chelsea FC, hakmarrje e pastër në dy ndeshje

23:04 - 17/03/26
Sporting ndal marshimin e Bodo/Glimt në Champions, portugezët përmbysin disavantazhin 3:0 nga ndeshja e parë
Breaking Views

Sporting ndal marshimin e Bodo/Glimt në Champions, portugezët përmbysin disavantazhin 3:0 nga ndeshja e parë

22:25 - 17/03/26
Dy bjellorusë dhe 1 rus planifikonin një vrasje në Shqipëri, u kapën në Kosovë bashkë me “ushtarin” e Inez Hajrullës
Aktualitet

Dy bjellorusë dhe 1 rus planifikonin një vrasje në Shqipëri, u kapën në Kosovë bashkë me “ushtarin” e Inez Hajrullës

21:15 - 17/03/26
Para
Sporting ndal marshimin e Bodo/Glimt në Champions, portugezët përmbysin disavantazhin 3:0 nga ndeshja e parë

Sporting ndal marshimin e Bodo/Glimt në Champions, portugezët përmbysin disavantazhin 3:0 nga ndeshja e parë

Discussion about this post

TË FUNDIT

PSG dominon Chelsea FC, hakmarrje e pastër në dy ndeshje
Breaking Views

PSG dominon Chelsea FC, hakmarrje e pastër në dy ndeshje

23:04 - 17/03/26

Paris Saint-Germain, që kishte fituar ndeshjen e parë 5-2, nuk pati mëshirë për Chelsean as në sfidën e kthimit, teksa...

Lexo më shumë
Sporting ndal marshimin e Bodo/Glimt në Champions, portugezët përmbysin disavantazhin 3:0 nga ndeshja e parë

Sporting ndal marshimin e Bodo/Glimt në Champions, portugezët përmbysin disavantazhin 3:0 nga ndeshja e parë

22:25 - 17/03/26
Nga Eldi Dizdari tek Dritan Rexhepi dhe Dritan Gjika/ “Mbretërit” e kokainës që drejtojnë nga Dubai

Nga Eldi Dizdari tek Dritan Rexhepi dhe Dritan Gjika/ “Mbretërit” e kokainës që drejtojnë nga Dubai

21:35 - 17/03/26
Dy bjellorusë dhe 1 rus planifikonin një vrasje në Shqipëri, u kapën në Kosovë bashkë me “ushtarin” e Inez Hajrullës

Dy bjellorusë dhe 1 rus planifikonin një vrasje në Shqipëri, u kapën në Kosovë bashkë me “ushtarin” e Inez Hajrullës

21:15 - 17/03/26
“Milionat e kokainës drejt Dubait”/ Zbardhet skema e pastrimit të parave të Franc Çopjas, “llogaritari” i tij transferoi paratë në Turqi dhe Bolivi

“Milionat e kokainës drejt Dubait”/ Zbardhet skema e pastrimit të parave të Franc Çopjas, “llogaritari” i tij transferoi paratë në Turqi dhe Bolivi

20:25 - 17/03/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com