Shqipëria prej shumë vitesh është shndërruar në një vend origjine dhe tranziti të lëndëve të forta narkotike. Por edhe një parajsë për shumë trafikantë ndërkombëtarë, të cilët vishen nën petkun e biznesmenit. Një rast i tillë është 43-vjeçari belg, Dries Lonneux, i akuzuar nga autoritetet e vendit të tij si një prej kapove të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Lonneux, i cili dyshohet se ka trafikuar mbi 1900 kilogramë “të bardhë”, rezulton se ka hapur në Shqipëri një biznes me bimë medicinale, të regjistruar në Tiranë. Trafikanti është arrestuar në Belgjikë në Shtator të vitit 2021. Ndërkohë që vetëm pak muaj më pas, në janar të vitit 2022, shiti kompaninë e tij tek një shtetase shqiptare.
Diçitura: Shtetasi belg, Dries Lonneux, akuzohet për trafikimin e 1900 kg kokainë nga Amerika Latine drejt Belgjikës
Megjithatë, kompania është vendosur nën vëzhgimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, pas një informacioni të marrë nga autoritetet belge. “Gijotina.com” mësoi informacione më të detajuara mbi këtë rast, pas shqyrtimit të një vendimit të Gjykatës së Lartë, të miratuar në mes të Tetorit 2022.
Trafikanti i tonelatave kokainë
Sipas informacioneve të mbërritura nga Belgjika në zyrat e SPAK-ut shqiptar, rezulton Dries Lonneux është shtetas belg. I cili është burgosur në burgun e quajtur “Lantin”, në qytetin e Liezhit që prej datës 18 tetor 2021.
Ai akuzohet se është “Drejtuesi i një organizate kriminale; trafikim lëndësh narkotike në bashkëpunim, e në veçanti për importimin e lëndës narkotike, lloji kokainë”.
Në të shkuarën, Lonneux është dënuar pesë herë të tjera nga autoritetet belge për vjedhje me dhunë dhe trafik lëndësh narkotike. Ka qenë gjithashtu, i burgosur prej disa vitesh.
Ai ka qenë subjekt nën hetim që prej tre vitesh dhe këtu është evidentuar trafikimi i kokainës me përmasa të mëdha. Bëhet fjalë për importimin e kokainës prej Amerikës Latine, duke kaluar nga porti i Anvers-it në Belgjikë. Në saj të operacionit të kryer më 18 tetor 2021, u çmontua një laborator i kokainës. Ku janë sekuestruar 1.900 kg kokainë, si dhe armë të ndryshme.
Biznesmen në Shqipëri
Pas arrestimit të Dries Lonneu autoritetete belge identifikuar pasuri të tij në Shqipëri dhe kërkuan ndihmë nga autoritetet shqiptare për kontrollin e ambjenteve të kompanisë së tij, si edhe sekuestrimin e pasurive.
Në një letër-porosi të mbërritur në Shqipër në Shkurt të vitit 2022, Prokuroria Federale Belge kërkon nga homologët e tyre shqiptarë që të kryejnë veprime hetimore nga personave ndaj Dries Lonneux, kompanisë “Ralet green”, Rochida Mghoghi, Ines Lonneux, Perrine Bodson dhe Stephanie Lemaitre, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i parave”.
Diçitura: Kërkesa e Prokurorisë Federale Belge për autoritetet shqiptare
Lista e kërkesave të Prokurorisë Belge ishte e detajuar dhe shteruese:
– “Të verifikohen pasuritë e Dries Lennoux, nënës së tij, të bashkëjetueses, të ish bashkëjetueses, si dhe ndërmarrjes “Raletgreen”. Të kryhet sekuestrimi i tyre, të verifikohet gjithashtu pranë zyrave të Aluizni-t, në Drejtorinë e Përgjithshme të Luftës kundër Pastrimit të Parave. Tek ndërmarrjet e shpërndarjes së ujit dhe asaj të elektricitetit;
– Të verifikohet origjina e fondeve që kanë shërbyer për blerjen e pasurive të patundshme dhe nëse janë shitur, të verifikohet destinacioni i këtyre fondeve, duke bërë një analizë të rëndësishme për çdo të mirë materiale, ndërtimi apo terreni;
– Të lokalizohet zyra e Ndërmarrjes “Raletgreen” në Shqipëri dhe të kryhet një kontroll tek dyqani i bimëve, të kryhet me këtë rast vulosja e dyqanit dhe sekuestrimi i materialeve;
– Të hetohet pranë Doganës shqiptare me qëllim që të verifikohen importimet dhe eksportimet e ndërmarrjes; Të verifikohen të gjitha hyrjet dhe daljet në territorin shqiptar, që prej datës 01 janar 2016 individit Lonneux, si dhe personave të tretë që e kanë shoqëruar;
– Të kryhet kontrolli në çdo pasuri të patundshme që figuron në emër të Dries Lonneux dhe të ndërmarrjes së tij bullgare “Raletgreen”, sikurse dhe çdo vendbanim i Dries Lonneux në Shqipëri;
– Të sekuestrohen dosjet në emër të Dries Lonneux tek zyra e noteres Jonela Çollaku në Tiranë;
– Të kryhet një vizitë informale në zyrën e kontabiliteit “Filto Auditing”. Me qëllim që të pyetet nënpunësi që trajton dosjen e kontabilitetit të ndërmarrjes së Lonneux, në cilësinë e dëshmitarit. Me qëllim që të merret një kopje e dokumentacionit të rezultateve financiare të ndërmarrjes;
– Të kryhen verifikime bankare të hollësishme mbi llogaritë bankare të Dries Lonneux dhe të ndërmarrjes.Të kryhen verifikime bankare të hollësishme mbi llogaritë bankare të Dries Lonneux dhe të ndërmarrjes “Raletgreen” . Kjo që prej datës 01 janar 2016 deri në ditët e sotme;
– Të verifikohet nëse ky individ është pronar i një automjeti. Apo nëse ka regjistruar automjete dhe nëse po, të kryhet sekuestrimi i tyre;
– Të bllokohen të gjitha llogaritë bankare shqiptare të Dries Lonneux dhe ndërmarrjes “Raletgreen” dhe të kryhet sekuestrimi i vlerave bankare;
– Të merren gjithashtu në pyetje individ që kanë përfaqësuar interesat e Lonneux sikurse: Lorna Dobra, e lindur më 15 korrik 2000 në Elbasan dhe banuese në Tiranë. Aida Smone, e lindur më 7 shkurt 1997 në Bërzhitë të Tiranës Dhe banuese në Dobresh Tiranë. Anila Myrto, e lindur më 18 qershor 1994 në Tepelenë dhe banues në Zall Herr Tiranë;
– Të konsultohet dosja fiskale Ndërmarrjes “Raletgreen” në Shqipëri me qëllim që të verifikohet nëse dyqani bimëve agrikole deklaron të ardhurat e saj në Shqipëri;
– Të konsultohet dosja fiskale e Dries Lonneux në Shqipëri (person fizik);
– Të autorizohet prezenca e gjyqtarit federal, si edhe të dy hetuesve të policisë federale, përgjatë veprimeve në vendin tuaj”.
Kompania në Shqipëri
Aktiviteti kryesor ekonomik në Shqipëri i belgut Dries Lonneux, të konsideruar nga prokuroria e vendit të tij si kapo i organizatës kriminale, është kompania “Ralet Green”. “Gijotina.com” kreu verifikimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dhe rezultoi se kjo shoqëri është themeluar në Shqipëri në Shtator të vitit 2019.
Diçitura: Kompania “Ralet Green” është regjistruar në Shqipëri në shtator 2019
Shoqëria kishte pronar të parë belgun Dries Lonneux dhe me objekt aktiviteti “Import -Eksport inpute bujqësore, farëra bimore të llojeve të ndryshme, fidane. Edhe plehra kimike të lidhura, fidane pambuku, prodhim, përpunim dhe eksport pambuku”.
Po ashtu, kompania merr përsipër edhe të kryejë ndërmjetësime, seminare e simpoziume për çështje inxhinjerike, e të tjerë. Akti i Themelimit të kompanisë është kryer në zyrën e noteres Jonela Çollaku.
Diçitura: Akti i Themelimit të shoqërisë “Ralet Green”, hartuar para noteres Jonela Çollaku
Në Shkurt të vitit 2022, kompania regjistron ndryshimin e pronësisë nga Driex Lonneux tek Pranvera Çollaku, nëna e noteres. Mbi bazën e një kontrate shitjeje të hartuar në zyrat e “Ralet Green” rreth 8 muaj më parë, në Qershor 2021.
Diçitura: Ekstrakti i QKR-së, ku shënohet se, në dt. 11.02.2022 është regjistruar ndryshimi i pronësisë së kompanisë nga Driex Lonneux tek Pranvera Çollaku
Diçitura: Kontrata për ndryshimin e pronësisë, e hartuar në 10 qershor 2021 në ambjentet e shoqërisë “Ralet Green”
Mesa duket, për këto arsye, emrat e noteres Jonela Çollaku dhe nënës së saj, Pranvera Çollaku, e cila tashmë është pronarja e kompanisë së themeluar nga Lonneux, gjenden në kërkesën e Prokurorisë Federale Belge. Për të qenë pjesë e verifikimit të dokumentacionit.
Pronarja aktuale, Pranvera Çollaku, kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Posaçme. E cila miratoi kërkesën e prokurorisë për kryerjen e kontrolleve në ambjentet e kompanisë private. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi përfundimisht që të lejonte kontrollin e prokurorisë shqiptare tek aktiviteti dhe bilancet e shoqërisë “Ralet Green”.
Lexo edhe: Detajet/ Si u futën në Shqipëri kolumbianët e kokainës
Discussion about this post