“Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte” është akuza që Prokuroria e Vlorës ka ngritur ndaj Arjan Tases, ish-shefit të komisariatit të Himarës, i cili është marrë i pandehur për vrasjen e Jonada Avdiaj.
Vogëlushja 7-vjeçare humbi jetën tragjikisht në 2 gusht 2022, në plazhin e Potamit, teksa u godit nga një skaf që drejtohej nga Tase, i cili hyri në zonën pranë bregut, duke shkelur çdo rregull.
Pas rreth 1 viti nga ngjarja tragjike, Prokuroria përfundoi hetimet dhe ka çuar dosjen në Gjykatë.
Sipas raportimeve që i referohen dosjes hetimore, ish-drejtuesi i Policisë, Arjan Tase, teksa drejtonte një gomone në një zonë detare të ndaluar dhe e destinuar për pushues, ka goditur me helikat e motorëve vajzën e mitur, Jonada Avdia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Gjatë fazës së komunikimit të akuzës punonjësi i policisë Arjan Tase, ka pranuar autorësinë e krimit, duke kërkuar falje familjarëve të vajzës së mitur.
Pritet që në ditët në vijim, dosja penale ti nënshtrohet gjykimit në seancë paraprake, ku do kontrollohen veprimet hetimore të kryera nga prokuroria e Vlorës.
Vdekja e vajzës së vogël në plazhin e Potamit, vitin e kaluar tronditi opinionin publik në kulmin e sezonit turistik.
E mitura po lahej në det me babain e saj, kur u godit nga pjesa e motorit të skafit që drejtonte Arjan Tase. Vajza e vogël ka humbur jetën në vend.
Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në Atdhe për pushimet e verës. Pas ndodhjes së ngjarjes është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si dhe inspektorët përgjegjës të ruajtjes së vijës bregdetare të Himarës.
Njëherësh ngjarja solli pakënaqësi tek pushuesit, të cilët braktisën zonën e Himarës. Ndërsa në Tiranë, shoqëria civile dhe qytetarë të tjerë zhvilluan protesta përballë Ministrisë së Brendshme.
Si ndodhi ngjarja tragjike
Jonada Avdiaj, 7 vjeçe u godit për vdekje në bregdetin e Potamit në Himarë nga një skaf, i cili drejtohej nga Arjan Tase, efektiv policie, i cili vite më parë ka drejtuar edhe Komisariatin e Himarës, ndërsa u përball me drejtësinë se kishte lejuar kultivimin e kanabisit në dy fshatra.
Arjan Tase, me gradën Komisar, mbante detyrën e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Familja e fëmijës që humbi jetën në mënyrë tragjike kishte ardhur nga Anglia për pushime në Shqipëri. Fëmija kishte lindur dhe është rritur në Britani, ndërsa familja është me origjinë nga Tropoja.
Lidhur me ngjarjen tragjike, Agjensia e Mbikqyrjes Policore, në një njoftim zyrtar bënte të ditur se “pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi A. T., me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeç, ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”.
Drejtuesi i skafit Arjan Tase ka thënë se ka pasur një problem teknik në skaf. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja e rëndë në Himarë ndodhi dy ditë pas publikimit të një urdhëri të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili kërkonte marrjen e masave shtesë përgjatë muajit gusht, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Nano nëpërmjet një letërporosie ka kërkuar nga drejtorët vendorë dhe të kufirit marrjen e menjëhershme të masave shtesë për sigurinë e pushuesve.
Nano ka urdhëruar që të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale ose të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.
“Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative”, thuhej në urdhërin e Nanos.
Gjithashtu në urdhërin e tij thuhet që Policia Kufitare të rrisë patrullimet dhe të koordinojnë veprimet me Policinë vendore, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë ndaj këtyre shkeljeve që krijojnë imazh negativ për vendin, cenojnë efektivitetin e punës së Policisë dhe krijojnë frikë dhe panik tek pushuesit.
Discussion about this post