Erion Veliaj i është drejtuar me një kërkesë zyrtare institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar informacion dhe dokumentacion të plotë mbi transferimin e tij nga IEVP Durrës në IEVP Fier, më 28 tetor 2026. Përmes avokatit të tij Plarent Ndreca, Veliaj kërkon vënien në dispozicion të urdhrit të transferimit, arsyetimit ligjor dhe komunikimeve mes institucioneve. Sipas kërkesës, dokumentacioni është i nevojshëm për të verifikuar ligjshmërinë e transferimit dhe për të mundësuar ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi sot transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës në IEVP Fier. Transferimi është kryer me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe jo me kërkesë të vetë Veliajt.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
gijotina.com/










Discussion about this post