Rreth 500 mijë qytetarë që përdorin çdo ditë transportin publik në vend mund të përballen me rritjen e çmimit të biletës dhe abonesë, nëse nga 1 janari qeveria nuk përfshin edhe këtë sektor në skemën e TVSH-së së reduktuar prej 6%.
Paralajmërimi vjen nga operatorët e transportit publik, të cilët bëjnë me dije se, në mungesë të lehtësive fiskale, do të kërkojnë rishikimin e tarifave për shërbimin që ofrojnë.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar me një kërkesë Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar që transporti publik të përfshihet në listën e aktiviteteve që përfitojnë TVSH të reduktuar në masën 6%.
Megjithatë, me paketën e re fiskale, qeveria ka parashikuar këtë lehtësi vetëm për 54 produkte ushqimore, duke lënë jashtë transportin publik.
Sipas shoqatës, rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të shtojë më tej kostot e operatorëve dhe do të ushtrojë presion për rritjen e çmimit të biletave dhe aboneve.
Operatorët argumentojnë se ndodhen përballë një situate të vështirë ekonomike, pasi nuk kanë mundësi të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme tarifat, të cilat përcaktohen nga pushteti vendor. Ndërkohë, ata duhet të përballojnë rritjen e çmimit të karburantit, energjisë, pagave, kontributeve, mirëmbajtjes dhe kostove të rinovimit të flotës.
Shoqata paralajmëron se kjo krijon një pabarazi mes detyrimeve financiare që kanë operatorët dhe të ardhurave që mund të sigurojnë përmes tarifave të miratuara. Sipas saj, çdo barrë e re fiskale, pa një mekanizëm lehtësimi apo kompensimi, rrezikon të përkeqësojë gjendjen financiare të kompanive, të frenojë investimet dhe të cenojë vazhdimësinë e shërbimit.
Operatorët e konsiderojnë të paqëndrueshme një situatë ku shteti përcakton çmimin e biletës, por njëkohësisht rrit detyrimet fiskale pa garantuar mbulimin e kostove reale të shërbimit.
Në mbështetje të kërkesës së tyre, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas sjell si argument edhe praktikat e disa vendeve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, ku për transportin publik aplikohet një normë e reduktuar e TVSH-së.








Discussion about this post