Nga Prof. Aleksandër Peçi
Në simpoziumin e organizuar ditët e fundit nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Laberia” për trashëgiminë kulturore, pata rastin të sillja argumente se polifonia jonë nuk e ka prejardhjen nga muzika bizantine, sikurse është trajtuar në faqen zyrtare të UNESCO-s. Ky ndryshk mendor, i bërë me keqdashje, përpiluar në kohën kur Vasil Tole ishte drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministri, e firmosur edhe nga Ministria e Kulturës shumë vite më parë, ka zënë rrënjë në sitin e UNESCO-s. Me të drejtë, kjo ka ngjallur një det me reagime të jashtëzakonshme.
Hapësira historike e Perandorisë Bizantine fillon në vitin 395 dhe përfundon me rënien e Kostandinopojës në vitin 1453. Por polifonia jonë popullore është shumë më e lashtë se viti 395, për vetë strukturën e saj muzikore, ku spikasin:
Shkallët bizantine s’kanë kurrfarë lidhje me shkallën pentatonike. Shkalla apo modi pentatonik është shtylla kurrizore e polifonisë. Aq sa ka lidhje shtylla kurrizore e peshkut me të shqiponjës, apo kalit, aq kanë lidhje modi pentatonik me modet bizantine. Janë dy gjenetika sonore krejt të ndryshme. Zoti Vasil Tole e njeh këtë kriter të padiskutueshëm, pasi ka shkruar libra dhe jep folklor ne Universitetin e Arteve.
Struktura e shumëzërëshit polifonik, me marrës, kthyes, hedhës, iso, s’ka kurrfarë lidhje me muzikën bizantine. Dëgjojmë qoftë këngë bizantine, qoftë këngët tona polifonike dhe kuptojmë hendekun e madh strukturor, filozofik, estetik, gjeografik, kohor, gjenetikosonor dhe përmbajtjen e teksteve që i ndan.
Që të arrijë këtë perfeksion që ka sot kjo marrëdhënie e katër zërave, nuk mjaftojnë 1000 vjet, por duhen disa mijëvjeçarë e pse jo, mund të jetë pellazgjia fillesa e polifonisë.
Në të gjithë botën, muzikat etnike kanë lindur shumë kohë përpara kristianizmit.
Ashtu si baroku në muzikë, pikturë, skulpturë e arkitekturë, ka një estetikë dhe një filozofi, edhe kultura bizantine ka një estetikë dhe një filozofi. Muzika bizantine dhe piktura bizantine janë zhvilluar në kisha ortodokse me kryesisht himne që shoqëronin tekste greke, e theksoj, tekste greke, të përdorura për ceremonitë fetare në kisha e manastire, në rituale murgjërish që edhe në dy të natës këndojnë. Tani le të na thotë “bizantino-iso”-si se çfarë lidhje ka polifonia “Vajzë e valëve” apo “Janinës ç’i panë sytë”, e mijëra e mijëra variete të këngëve tona polifonike, me kulturën bizantine ortodokse? Asnjë lidhje.
Pse nuk influencoi muzika bizantine grekët të krijonin polifoninë e tyre? Kultura bizantine, gjeografikisht, i kishte më afër grekët se ne. Bizanti, Stambolli i sotëm, gjeografikisht është shumë më afër Athinës se sa Shqipërisë. Por Polifoninë e ka Epiri, sepse në Epir, sipas historianëve antikë, flitej një gjuhë barbare, pra e huaj për grekët. Siç dhe gjëma, sipas Homerit, është e lashtë që nga koha e Akilit, i cili dhe ai ishte nga Epiri dhe e qante me gjëmë Patroklin, njësoj si në alpet tona.
Polifonia është pasuri e njerëzve me shpirt dhe intelekt të pasur. Duhet mençuri shumë e madhe të krijosh një strukturë shumëzërëshi polifonik dhe ta bësh të riprodhohet në mijëra varietete polifonike nëpër mijëvjeçarë. Por, kur ilirët i dhanë botës perëndimore kulturën e hekurit, etj., kur ilirët e derdhën shijen e hollë për ngjyrime e strukturime mozaikale polifonike, në mozaikët Diellorë në Bylis, Durrës e Butrint, sigurisht që do të ishin në gjendje të krijonin, siç e krijuan, shumëzërëshin polifonik.
Argument shumë i fortë që s’ka kurrfarë lidhje me muzikën bizantine është: Liria pagane e grupimeve polifonike, të cilat kanë një shpërthim pagan shumë e shumë kohë parakristian dhe elementi “Zot” pothuajse është inekzistent në to. Kjo liri pagane i ka bërë këngët polifonike të mos kenë kurrfarë lidhje me religjionin. A mund të më thotë autori i “isopolifonisë”, “Bizantin-iso” -si, ky shpërthim pagan, ky duf, kjo energji, kjo dramë e madhe te “Vajzë e Valeve” apo te “Mbeçë more shokë mbeçë”, ç’lidhje kanë me atë paqe kristiane të këngës bizantine?
Po elementi tremolo – vibrues i hedhësit, i cili, sipas meje, është një imitim i tremolovibrimit të valëve të detit, që himarjoti e pilurjoti e të tjerë në Labëri, e kanë për karshi detin, a mund të na thotë “Bizantin-iso”-si, se cila është lidhja me muzikën bizantine? Deti është miliarda vjet përpara njeriut, pa le pastaj muzikës Bizantine.
Glizandon tipike të kthyesit (rrëshqitja e zërit ), apo e prerësit, e marrësit në polifoninë toske, nuk e kupton “Bizantin-iso”-si që s’ka të bëjë me muzikën Bizantine? Unë kam spjegimin tim për ison. Iso është fusha manjetike ku tërhiqen tingujt, është graviteti. Kjo rëndesë e gravitetit e fushës manjetike është çështje fizike, por edhe biologjike, jo vetëm e njeriut, jo vetëm e muzikës, jo vetëm e Tokës, jo vetëm e planeteve, por edhe e qyqes e zogut kur bën ku–ku. Ky intervali “ku” i dyti është intervali “ax”, është graviteti apo fusha magnetike, rëndesa e gravitetit ku mbështetet intervali i sipërm. Këto i kam shpjeguar dhe në konferenca që kam mbajtur në Pragë, Trieste, Brno etj.
Pra, si mund të thuhet që graviteti a fusha magnetike në muzikë ka lindur kur lindi Perandoria Bizantine apo në shekullin e njëmbëdhjetë me korin bizantin? Është vërtet antishkencore të thuhet, kur gravitet ka gajdja te bucalla, çiftelia, sharkia te teli poshtë, cula dyjare krahu majtas dhe gjithë muzikat etnike të popujve.
Po përdor një argument të “Mjeshtrit të Madh”, Zhani Ciko, i cili thotë se polifonia jonë zhvillohet me mikro-intervale, pra, më të vogla se një ton e gjysmë toni. E kjo ndarje e shkallës me mikro-intervale, është shumë më e lashtë se muzika Bizantine.
Cula dyjare e gdhendur në gur, është shenjë e ekzistencës së polifonisë, dhe ajo daton shumë kohë më përpara se Perandoria Bizantine.
Nisur nga fakti se njeriu i lashtë më parë ka kënduar pastaj ka prodhuar instrumentet e natyrës: culat, bilbilat, gjethet, lugët, etj., është një argument që fillesat e polifonisë janë shumë e shumë më të hershme sesa muzika bizantine. Një person i vetëm, Vasil Tole, pa asnjë argument shkencor, dikur në postin e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore, përpiloi dosjen me propozimin për në UNESCO, për ta quajtur “isopolifonia”, e sot ky drejtor është nënkryetar i Akademisë së Shkencave! Është një zë krejtësisht i vetmuar në dallgët e këtij deti të gjerë reagimesh, që janë në mbrojtje të identitetit territorial të polifonisë sonë popullore, një identitet i patjetërsueshëm, i paaneksueshëm.
Me të drejtë këto teza antishqiptare të ndryshkura të “Bizantin-iso”-sit dhe ky veprim i Ministrisë së Kulturës, janë kundërshtuar nga gjithë shoqatat e polifonisë, nga gjithë forumet e konferencave shkencore, gjithë muzikologët e studiuesit e polifonisë dhe intelektualët me botime të shumta librash. Termi “iso-polifoni” është në kundërshtim me përcaktimin e vlerësuar nga studiues të mëdhenj shqiptarë, midis tyre, Ramadan Sokoli, i cili e ka përcaktuar “Polifonia jonë popullore”.
Termi “isopolifonia”, i shpikur nga “Bizantin-iso”-s, (i cili, siç dëgjuam, paska nxjerrë edhe një tjetër xhevahir qesharak: “iso-saze” te festivali në Përmet!) është kaq qesharake, kaq naive e fëminore, sepse shkëput elementin e fundit, pra, ison dhe e vë në krye të polifonisë. Këto janë batuta për Portokalli! Këngëtarët që i këndojnë këto këngë me saze janë të shkëlqyer. Përse iu përngjitet me për shunë termi Saz’iso?
Një emërtesë konceptuale, sikurse është Polifonia, nënkupton edhe elementët përbërës. Pra, tërësia konceptuale e një emri nuk ka nevojë për bashkëngjitje e superpozicion të elementeve përbërës. Themi njeriu, nuk themi këmbënjeriu, as zorrë-trashë-njeriu; themi tigani, nuk themi bisht-tigani; themi pema, nuk themi rrënjë-pema; themi Shqipëria, nuk themi Theth Shqipëria.
Pse nuk e quajti “Bizantin-iso”-si Polifoninë “Kthyes-Polifonia”, apo “Hedhës-Polifonia? Sigurisht që s’ka kuptim, megjithëqë kthyesi është element madhor në strukturën polifonike. “Bizantin-iso”-si, si muzikant, i kupton këto argumente. Po pse ka krijuar gjithë këtë pështjellim të madh, çka ka prodhuar këtë reagim të madh??!!
Çfarë fshihet pas kësaj? Vetëm të fusë një fjalë greke në këtë perlë të njerëzimit, sikurse është polifonia jonë, më e bukura në Europë! Me çfarë qëllimi e ka bërë? Ai i ka dëgjuar të gjitha kambanat e alarmit dhe asnjëherë s’ka dhënë përgjigje. Pse? Çfarë fshihet në këtë tjetërsim?
Ka ardhur koha që Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave t’i përgjigjen këtij reagimi masiv profesionistësh për një problem tejet të rëndësishëm dhe të ndryshojnë përmbajtjen e turpshme, atë ndryshk në sitin e UNESCO-s që ia ka servirur “Bizantin-iso”- si.
* Prof. titullar i kompozicionit
“Mjeshtër i Madh”,
President i Pianodrom
Anëtar i Shoqatës së Kompozitorëve
SACEM – PARI
Discussion about this post