Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka përmbyllur turin e saj zyrtar në Ballkanin Perëndimor, i fundit në statusin e kancelares. Merkel mbërriti në aeroportin e Rinasit rreth orës 10:00, ndërsa u nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadori, Peter Zingraf. Në orën 10:30 Merkel mbërrit në Pallatin e Kongreseve ku sipas protokollit u prit nga kryeministri Edi Rama me një ceremoni zyrtare.
Të dy, si kryeministri, ashtu edhe kancelarja Merkel u ulën në karrige teksa orkestra e shtetit luante në versionin instrumental të dy himnet. Kjo gjë nuk ka ndodhur 5 vite më parë kur Merkel ishte në Shqipëri për herë të fundit. Atëherë e pritur në Kryeministri, bashkë me Ramën qëndroi në këmbë dhe në heshtje duke respektuar të dy himnet.
Mësohet se, një gjë e tillë mund të ketë ndodhur për arsye shëndetësore, pasi vetë kancelarja ka pasur shumë episode të ndryshme, që tregojnë se ka probleme me shëndetin nga lodhja, ku jo pak herë është kapur nga kamerat me dridhje trupi.
Pas himnit, të dy liderët patën një takim privat në Pallatin e Brigadave pa praninë e mediave, ku ende nuk janë zbuluar detajet e takimit. Më vonë, Merkel është nisur drejt “Tirana Bussines Park” për një takim zyrtar me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Pas takimit, Rama i dhuroi Merkel Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike. Rama ka shpërndarë foto në Facebook, ku shihet krah Merkel teksa i jep dhuratën e të veçantë.
“DANKE ANGELA! Kënaqësi e veçantë t’ju nderoj, në emër të Shqipërisë, me Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike,”-shkroi Rama.
Sipas axhendës zyrtare, pas konferencës me kryeministrin Rama, Merkel do zhvillojë një takim në orën 14.55 me Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës. Në 15.30 do zhvillojë një bisedë dypalëshe me Albin Kurtin, dhe në orën 16.05 do takohet me Zdravko Krivokapic, Kryeministrin e Malit të Zi. Gjithashtu, kancelarja do takohet në 16.40 me Zoran Zaev, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë konferencës së përbashkët të dy liderëve, Rama u shpreh se kjo është një ditë e lumtur edhe e trishtuar njëkohësisht, pasi kjo është vizita e fundit e Merkel si kancelare gjermane.
“Sot është një ditë e bukur dhe e trishtuar. E bukur sepse kemi privilegjin të presim në Tiranë një mike të Ballkanit edhe shqiptarëve, por dhe një ditë e trishtuar sepse në njëfarë mënyrë kjo është edhe vizita e lamtumirës si kancelarë e Gjermanisë”.
Sipas Ramës, kancelarja gjermane ka bërë shumë për Ballkanin, dhe është e vetmja që e njeh më mirë rajonin.
“Unë besoj se askush nuk ka bërë për këtë rajon pas rrëzimit të luftës më shumë se sa kancelarja gjermane dhe ajo që është akoma e rëndësishme është që askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se Merkel. Me kancelaren është një problem sepse nuk i ka qejf fjalimet me fjalë të bukura, por është e sinqertë dhe shprehja e fjalëve më të mira lidhur me çfarë ajo bëri duke iniciuar procesin e Berlinit, proces që është një vizion largpamës, jo thjesht për të kaluar një fazë disa vjeçare, po ta shohim të ardhmen të gjithë së bashku. Vendosja e një fryme bashkëpunimi për të ardhmen e përbashkët. Sot Ballkani Perëndimor është një vend më i mirë me nisëm e procesit të Berlinit. Angela Merkel do ti mungojë këtij rajoni sido të shkojë politika gjermane”, tha Rama.
Gjatë fjalës së saj, Merkel tha se mbështet nismën “Ballkani i hapur”, iniciuar nga liderët e BP, duke e cilësuar një bashkëpunim që fuqizon Procesin e Berlinit të nisur nga ajo vetë.
“Ka shumë mundësi bashkëpunimi rajonal. E përshëndes tregun e përbashkët rajonal, bën më tepër sens për të implementuar projekte kombëtare të përbashkta. Ne kemi premtuar gjithashtu që do jemi pranë këtij procesi pasi në të është investuar shumë. Në kuadër të drekës me të gjithë kryetarët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, kam pasur kënaqësinë që për idenë e 2014, bashkëpunimi ka rezultuar një bimë e fuqishme. Shumëçka ka ndryshuar mes vendeve dhe popujve. Kryetarët e qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale me njeri-tjetrin që nuk ka qenë kështu. I tërë bashkëpunimi në disa dimensione është konsoliduar. Kemi folur për projekte infrastrukturore”, tha Merkel.
Ndër të tjera, kancelarja tha se është në interes të Gjermanisë dhe BE që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit të jenë pjesë të BE.
“Do të vijoj bisedat bilaterale me vendet e tjera të Rajonit. Më 8 tetor do të takohemi sërish, në Slloveni. Ishin biseda të mira, konstruktive, do të doja t’ju falenderoja. Unë jam e bindur që në këndvështrimin gjeostrategjik, BE dhe Gjermania ka interes të vetin në anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, por sigurisht është diçka tjetër procesi i integrimit rajonal. Zemra ime rreh për këtë rajon edhe pse s’do të kem detyrën që të vij si zyrtare këtu. Ju uroj mirëqenie, vende pune, paqe, të gjitha këto të ruhen në rajonin tuaj dhe ja vlen të bëhet kështu”, tha Merkel.
Edhe njëher tjetër kryeministri Rama nuk e fshehu simpatinë për Serbinë. Ndonëse në krah të kancelares gjermane, midis Kosovës dhe Serbisë zgjodhi sërish të mbrojë këtë të fundit dhe të sulmojë Kosovën.
Kur foli për iniciativën e “Open Balkan” dhe faktin që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka pranuar të jetë pjesë, Rama tha se Kosova nuk e shfrytëzon si mundësi, por bën teori konspirative.
“Të 6 vendet nënshkruajnë marrëveshje për tregun e përbashkët rajonal. Është proces i ngatërruar. Shpesh herë një vend bëhet shkak që të gjithë të ngecin. Prandaj “Open Balkan” është hapur jo për të përjashtuar njërin, por për të mos u varur nga vetot e njërit dhe teoritë e konspiracionit të tjetrit. Por duke ecur para duke pasur “roadmap” e procesit të Berlinit. Serbia nuk e pranonte lirinë e njerëzve, sepse kishte paragjykimin se ajo mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Kosova nuk e shfrytëzon këtë, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan”, tha Rama.
Merkel e nisi turin e saj Ballkanik në Serbi ditën e djeshme, ku u prit nga Presidenti Alexandër Vucic. Pas takimit me presidentin serb, Merkel zhvilloi një konferencë shtypit në Beograd, ku u shpreh mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, teksa tha, se për BE është “interes absolutisht strategjik që të pranojë këto vende”.
Sa i përket vendin tonë, kjo është herë e dytë që kancelarja gjermanë viziton Shqipërinë. Më 8 korrik 2015, Merkel erdhi në vendin tonë pas një ftesë të bërë nga kryeministri Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Berlin duke shënuar vizitën e parë të Merkel në Shqipëri.
Vlen gjithashtu për tu theksuar, se kjo është vizita e fundit që Merkel bën në Ballkan në statusin e kancelares gjermane, pasi pas 16 vitesh në pushtet, ajo ka vendosur të dorëhiqet nga jeta politike e vendit duke mos kandiduar në zgjedhjet e 26 shtatorit në Gjermani.