Të mbjellësh pemë frutore në kopshtin e shkollës, të mësosh mbi bulmetin apo gatimin, nuk janë diçka e re. Është shumë mirë që nxënësit të mësojnë mbi artizanatin dhe të njohin traditën. Por kur i jepen paratë Dritan Agollit për ta kthyer këtë ide në tender, drejtori e kalon në laboratorin e tij të korrupsionit dhe del diçka tjetër. Edhe ky projekt ngjan si ai “100 fshatrave” që nuk dihet se ç’u bë!
1.4 miliardë lekë për kafene, qershitë dhe dybekun…!
Me një emër modern, për objektin e tenderit “FAB LAB i Artizanit: “Rrugët e Shijes: Polenë, Boboshticë, Drenovë, Qatrom”, Bashkia Korçë”, Dritan Agolli i Fondit Shqiptar të Zhvillimit firmos fondin prej 132,224,041.22 lekë pa TVSH.
Vetëm për përshtatjen e dy ambienteve ekzistuese për praktikën e nxënësve për këto artizanate, është përpiluar një preventiv i fryrë me pajisje të shtrenjta që nuk mund ta justifikojnë këtë “investim”.
Kjo është shkolla “Rakip Kocibelli” në fshatin Qatrom, e cila këtej e tutje do të quhet “Shtëpia e qershive”. Do të mbillen disa rrënjë qershi, do të sistemohet një lëndinë bari tek kopshti i shkollës, do të ketë zonë degustimi, dyqan dhe muze për produktet.
Sipas projektit, sistemi i sheshit është i organizuar në mënyrë të tillë që të ketë hyrje nga te gjitha anët si për nxënësit që do përdorin shkollën nga hyrja kryesore, ashtu edhe nga mbrapa për të aksesuar hapësirat e përpunimit të qershive dhe ambientet e degustimit dhe të kafenesë tek struktura provizore.
Kati përdhe përveç hyrjes kryesore të shkollës që të drejton për tek klasat e mësimit, i dedikohet ambienteve të përpunimit të qershive dhe eskpozimit.
Investimi që parashikohet të bëhet në fshatin Qatrom dhe në shkollën tjetër, “5-Deshmoret” në Polenë që do të quhet “Shtëpia e Zahireve”, përshkruhet sikur do të jetë teatri i operas apo diçka më e shtrenjtë. Kamera të brendshme dhe të jashtme të fjalës së fundit, ndriçim skenash, ekrane letë mëdhenj LED, pajisje nga më të ndryshmet dhe më të panevojshmet për artizanatin e nxënësve. Shihni më poshtë një pjesë të vogël listës së gjatë të preventivit.
Kur vjen radha tek qershitë që janë në një zë me mbjelljen e barit, këto marrin një segment të vogël që kushton 25 milionë lekë. Megjithatë stafi i Agollit nuk ka harruar gjënë më të rëndësishme…dybekun. Tradita e nxjerrjes së gjalpit me rrahjen në dybek do të vazhdojë, por me projektin e Agollit kushton sa qimet e kokës.
Me pak fjalë, projekti i bën rrush e kumbulla një super fond të buxhetit të shtetit. Referuar dokumenteve të tenderit, financimi i këtij objekti është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2024-2026. Para pa kursim në këtë tender për dy klasa në shkolla fshati! Ajo që e bën special këtë projekt “Fab Lab” është se fut kafenenë në hapësirën e shkollës (shih dokumentin më poshtë).
Tenderi me “Flamur të kuq”:
Tenderi është vlerësuar me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. Open Data Albania e përshkruan procedurën si “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”.
Prokurimi është njoftuar më 2 dhjetor 2024, ndërsa afati për dorëzim oferte ishte më 18 dhjetor 2024. Dhe ishin 15 operatorë konkurrues, por të gjithë u skualifikuan. Fillimisht u eliminuan nga komisioni ofertat më të ulëta
Më konkretisht është skualifikuar oferta e bashkimit të operatorëve ekonomik “NEWGEN” sh.p.k & “INERTI” sh.p.k, me vlerë 86,213,581 lekë pa tvsh.
Po ashtu “NIKA” sh.p.k, është skualifikuar, megjithëse kishte ofertën me vlerë 87,894,785 lekë pa tvsh. Është eliminuar në fazën e parë edhe “XHENGO” sh.p.k, që propozonte ofertën me vlerë 92,263,536 lekë pa tvsh.
E eliminuar rezulton qysh në fillim “MODESTE” sh.p.k. me propozimin ekonomik 94,558,851 lekë pa tvsh.
Përkundrazi, mes 15 ofertave, komisioni i Dritan Agollit zgjodhi kompaninë “BEAN sh.p.k. që kishte ofertë më të lartë se kompanitë e skualifikuara nga konkurrimi. Kështu më 16 janar 2025, Dritan Agolli favorizoi firmën “BEAN” që ka për pronar Arben Sadushin. ]
Kujtojmë se drejtori i FSHZH, Dritan Agolli është nën hetim për korrupsion dhe është thirrur në SPAK në 12 nëntor 2024.
Dritan Agolli, paralelisht me detyrën e drejtorit, është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.
Kompania rezulton që ka marrë para publike. Agolli ka siguruar para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera publik. Kemi një marrëdhënie që kreu i FSHZH ka kryer me kompani private, me të cilët i ka lidhur interesi.
Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK edhe në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Tenderi u denoncua më herët nga Gijotina.com dhe është pjesë e një afere të madhe korruptive.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post