Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë mori pjesë në turneun përkujtimor të organizuar më 26 tetor në stadiumin “Loni Papuçiu” në Fier, në nderim të ish-portierit Arben Sinani, një emër i spikatur i futbollit fierak dhe shqiptar.
Turneu u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Futbollistëve Fierakë, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, Shoqatën Rajonale të Futbollit Fier dhe FK Apolonia, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e Sinanit, i cili gjatë karrierës së tij u aktivizua me Apoloninë, Tomorin, Besën dhe Bylisin. Ai ishte pjesë e skuadrës së Apolonisë që fitoi Kupën e Republikës në vitin 1998.
Në aktivitet morën pjesë ekipet e veteranëve të Shqipërisë, Prizrenit, Flamurtarit dhe Apolonisë.
Në gjysmëfinalen e parë, Flamurtari dhe Apolonia barazuan 1-1, me skuadrën vlonjate që siguroi kalimin në finale pas fitores 3-1 me penallti. Në gjysmëfinalen tjetër, Kombëtarja shqiptare e veteranëve fitoi 2-1 ndaj Prizrenit, duke siguruar një vend në ndeshjen për trofeun.
Në finalen për vendin e tretë, Apolonia triumfoi 2-1 ndaj Prizrenit, ndërsa finalja mes Shqipërisë dhe Flamurtarit përfundoi në barazim pa gola. Në gjuajtjet e penalltive, skuadra vlonjate u tregua më e saktë, duke fituar 8-7 dhe duke ngritur trofeun e turneut.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe emra të njohur të futbollit shqiptar, mes tyre Sulejman Demollari, Luan Pinari, Arben Milori, Jahmir Hyka, Ditmar Bicaj, Ilion Lika, Arjan Pisha, Vasil Ruci, Rrapo Taho, Latif Gjondeda, Romeo Haxhiaj, Artion Poçi, Elidon Demiraj etj.
Turneu ishte një homazh për figurën e Arben Sinanit dhe një mundësi për të bashkuar veteranët e futbollit shqiptar në nderim të kontributit të tij sportiv.










Discussion about this post