Spitali Rajonal Durrës anuloi një tender që kishte organizuar për akomodimin e menaxherëve turq. Objekti i kontratës ishte “Marrëveshjes Kuadër: “Shërbim për akomodimin e 2 menaxhereve turq” për Spitalin Rajonal Durrës. Turqit sipas marrëveshjes do të qëndrojnë për
afatin 12 muaj dhe është parashikuar që vetëm për hotelin të shpenzohen 3,947,049.16 lekë pa T.V.Sh.
Arsyeja e anulimit është se në procedurat me faza nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e përshtatshme. Në fakt, dy pronarë hotelesh dhe restorantesh në Durrës kishin dorëzuar një ofertë të përbashkët, por turqit nuk e kanë pëlqyer.
Sipas procesverbalit të vlerësimit së KVO-së më datë 17 prill 2025, citojmë: “…konkludon se operatori ekonomik “Luan Spahija” shpk nuk i plotëson të gjitha kriteret për kualifikim sipas përcaktimeve në dokumentet standarde të tenderit.
Në Akt marrëveshjen e bashkëpunimit date 8 prill 2025, të nënshkruar ndërmjet subjektit “Luan Spahija” person fizik dhe subjektit “Eljana Tabaku” person fizik, nuk është përcaktuar masa e përqindjes së pjesëmarrjes në bashkim të secilit nga operatorët ekonomikë, si dhe nuk kanë përcaktuar elementet që do të realizojë secili prej tyre në këtë bashkim”. Komisioni me sa duket ka marrë edhe mendimin e palës turke për kushtet e hotelit dhe kështu, është anuluar tenderi.
Sipas komisionit, licenca “Eljana Tabaku”, lëshuar nga QKB nuk ka objekt te veprimtarisë se tij hotelerinë, por aktivitetin “Restorant”, ndërsa Certifikata ISO 9001:2015 e paraqitur nga Luan Spahija nuk është e përkthyer në gjuhen shqipe”, shkruhet në procesverbal. Mirë që nuk e kanë kërkuar në gjuhën turke!
Por edhe vendndodhja e objektit ku do të akomodoheshin turqit “Hotel Heming-Way” Plazh, është mbi 5 km larg Spitalit Rajonal Durrës, sipas komisionit.
Turqit do të menaxhojnë spitalet?!
10 menaxherë nga Turqia do t’i bashkohen stafeve drejtuese të 5 spitaleve kryesore në vend, të cilat janë pajisur me kartën e autonomisë menaxheriale: QSUNT, Spitalit Rajonal Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
“Mirënjohje qeverisë Turke për angazhimin dhe bashkëpunimin në gjithë këto vite, dhe krenare që ky partneritet do të na shërbejë për të zbatuar me efikasitet një nga reformat më të rëndësishme, si dhe për të nisur sa më shpejt fazën e dytë, që është përfitimi i Kartës së Autonomisë Financiare në këto spitale”, shkruan me këtë rast ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Kushtet e detajuara për hotelin
Ajo që të bën në përshtypje në këtë tender janë kërkesat për kushtet që duhet të plotësojnë garuesit. Përsa i përket dhomës kërkohet që shtretërit të jenë me dyshek me teknologji bashkëkohore dhe të mirëmbajtur. Seti i çarçafëve duhet të jetë një cilësi të lartë. Mbulesat ose jorganët të jenë me pupla ose vatinë ose një material ekuivalent. Dhomat duhet të jenë me ajër të kondicionuar / sistem ngrohjeje dhe ftohjeje efektive.
Përsa i përket tualetit dhomat të jenë të pajisura me vaskë dhe dush. Në tender specifikohet se “muret e tualeteve të jenë me material të papërshkueshëm nga uji që pastrohet lehtë (pllaka qeramike, rezinë etj.) dhe dyshemeja e tualetit të jetë me material kundër rrëshkitjes dhe të padepërtueshëm nga uji (pllaka qeramike, rezinë e të ngjashme etj)”.
Gjithashtu hoteli duhet të ofrojë ujë të pijshëm pa limit sipas kërkesave të personelit turk dhe shërbim 24 orë gjatë kësaj periudhe 6 mujore.
Turqit marrin paga shumë më të larta se kolegët shqiptarë
KLSH ka zhvilluar një auditim në Spitalin e Fierit për periudhën 2021-2023 dhe ka zbuluar pa fund shkelje. Në lidhje me personelin turk, KLSH konstaton se ata paguhen shumë më tepër se kolegët shqiptarë, duke krijuar dallime të mëdha.
-Pagesat e punonjësve turq dhe atyre shqiptar kryhen referuar VKM nr. 555, datë 11.08.2021, i ndryshuar. Referuar lidhjes 10 të VKM, është përcaktuar shpërblimi i punonjësve të caktuar nga pala turke në SRMF si personel mjek si edhe në pozicionet “Menaxher spitalor në spitalet universitare e rajonale”, ku rezulton se pagat bruto të stafit shqiptar janë në nivelet nga 77,800 –168,000 lekë, kurse ato të turqve (duke përfshirë bonusin i cili është në varësi të pozicioneve 205,000-300,000 lekë) janë në nivelin 282,800-468,000 lekë. Konstatohen diferenca në paga krahasuar me stafin shqiptar për të njëjtat pozicione pune. Ky diferencim dhe sjellje preferenciale, mund të sjellë pakënaqësi të shoqëruar me ulje të performancës në punë dhe shërbimin ndaj pacientëve të palës shqiptare”, shkruhet në këtë raport të KLSH.
Gjatë auditimit konstatohet se, operatori ekonomik që do të kryejë shërbimin e akomodimit të personelit turk, duhet të mbulojë fjetjen në dhoma standarde teke ose dyshe, akomodimi në hotel do të jetë maksimumi për 38 (tridhjetë e tetë) persona në natë. Koha e qëndrimit do të jetë 12 muaj si dhe të jetë i përfshirë vakti i mëngjesit.
“Personeli turk në kuadër të marrjes së masave për ushtrimin e veprimtarisë funksionale të ofrimit të shërbimit spitalor, ka kërkuar të plotësohen kushtet për akomodimin, ushqimin dhe pastrimin, larjen, hekurosjen për personelin turk. Pas kërkesës drejtuar titullares së SRMF, me urdhër nr.10/2 prot., datë 20.05.2021 është ngritur grupi i punës për marrjen e ofertave për akomodimin e stafit Turk. Pas administrimit të ofertave të marra nga komisioni, është miratuar oferta më e ulët. Oferta fituese ka qenë e hotel “M B H” me 6,100 lekë për akomodim në natë, shërbimi i ushqimit për 3 vakte ka qenë 2,500 lekë dita dhe 650 lekë dita për shërbimin e pastrimit, larjes dhe hekurosjes. Kontrata e shërbimit mes Spitalit Rajonal Memorial Fier dhe “MB H” Fier me nr.10/14 është lidhur me datë 24.05.2021 e vlefshme deri më datë 31.12.2021. Kjo kontratë shërbimi është shtyrë me aneks kontrate nr.10/18 prot., datë 05.01.2022 pas afatit të përfundimit deri në datën e nënshkrimit të kontratës së re për këtë shërbim”, konstaton KLSH.
Pra, turqit kërkojnë trajtim pashallarësh dhe drejtorët e spitaleve sillen “lepe-peqe” ndaj tyre, sepse marrëveshjet i kanë bërë Rama dhe Erdogani!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post